Të kesh një fe të sinqertë, të thjeshtë dhe transparente!
10 mars 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 1, 10.16-20; Ps 50, 8-9.16b-17.21.23; Mt 23, 1-12)
Prania e Hyjit
Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat.
Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.
Liria
Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.
Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,
që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.
Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.
Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.
Fjala e Zotit
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Mt 23,1-12
1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:
2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.
5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Feja mund të jetë e vështirë. Jezusi erdhi për t`i lehtësuar vështirësitë tona fetare dhe të na udhëzojë t`i duam dhe t`u shërbejmë të tjerëve.
- Barrë dhe pritje fetare mund t`ua ngarkojmë të tjerëve, madje edhe kur bëjmë gjykime rreth tyre.
- Lutja është kohë për tu rritur në përvujtëri dhe gëzim para Hyjit i cili na thërret në emër të Jezusit që erdhi për të shërbyer.
Bashkëbisedimi
A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit të Shenjtë?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?
Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,
me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« A jam i/e (pa)mëshirshëm? Kosova nga parahistoria deri më antikën e vonë »