A mos e shikoj fenë vetëm si ligj?

Mar 6 • Meditimi i ditës

6 mars 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 18,21-28; Ps 130,1-8; Mt 5,20-26)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Me hirin e Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

O Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në përkujdesjen tënde të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen për mua.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Mt 5, 20-26

 

20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25 Rregullohu shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi fillon kthimin e tij duke treguar se çfarë do të thotë të sjellësh ligjin në përsosmëri. Standardi i ri është më i lartë se standardi i vjetër sepse vlen për zemrën tonë, jo vetëm për veprimet e jashtme. Nuk është e mjaftueshme për të mos e vrarë vëllain, por ia kemi për detyrë t`i shprehim edhe respektin tonë.
  • Pjesëmarrja në liturgji ka kuptim vetëm nëse gëzojmë marrëdhënie të mira ndërnjerëzore. Nuk ka kuptim të bëj një sakrificë nëse nuk jam në kushte të mira me vëllain tim. Adhurimi, nderimi i Zotit nuk është një zëvendësim i sjelljes së mirë ose garantues i gjykimit hyjnor. Është një shprehje e asaj që qëndron në zemrën time dhe dëshira ime e madhe për të dashur më shumë.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Skribët dhe farisenjtë ishin njerëz të drejtë dhe të ligjit. Jezusi kërkon më shumë – e kërkon mëshirën, dhembshurinë të cilën e sheh përtej ligjit dhe dobësisë njerëzore, deri te lavdia dhe dashuria e Hyjit në çdo person. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »