Ti je i ftuar ta kultivosh e ta ruash Ungjillin!

Mar 13 • Meditimi i ditës

13 mars 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 37, 3-4.12-13a.17b-28; Ps 105, 16-21; Mt 21, 33-43.45-46)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mt 21,33-43.45-46

33 “Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër:

Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.

34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.

37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.

40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”

41 Iu përgjigjën:

“Të këqijtë do t’i shfaros keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”

42 Jezusi u tha:

“A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë:

‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit

u bë guri i këndit;

kjo është vepër e Zotit,

sa mrekulli në sytë tanë!’

43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!”[44].

45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta. 46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ne jemi vreshtarët në këtë shëmbëlltyrë. Hyji ka siguruar gjithçka që kemi nevojë për të çuar përpara vreshtin tonë. Hyji na edhe jep lirinë për të menaxhuar vreshtin siç dëshirojmë e zgjedhim ne, por – ai është vreshti i Hyjit. Duhet të jemi të ndjeshëm se çka dëshiron Hyji prej nesh. Kjo është lutja: për të njohur atë që Hyji dëshiron lidhur me jetën tonë.
  • Çfarë frytesh do t`i jap Hyjit?

 

Bashkëbisedimi

Talenti i të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.

Bëj që këtë dhuratë të mund ta përdori me dashamirësi.

Qofsha i ngadalshëm kundrejt fjalëve të vrazhda që plagosin,

kundrejt fjalëve të thëna në zemërim.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »