Ti e takon Zotin duke i takuar njerëzit

Mar 2 • Meditimi i ditës

 2 mars 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Lev 19,1-2.11-18; Ps 19,8-10.15; Mt 25,31-46)


Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.



Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.


Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 25, 31-46

31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • lutje lejoji fjalës së shkurtër “Unë” (isha i…) të kësaj shëmbëlltyre të të flasë. Jezusi na fton ta vizitojmë atë duke i  vizituar të burgosurit, t`i japim të hajë në uriturit, ta veshim atë kur bën ftohtë. Jo vetëm të kujdesesh për njerëzit, por shihe dhe ndieje atë në ta.
  • Gjatë kohës që e dëgjon përsëri pjesën e ungjillit, lejo që momenti i lutjes t`ia hapë derën pranisë së Zotit në të gjithë ata që i takojmë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, ku janë njerëzit e tu të uritur, të zhveshur, të pastrehë, të cilët do të më thërrisnin po të kisha qenë në dispozicion të tyre? Apo e kam organizuar jetën time në mënyrë që njerëzit në nevojë të mos më takojnë kurrë? O Zot, ti e ke vendosur këtë kriter të thjeshtë për gjykim. Si jam duke e plotësuar këtë kriter tëndin?


Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Zotëri, ky është një mesazh i thjeshtë. Ti do të më gjykosh në bazë të dashurisë dhe shërbimit të të tjerëve. Ti je i pranishëm në të varfrit, të sëmurët, të burgosurit, të huajt. Bëj që ta njoh fytyrën tënde te të gjithë ata. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »