Shërbimi është dhurim dhe dashuri për tjetrin!
11 mars 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 18, 18-20; Ps 31, 5-6.14.15-16; Mt 20, 17-28)
Prania e Hyjit
O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq tepër i preokupuar në punë sa të mos mundja të gjeja kohë dhe të jem me ty.
Liria
Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,
dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.
Mt 20, 17-28
17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:
18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”
20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:
“Çka dëshiron?”
Ajo iu përgjigj:
“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”
22 Jezusi u përgjigj:
“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”
“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.
23 Jezusi vijoi:
“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”
24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:
“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”
Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Nxënësit refuzonin plotësisht mundësinë e vuajtjeve dhe vdekjes së Jezusit. Kishin qëndruar me të për disa vjet; ishin të uritur, të lodhur, ishin të gjykuar dhe të dënuar, madje edhe nga familjet e veta. Pas të gjitha këtyre, nuk është çudi pse nuk donin të dëgjojnë se Jezusi do të pësojë një vdekje të turpshme.
- Nëna e Gjonit dhe Jakobit gjithashtu nuk deshi të dëgjojë për këtë. Jemi të befasuar me pyetjen e saj, por ajo është mjaft njerëzore. Jezusi nuk e dënon as atë, as bijtë e saj pse po kërkonin vende nderi në Mbretërinë e tij. I kuptonte. Duke përdorur këtë rast ua jep një mësim të gjithëve, mësimin e një shërbimi vetë-sakrifikues.
Bashkëbisedimi
Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.
Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,
se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 5. Idealet Përgjigja e Kishës Katolike në Kosovë rreth pandemisë COVID-19 »