Të dish të përdorësh pasurinë për të mirën e përbashkët!

Mar 12 • Meditimi i ditës

12 mars 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 Leximet e ditës: Jer 17, 5-10; Ps 1, 1-4.6; Lk 16, 19-31)

 

Prania e Hyjit

“Ja, para derës qëndroj dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

Lutem hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur se çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 16, 19-31


19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ 25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, 28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ 29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kjo shëmbëlltyrë u është drejtuar udhëheqësve fetarë të kohës. Por kjo vlen për secilin prej nesh, veçanërisht për ata që janë të bekuar me privilegje, para, talente, arsimim etj. Nuk ka asgjë të keqe me të qenit i pasur në ndonjë nga këto mënyra. Mënyra se si ne i përdorim pasuritë tona është ajo që ka rëndësi e që lë pasoja përjetësisht.
  • Në botën moderne të gjithë ne e njohim Lazrin dhe me miliona si ai. Të uritur, të privuar, të dëbuar, të shfrytëzuar shtrihen para dyerve tona te bota e parë. Nuk ndihemi rehat kur dëgjojmë për ta dhe nevojat e tyre. Ashtu si njeriu i pasur në shëmbëlltyrë s`kemi asnjë justifikim.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »