Kalendari Kulturor: përvjetori i vdekjes së Don Gjon Gazullit, martir dhe atdhetar

Mar 5 • Kulturë

Përkujtojmë sot ditëvdekjen e martirit dhe atdhetarit, Dom Gjon Gazullin, atë që shkodranët e kanë konsideruar gjithnjë shenjt, aq sa shpesh ndalen tek varri i tij, në Rrëmaj, për t’u lutur e për t’i kërkuar të ndërhyjë për ta pranë Zotit. Për të mos folur për familjen e Gazullorëve ku bënte pjesë, e cila i ka falur gjithnjë Shqipërisë njerëz të mëdhenj.

Dom Gjon Gazulli (26 mars 1893 – 5 mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!? U dënua me varje. Ekzekutimin e tij e përshkruan në një inervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, oficeri i ngarkuar me varjen e Dom Gjonit, Xhemal Dibra:

(marrë nga shkrimi i Daniel Gazullit, botuar në “albemigrant”: https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/02/15/daniel-gazulli-martiri-i-atdheut-dom-gjon-gazulli/)

“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të  ndodhte.

Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim  i D. G.). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.

Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.

Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.

Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!

Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.

Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927”. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »