Vishuni me mirësi  

Mar 3 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Në biseda të ndryshme individuale, intime, miqësore, familjare, grupore, kolektive, shoqërore, shpesh dëgjohet të thuhet, e kjo me bindje e dëshpërim, se nuk ia vlen të jesh i\e mirë, nuk ia vlen të jesh i sjellshëm, e sjellshme, nuk ia vlen të bësh mirë, nuk ia vlen të jesh modest\te, nuk ia vlen të jesh i\e sinqertë, nuk ia vlen të jesh korrekt, nuk ia vlen të jesh i\e ndershëm, nuk ia vlen të shfaqësh vlera e virtyte, nuk ia vlen të jesh vetvetja… Sepse në rrethin shoqëror, në të cilën  jetojmë e bёjmё pjesё, njeriu më shumë vlerësohet, shqetësohet, për paraqitjen se sa për përmbajtjen apo brendinё e tij. Me një fjalë, për vlerat dhe virtytet nuk ka vend, nuk ka kohë, nuk ka vlerësim, por, pёrkundrazi ato shpesh konsiderohen si dobësi.

Me keqardhje, por duhet thënë: njerëzit tashmё janë tё bindur, kanë krijuar një përvojë të tillë, dhe kanë arritur në një përfundim, se vërtet nuk ia vlen të dhurosh mirësi! Kjo gjendje, është shumë e dhimbshme dhe shqetësuese. Duhet tё pyesim, tё kёrkojmё dhe të gjejmë shkakun pse shoqëria jonё, unë, ti, ka arritur deri në këtë gjendje? Cila është arsyeja që mirёsia të na duket e pavlerë dhe e padobishme? Pse virtyti i mirësisë perceptohet si dobësi!?

Ajo çka vihet re gjithnjё e mё shumё ёshtё fakti, se njeriut tё sotshёm nuk i intereson mё thelbi, bota e brendshme e individit, porse në vëmendjen e tij ngjall mё shumё interes dhe pёrkushtim paraqitja, dukja e jashtme e tij. Vlerësohesh nëse vishesh me rrobat e modës së fundit, nëse ke telefonin e fundit që ka dalё në treg, nëse ke tatuazh, pirsing, nëse ke tjetёrsuar veten me ndonjë ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme vetëm që të dukesh “më bukur”, nëse di të gënjesh, nëse ngre zërin, e këtë sidomos përball të pambrojturve, nëse di të shfaqesh sa më farise, sa më hipokrit, vlerёsohesh nëse di të luash role për të arritur interesat personale, nëse shfaq sa më shumë fytyra, nëse sillesh sa më arrogant, nëse pёrflet negativisht të tjerët, nëse je sa më dredharak\e, nëse nuk je vetvetja… Mirëpo se ku po na çon e ku do të na çojё kjo gjendje, pak kujt i intereson!

Lindin njё sёrё pyetjesh: A ia vlen të lejojmë  që të zbehet virtyti i mirësisë tek ne? A ia vlen që ne ta mbajmë të mbyllur këtë dhuratë, që na ka dhuruar Zoti? A ia vlen që ne ta hedhim poshtë mundin dhe edukatën që kemi marrë mbi këtë virtyt e mbi shumë vlera  nga prindërit tanë? A ia vlen që të mos shfaqim mirësi? A ia vlen që të sillemi ndryshe e të mos jemi vetvetja? A ia vlen që të varemi nga vlerësimi i tjetrit?

Sigurisht qё jo, e kjo duhet thënë me një JO të madhe! Asnjëherë nuk duhet lejuar që të zbehet ky virtyt vetëm pse nuk po e vlerësojmë, dhe nuk po e çmojmë siç duhet. Asnjëherë nuk duhet harruar se mirësia gjithmonë dhe gjithkund ka dobinë dhe vlerën e vet, si për individin, ashtu edhe për tjetrin e shoqërinë në përgjithësi. Asnjëherë nuk duhet dyshuar në dobitë e jashtëzakonshme të mirësisë. Pavarësisht mungesës së vlerësimit ndaj saj, gjithmonë të dhurohet sa më shumë mirësi si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj tjetrit, sepse aktet e mirësisë janë një nga mënyrat më të mira për ta frymëzuar tjetrin. Duke kultivuar mirёsi në vetvete mund t’ua dhurojmë të tjerëve.

Pra, nuk duhet të ndalemi, e të lodhemi duke dhuruar mirësi. E këtë na e kujton edhe Shën Pali në letrën drejtuar Galatasve  “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtet nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohёn e duhur, do të korrim. Prandaj, derisa të kemi kohë, t’i bëjmë mirë gjithkujt…”  (Gal 6,9-10).  Pra, mirësia asnjëherë nuk është e pavlerë dhe e padobishme. Por, në kohën e duhur do të marrim atë çfarë na duhet dhe kemi nevojë si shpërblim tё mirësisё.

Pavarësisht mosvlerësimit të saj, ajo mbetet një virtyt për të cilën sot bota ka nevojë. Edhe pse nuk vlerësohet, edhe pse nuk i jepet rëndësia e merituar, nuk duhet të kemi turp e as të ngurrojmë qё ta shfaqim atё. Duhet tё bёhemi tё vetёdijshёm se ajo nuk është vetëm një formё mirësjelljeje pёr të lënë njё përshtypje pozitive kundrejt tjetrit, nuk duhet tё jetё njё qasje hipokrite me qёllim nё vetvete, nuk është vetëm thjesht të bësh diçka tё mirё për dikë, por është një virtyt i  pandashёm i formimit të personalitetit tonё. Pra, mos kini turp që të visheni me mirësi, por bëni që të tjerët të turpërohen nga mirësia juaj.

Të vishemi me mirësi, na e këshillon edhe Shën Pali në letrën drejtuar Kolosianeve: “Vishuni, pra, mbase jeni të zgjedhurit e Hyjit, e shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi e me duresë.” (Kol 3, 12) Kush është i veshur me këtë virtyt ka brenda vetes edhe vlera të tjera si; respektin, mirëkuptimin, zemërgjerёsinё, thjeshtësinë, dhembshurinё, dashurinё, tё cilat janë të nevojshme  e të domosdoshme për personin dhe shoqërinë. Kështu që, kuptohet që kemi të bëjmë me një person që ka dinjitet e personalitet të formuar dhe të edukuar.

Kuptohet, për ta përftuar atë kërkohet një pjekuri njerëzore, mendore dhe formim shpirtëror i vazhdueshëm. Gjithashtu, kërkohet punë me veten, jo me kohë të pjesshme por me kohë të plotë. Pra, kërkohet edukim, formim, angazhim, vullnet, e qëndrueshmëri. E këtë na e ka thёnё edhe Papa Gjoni XXII kur shprehet se: Mirësia është rezultati i punës me veten. Sepse ne mund ta kemi këtë virtyt, mund të kemi mësuar dhe tё jemi edukuar rreth këtij virtyti, por nëse nuk angazhohemi që ta ruajmë si vlerë dhe dhuratë, ai mund të zbehet e pastaj të na duket i pavlerë.

Mirëpo, individi që e zotёron dhe di ta ruajё këtë virtyt, pavarësisht rrethanave, situatave, gjykimeve,  vendeve, shfaq një qetësi që duket në fytyrë, jeton në harmoni dhe paqe si me veten ashtu dhe me tjetrin. Është i ekuilibruar i vetёpërmbajtur, nuk e mbingarkon veten, nuk është i varur nga ajo se çfarë mendojnë e thonë të tjerët. Atij pak i intereson tё ngrejё pikёpyetje nëse mirësia është dobësi apo virtyt, pasi është i sigurt për rёndësinё dhe vlerën që ajo ka, pavarёsisht pёrgjigjes qё mund tё marrё. Kështu ai, vetëm vazhdon të dhurojё mirësi,  me modesti dhe qetësi, pa e prishur zemrën dhe mendjen. Sepse e ka të qartë se  mirësia, është forca për të mos ia lejuar vetes që ta mundё e keqja. Që për bazë ka drejtësinë dhe të vërtetën.

Shën Nënë Tereza thoshte: Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde.

Nga sa mё sipёr mund të kuptohet se mirësia, nuk është të bësh gjëra të mira në një kohë të caktuar apo kundrejt personave në nevojë, sepse këtë mund ta bëjnë të gjithë, dhe as nuk ёshtё të bësh gjëra të mëdha vetëm për të bërë emër, por mirёsia duhet tё manifestohet tek individi nё gjithё dimensionin njerёzor tё qenies sё tij. Janё pikёrisht, gjestet e vogla dhe të bukura, që flasin e dёshmojnë mirësi. Pra, mënyra sesi flasim, si komunikojmë, dialogojmë, qendrimet qё mbajmё, si i drejtohemi tjetrit, si i menaxhojmё situatat, si ia shtrijmё dorën tjetrit, si e shikojmё tjetrin, pra, përfshihet gjithë personaliteti i personit. E kjo ka të bëjё jo vetëm kur jemi nën vëzhgimin e të tjerëve, por edhe kur jemi vetëm.  

Kështu që, të mundohemi që mirësinë tonë ta shohin, ta ndjejnë dhe ta përjetojnë edhe ata që kanë vështirësi me shqisën e të parit dhe të dëgjuarit. Mark Twain shprehet: Mirësia është gjuha të cilët të shurdhët mund të dëgjojnë dhe të verbëritë mund ta shohin.

Pra, personi që është i veshur me mirësi, nuk ka nevojë ta ngrejё zërin, apo të bërtasё, nuk ka nevojë  të çajё me bërryla  për të arritur diku dhe diçka, nuk ka nevojë që të tregojё se ç’vlera ka, nuk pret duartrokitje e vlerësim nga të tjerët, por i mjafton qetësia e brendshme shpirtёrore që reflektohet mё sё miri sё jashtmi. Mjafton heshtja, maturia, thjeshtësia dhe urtia. Sepse mirësia nuk ka nevojë për fjalë, por mjafton shembulli dhe sjellja e mirë që lë mbresa e gjurmë tek të gjithë e mbetet në kujtesën e të gjithëve.

 Ja se çfarё duhet thёnё me zё tё lartё: mos lejoni që veset dhe dobësitë  t’ia zënë frymën këtij virtyti kaq të çmuar. Mos e kërkoni diku jashtë sepse nuk mund ta gjeni, ajo vjen nga zemra dhe është fryt i shpirtit. Shën Pali thotë: “Fryt i shpirtit është mirësia.” ( Gal 5, 22).

Mirëpo, që virtyti i mirësisë të vlerësohet, dhe të jetë sa më i pranishëm në shoqërinë tonë, një detyrë dhe përgjegjësi e madhe u takon prindërve. Familja është vendi, shkolla e parë,  ku fëmijët mësojnë dhe edukohen, mes tё tjerash, për rёndësinё e virtyteve dhe vlerave. Fёmijёt qё gjatё formimit dhe arsimimit, kultivojnё brenda tyre mirёsinё, dhe qё në të ardhmen do bёhen tё rritur qё do dinё gjithmonë e gjithkund, ta shfaqin atё pa ndjerё asnjё lloj ngurrimi dhe vёshtirёsie, duke i dhёnё rёndёsinё e duhur pёr veten dhe mbarё shoqёrinё,

Mbajeni veshur gjithmonë mantelin e mirësisë, dhe mos e hidhni atё përballë çfarëdo situate. Jepuni arsye të tjerëve se ia vlen ta vlerësosh mirësinë. Mos kini turp të shfaqni mirësi, dhe mos humbni kohë duke menduar nёse ajo është dobësi apo virtyt! Mos dyshoni në dobinë e saj! Dhuroni sa më shumë mirësi!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »