Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 5. Idealet

Mar 10 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Nuk jam i gatshëm t’i shpall as të rinjtë e sotëm “të humbur” apo gjeneratë “e lodhur”. Pa dyshim se ka edhe të këtillë, por nuk është tipari i përgjithshëm i tyre. Edhe sot ka të rinj të shkëlqyer, vetëm se nuk flitet e nuk shkruhet për ta, pasi virtyti nuk është një të temë për gazetat. Në mbarim të këtij kapitulli do të donim të hedhim shikimin te bota e të rinjve, të cilët janë në kërkim të idealeve të tyre.  

Rinia, nuk është ndonjë ideal absolut, por vetëm një periudhë kaluese nga fëmijëria në moshën e pjekur. Asnjë i ri nuk dëshiron të mbesë gjithmonë i ri, por e aspiron pjekurinë. Nuk kanë të drejtë ata psikologë që zhvillojnë teori të tëra të “traumave të lindjes”, sikur fëmija nuk dëshiron të lind, por përherë të qëndrojë në kraharorin e nënës. Arsyeja e shëndosh na thotë se aspirata themelore e një të palinduri është të lind, e jo të qëndrojë përherë në rrugën e zhvillimit. Rregulli themelor i pjekurisë është të qenit i prirur apo i drejtuar kah e ardhmja. Janë tri fusha, në të cilat kërkohet nga ne të bëhet një kapërcim për të arritur pjekurinë.

Niveli i parë janë lidhjet ndërpsikike: kalimi nga mbyllja egocentrike në botën objektive. Ne nuk jemi qendra e botës, por ekziston një botë që duhet ta njohim, ta respektojmë e të shërbehemi me të me përgjegjësi. Çdo nënë e di mirë sa rreziqe do t’i ketë kur fëmija kur fillon ta zbulojë ambientin përreth, por nuk mund ta ndal. Shenja e parë e pjekurisë është aftësia për t’u mahnitur me krijimin.

Niveli i dytë janë lidhjet ndërpersonale: kalimi nga mbyllja vetjake te raporti me të tjerët. Një person i pjekur nuk është i aftë vetëm të pranojë, por edhe të jap. Në fund, ai do të dhurojë vetveten qoftë në martesë qoftë në thirrje meshtarake apo rregulltare. Në këtë nivel i riu do të kuptojë se shoqëria nuk jam unë, por ajo janë njerëzit, se nuk janë të pranishëm vetëm që unë të ndihem mirë, por edhe unë janë përgjegjës për ta. Njerëzit duhet zbuluar, njohur, të kesh kurajën të kesh besim në ta, sepse vetëm kështu lindin miqësitë, dashuria, sakrifica për tjetrin, besueshmëria, mirëkuptimi. Këto janë ato ideale objektive, vlerat, jetësimi i të cilave personin e mbushin me ndjenjën e plotësimit.

Niveli i tretë janë lidhjet metapersonale: kalimi apo lidhja me gjithësinë, të matanshmen, Zotin. Kjo është bota e vlerave absolute. Një person është i pjekur kur ka vlera dhe ideale për të cilat ia vlen të jetosh, të flijosh, e nëse duhet edhe të dhashë jetën. Porse këto vlera nuk i krijon njeriu, por ato i kërkon, i zbulon dhe i pranon. Besnikërinë martesore nuk kemi nevojë ta shpikim, ajo ekziston si një vlerë objektive edhe nëse 99% të martesave do të divorcoheshin, sikurse e ngritin zërin disa statistika (me një dyshim të moderuar se ato janë të manipuluara). Besnikëria martesore lind nga vetë natyra e dashurisë, e cila është përherë e pakushte dhe deri në vdekje. Në këtë pikëvështrim shikohet edhe religjioziteti/fetaria, përkatësisht zbulimi dhe pranimi i realitetit të Zotit, të cilën, po ashtu, nuk duhet ta shpikim, sepse ajo ekziston, dhe e pranojmë si burim të ekzistencë sonë.

Detyra madhore e moshës së pjekurisë është ushtrimi i qëndrimeve themelore dhe koordinatave të vlerave themelore. Me vetëdije kemi zgjedhur çdo fjalë: flasim për ushtrimin, e jo për zhvillimin, flasim për themelimin, e jo për spontanitetin. Zhvillimi është proces spontan, kurse pjekuria nuk është e tillë. Kemi të bëjmë, në fakt, me një koncept për vetveten, i cili është i lidhur ngushtë me një pyetje tjetër: “Çka është ajo që është vërtet e vlefshme?”. Pikërisht këtë pyetje një hulumtues ju bëri një grupi të rinjve, duke iu caktuar t’i zgjedhnin prej këtyre përgjigjeve: “Të jetojmë sipas normave të zakonshme të shoqërisë”; “Asgjë të mos rrezikojmë, por të veprojmë të sigurtë”; “Të jetojmë për të tjerët”; “Të provosh mundësi të reja, të jetosh në mënyrë kreative”; “Të kesh shumtë para”. Duke i analizuar rezultatet, përgjigjet e ndryshme autori i ka vendosur në tri grupi. Ja këto tri grupe.

Ka të atillë që shikojnë mbrapa, kapen pas të shkuarës, nuk duan të bëjnë një hap tutje kah niveli më i lartë i pjekurisë dhe jetojnë në izolim të sigurtë. Mendojnë se është më komode të përshtaten normave të zakonshme se sa të pranojnë rrezikun që e sjell e reja apo eksperimentimi me talentet e tyre. Këtu e njohim atë shërbëtorin nga ungjilli, i cili e ka futur talentin e tij në dhé për shkak të frikës nga zotëria i tij.

Ka të atillë që janë të drejtuar kah vetvetja, thyhen në vetvete. Ky është një qëndrim tipik i hedonistëve dhe i individualistëve. Ky qëndrim sot është shumë i përhapur, që manifestohet te një vrapim dhe konkurrim për kënaqësinë individuale. Këtu e njohim atë pasanikun e marrë nga ungjilli, i cili e mendon jetën e vet si kënaqësi në të mirat materiale.

Së fundmi, ka të atillë që e shikojnë të ardhmen, të nxitur nga një altruizëm kreativ. Duan të japin, e jo vetëm të marrin, t’iu shërbejnë të tjerëve e jo vetëm të jenë të shërbyer prej të tjerëve.[1]

Sipas dëshmive të autoriteteve të njohura në fushën e psikologjisë (A. Maslow), thuajse të çdo adoleshent, kur i mbush 16 vjet, ka një parandjenjë për atë se kush/çfarë do të mund të bëhej në të ardhmen që e pret. Këto janë çaste kur lindin thirrjet e jetës, projektet e mëdha, vendimet e qëndrueshme. Për fat të keq, shumë prej tyre frikësohen nga madhësia e thirrjes së tyre, ndalen, vetëkënaqen dhe e pranojnë kompromisin e të qenit mesatar. Porse jo, faleminderit Zotit, ka edhe të atillë që kanë guximin të çrrënjosen nga kjo gjendje, të shikojnë të ardhmen dhe të pranojnë misionin e tyre.

Nga 14-16 qershor 2000 është mbajtur Konferenca e XXVI Ndërkombëtare e Ministrave të Europës, përgjegjës për familjen, nga 41 vende anëtare të Këshillit të Europës, me qëllim që të propozojnë udhëzime të dobishme për fëmijët dhe familjen. Tema ishte: Për një shoqëri që i pranon më shumë të rinjtë. Në konferencë ishin të ftuar edhe grupi i të rinjve, të cilëve ju ishte besuar detyra të formulonin mendimet dhe pritshmëritë e të rinjve, kolegëve të tyre. Ja disa nga propozimet e rëndësishme.

  • që prindërit të jenë të gatshëm të bisedojnë me fëmijët e tyre, duke ju përkushtuar më shumë kohë atyre, për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe të dialogojnë në mënyrën më konstruktive mbi temat e jetës, kuptimin e thellë të ekzistencës dhe përvojave të përditshme;
  • nevoja e madhe për të pasur shembuj për jetën e tyre dhe rolet që mund t’i ndjekin, si dhe idealet pas të cilëve mund të shkojnë; shpesh vetëm prania e kolegëve të tyre bëhet shkollë formimi për jetën, e jo përherë në përputhje me udhëzimet e prindërve të tyre;
  • nevoja për të mos i shkatërruar idealizmat dhe utopitë e të rinjve: realizmi i tepruar i përplasë krahët përtokë, e rrit dëshpërimin dhe krijon apati deri në atë masë sa që të mos ketë forcë ta jetojë në një perspektivë gëzimi të ardhmen e vështirë, por njëkohësisht një të ardhme me mundësi të madha dhe të pasura.

Përveç këtyre dëshirave, përkatësisht kërkesave, të rinjtë kanë shprehur një varg kritikash në llogari të shoqërisë së të rriturve, si p.sh. mungesa e vendeve të mjaftueshme për takimin e të rinjve, për sport, për kohën e lirë etj.[2]

Të rinjtë janë të atillë çfarë është shoqëria e të rriturve. Nuk mund t’ju hedhim atyre pjesën tonë të përgjegjësisë. Për të rinjtë nuk mund të flasim e mos të japim diçka nga vetvetja. Kjo është e mirë, sepse pikërisht në këtë gjendet një porosi e rëndësishme: të rinjtë nuk janë diçka e jashtme, si një trup i huaj si në shoqëri ashtu edhe në Kishë, por – sido që të jenë – janë pjesë organike e epokës sonë, e shoqërisë sonë dhe e Kishës sonë. Është e vërtetë se ata janë e ardhmja jonë, por ata janë tashmë edhe e tashmja jonë. Nëse vazhdimisht e theksojmë se të rinjtë janë e ardhmja jonë, ata do të na thonë se janë e tashmja, kurse ne të rriturit e kaluara. Ndoshta edhe nuk është e nevojshme të flasim ndryshe për ta, pos ashtu si dimë. Edhe nga kjo e nxjerrim një porosi: ne i përkasim njëri-tjetrit, kemi nevojë për njeri-tjetrin./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

———————————————————

[1] Khs. H. Kasten, Pubertät und Adoleszenz. Wie Kinder heute erwaksen werden. München, 1999. 67-69.

[2] Khs. R. Mion, “Per una società più accogliente dei minori”, Orientamenti Psicologici, 47 (2000) 77-90.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »