Coronavirusi zbulon të vërtetën e madhe të njeriut

Mar 15 • Opinion

Nga Don Anton Uka

 

Derisa po përballemi me Coronavirus, botën e ka kapluar frika dhe paniku për rrezikun që po e kanos shëndetin e trupit të njeriut. Ky angazhim dhe mobilizim i përbashkët – që është në harmoni të plotë me mësimin e krishterë – tregon vlerën që ka trupi ynë dhe përgjegjësinë që njeriu bart si për vetvetën ashtu edhe për të tjerët. Në situata të tilla krizash njeriu lehtë mund të mendojë se shëndeti i trupit është përcaktuesi i vetëm i jetës dhe i dinjitetit të njeriut.

Shkenca jep definicione të ndryshme në lidhje me këtë, ndërsa unë parapëlqej atë të Carlo Maria Martinit, i cili shëndetin e përkufizon si heshtje të trupit, nga e cila dilet kur sëmuremi, që d.m.th. në momentin që ndjejmë dhimbje fizike. Situata në të cilën gjendemi, na ka zgjuar nga heshtja, nga komoditetit dhe nga siguria se jemi të pamposhtur – duke parë arritjet dhe zhvillimet e mëdha shkencore, teknologjike dhe ekonomike – gjë që po rezulton e paaftë për të siguruar harmoni dhe qetësi në jetën e qytetarëve.

Shëndeti, heshtja dhe sëmundja janë tri fjalë me një domethënie të thellë për vetë faktin se janë realitete, në të cilat kohë pas kohe apo në mënyrë të vazhdueshme jeton trupi i njeriut.

Çka është shëndeti i trupit? Shëndeti është gjendje mirëqenieje fizike dhe psikike për shkak të funksionimit perfekt të organizmit. Nga ky definicion kuptojmë se shëndeti është një e mirë e madhe që duhet ruajtur dhe mbrojtur, pikërisht për arsye se e lejon funksionimin e trupit, që domethënë e lejon njeriun të jetë aktiv dhe produktiv në punët dhe ndërmarrjet e tija fizike, intelektuale dhe shpirtërore. Shëndeti lejon marrëdhënien e mirë dhe koordinimin e plotë të gjymtyrëve mes vete. Dëmtimi i njërës zgjon nga heshtja gjymtyrët tjera, që do të thotë se sëmundja e njërës rrezikon infektimin apo sëmundjen edhe të tjetrës. Shëndeti lufton vazhdimisht për t’u vetëmbrojtur (antitrupat) nga çdo sulm që mundohet t’i dëmtojë qelizat trupore. Më e madhja dhuratë, pas jetës, pa dyshim se është shëndeti apo harmonia trupore, psikologjike, shpirtërore dhe sociale e njeriut.

Çka është heshtja e trupit? Heshtja është sinonim i shëndetit apo e kundërta e zhurmës, e cila e lejon trupin e njeriut të funksionojë pa shqetësim, duke i dhënë atij qetësi, harmoni, paqe. Heshtja ia mundëson njeriut realizimin e kërkesave dhe dëshirave të thella të mendjes dhe zemrës. Ajo mundëson dëgjimin, kuptimin dhe ndërtimin e fjalës (jetës). Heshtja është ajo gjendje në të cilën ndodhej njeriu në fillimin e kohërave; është marrëdhënie e njeriut me Hyjin, me të tjerët dhe me vetveten. Heshtja, duket mbyllje, por në realitet është hapje. Është shëndeti i shpirtit dhe i trupit, pa të cilën do të kishim zhurmë të papërballueshme (vdekjeprurëse). Heshtja është jeta e trupit.

Çka është sëmundja e trupit? E kundërta e shëndetit është sëmundja. Kjo do të thotë se sëmundja është dalje nga heshtja e trupit; pra, është zhurmë, dhimbje, çrregullim, panik, frikë. Sëmundja e trupit – për faktin se është kërcënim i shëndetit – që në pamundësi shërimi sjell vdekjen (ndarjen nga trupi), detyrimisht përfshin pjesën psikologjike (ndjeshmërinë) dhe atë shpirtërore (shpresën) të njeriut. Në lidhje me këtë Carlo Maria Martini thoshte: “Sëmundja nuk është vetëm ‘zhurmë e organeve trupore’ – siç ka shkruar dikush – ; është edhe një zhurmë e mendimeve që më sulmojnë dhe torturojnë, duke dashur të më bindin se nuk jam më i dobishëm për askënd, nuk jam në gjendje të punojë, kam frikë se po bëhem barrë (ngarkesë) e të tjerëve, refuzoj të shërbehem nga të tjerët, të ndihmohem”. Sëmundja është dhimbje dhe dhembje (keqardhje) që shkakton “vetmi, vuajtje fizike dhe shpirtërore, nervozizëm, zhgënjim, dëshpërim, shqetësim, vështirësi komunikimi etj. Të gjitha këto dhurojnë një imazh mbi vetveten që më parë na ishte i panjohur” – theksonte Martini.

 

Sëmundja – vend ndarjeje

Duke qenë një e keqe në vetvete, sëmundja është e tillë edhe për të gjithë ata që në forma dhe mënyra të ndryshme janë të prekur prej saj. Megjithatë, duhet theksuar se ajo, nga aspekti shpirtëror dhe psikologjik, mund të ketë – dhe realisht ka – edhe  anën e sajë pozitive, për faktin se e qon njeriun te thelbësorja, ia zbulon rrënjën e së keqes dëshpëruese, e provokon përbrenda duke e nxitur që të rishikojë atë për të cilën ka jetuar dhe jeton.

Trupi, “derisa është në gjendje të mirë shëndetësore, nuk ka nevojë të interpretohet” – thoshte kardinal Carlo Maria Martini. Pra, Martini e konsideron sëmundjen si vend ndarjeje, dhe nëse nuk kuptohet domethënia e saj, e ka fuqinë ta shkatërrojë njeriun, për faktin se ajo “mund të bëhet akuzuese, duke e fajësuar atë përmes pyetjeve: Çfarë të keqe kam bërë? Pse më ka ndodhur pikërisht mua?”

Përmes pyetjeve të tilla, personi i prekur nga sëmundja, e paraqet vetën si viktimë të një padrejtësie që papritur ka trokitur në derën e tij dhe pa leje është futur në shtëpinë (jetën) e tij. Arsyet e kësaj ndjeshmërie mund të jenë të ndryshme. Njëra ndër to mund të jetë se njeriu brenda vetes bartë dëshirën e pavdekshmërisë, nganjëherë duke harruar se pavdekshmëria e trupit është iluzioni më i madh që njeriu mund t’ia krijojë vetvetes.

Pse-të e ndryshme që njeriu mund t’ia shtrojë vetvetes në përvojën e sëmundjes, nga njëra anë mund të shndërrohen në një kërkim të Zotit apo në një përvojë të thellë shpirtërore, që vërtet mund të jetë ngushëlluese dhe shpresëdhënëse për pacientin dhe personat që merren me shërimin e tij dhe nga anën tjetër e kanë fuqinë të shndërrohen në një përvojë vetëfajësimi, e cila lehtësisht mund ta shpie atë drejt mbylljes në vetvete, që me kalimin e kohës manifestohet përmes patologjive të ndryshme dhe shumë të rrezikshme për shëndetin e tij mendor. Me plot të drejtë Martini thoshte: “Në fakt vuajtja dhe sëmundja gjithmonë janë të vështira për t’u jetuar, por ato bëhen dyfishë më të vështira nëse nuk ia njohim domethënien, kuptimin”.

Kuptimi i vërtetë i sëmundjes dhe i vdekjes gjendet në personin e Jezu Krishtit, i cili me jetën (mrekullitë shëruese), mundimin (vuajtjen e pamerituar), vdekjen (humbjen e shëndetit) dhe ringjalljen e tij (kthimin e shëndetit në jetë) dëshmoi se ringjallja dhe jeta janë kryefjala e të gjitha sëmundjeve, vuajtjeve dhe vdekjeve të kësaj bote. Mjafton të besohet në premtimin e tij: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” (Gjn 11, 25).

 

Sëmundja: përvojë serioze

Sëmundja është përvojë serioze jo vetëm për arsye se mund të sjell pasoja të paparashikueshme për jetën e njeriut, por edhe për faktin se ajo e detyron njeriun të ketë qasje ndryshe nga ajo kur ishte i shëndoshë, si ndaj vetvetes, ashtu edhe ndaj të tjerëve dhe botës në të cilën jeton. Kështu që në sëmundje personi është i detyruar të reflektojë mbi ekzistencën e vet e të rishikojë imazhin që kishte krijuar mbi vetveten, në kohën në të cilën ishte në formë dhe shëndet të mirë.

Detyrimi apo obligimi, në pikëpamjen psikologjike, lehtë mund të shkaktojë ndjenja refuzimi dhe nervozizmi. Kështu që njeriu i prekur nga sëmundja detyrimisht hyn në konflikt me sëmundjen që papritur dhe pa pyetur e ka zgjuar nga heshtja trupin dhe mendjen e tij. Ky konflikt (refuzim) – duke qenë i vazhdueshëm dhe i paevitueshëm – dalëngadalë e detyron njeriun të merret me pyetjet ekzistenciale të jetës: Kush jam unë? Cili është qëllimi i jetës sime? Të jesh është një fat (bekim) apo një fatkeqë (mallkim)? Pse kam ardhur në këtë botë dhe ku shkoj pas vdekjes? A është më e logjikshme të besosh në jetën e përtejshme apo të mos besosh? A është më mirë të jetosh vetëm apo me të tjerët?

Përmes këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave të ngjashme me këto, njeriu fillon të reflektojë seriozisht mbi ekzistencën e vet. Fillon të jetë i mbushur me mendime (reflektime) me të cilat ndoshta asnjëherë më parë nuk është ballafaquar. Nga këto reflektime fillon rishikimi i imazhit që ka krijuar mbi vetveten dhe pyetet: Çfarë kuptimi ka shëndeti, profesioni, puna, pasuria, familja, shoqëria, grumbullimi i të mirave? Çfarë kuptimi ka jeta, nëse fundi i saj është sëmundja dhe vdekja? Këto pyetje e ndihmojnë personin të arrijë te e vërteta mbi vetveten: Unë jam i dobët, i pafuqishëm, i kufizuar. Unë kam nevojë për dikë që më ndihmon, më shëron, më ngushëllon. Unë kam nevojë, jo vetëm për medikamente (ilaçe) që mundohen ta shërojnë trupin, por edhe për një fjalë që e shëron shpirtin, mendjen dhe më ndihmon të shoh përtej situatës ekzistuese. Unë kam nevojë për Fjalën e mishëruar, për Zotin!

Në këtë qëndron serioziteti i sëmundjes, pikërisht për faktin se njeriu i sëmurë seriozisht (rëndë) e “eksperimenton ndryshe trupin e vet dhe thyeshmërinë (paaftësinë) e gjendjes njerëzore dhe mund të arrijë të vë në diskutim gjithçka duke u pyetur: çfarë kuptimi (vlere) ka të jetosh nëse pastaj duhet të vdesësh? – thoshte Martini.

 

Shërbëtori (trupi) rebelohet

Pandemia e shpallur me paraqitjen dhe përhapjen e shpejt të Coronavirusit dëshmon se sëmundja është diçka që prekë jo vetëm pjesën fizike (trupore) të njeriut, por – sidomos në ato raste që bëhet kërcënuese dhe vdekjeprurëse për trupin – ajo depërton në thellësinë e mendjes dhe të shpirtit. Kjo domethënë se sëmundja e ka një fuqi të heshtur, e cila është e aftë të përshkojë (prekë) tërësinë e njeriut: trupin, mendjen, shpirtin dhe marrëdhëniet e tija me të tjerët dhe me ambientin.

Sëmundja, në këndvështrimin martinjan, është më shumë sesa diçka, ajo konsiderohet si një ngjarje, në të cilën njeriu vetëdijesohet për nevojat mbizotëruese dhe për britmat (rënkimet) e trupit, i cili ka qenë, deri në një pikë (kohë) të caktuar, shërbëtor i devotshëm, i heshtur dhe diskret.

Është shumë interesante dhe e veçantë kur Martini fliste për sëmundja si një ngjarje. Çka domethënë kjo? Çfarë ngjarje apo çfarë eventi është sëmundja?

Imazhi që Martini përdorë për ta përshkruar trupin e shëndoshë është ai i shërbëtorit të devotshëm. Pra, ky shërbëtor i devotshëm(trupi) apo gjithmonë i gatshëm që t’i plotësojë dhe t’i kënaq nevojat dhe kërkesat e mia, në momentin apo periudhën që ndjen sëmundjen rebelohet, zgjohet nga gjumi, kërkon shërbimin, bëhet kërkues dhe shtron pyetjen: Çka është trupi im?

Pikërisht në momentin që trupi fillon të rebelohet, njeriu fillon të kuptojë se “përvojat jetësore, të cilat i supozonte instinktivisht si përvoja kënaqësie, posedimi dhe arritjeje, në një moment të caktuar manifestohen si përvoja privimi, pakënaqësie dhe dështimi” – thoshte Martini. Kur njeriu ndeshet më këtë përvojë fillon të kuptojë se nuk është pronar i vetvetes, nuk është pronar i trupit e as i fatit të tij. “Nuk jemi pronar as të mbarimit (përfundimit) tonë, sepse “trupi […] i përket Zotin” (1 Kor 6, 13).

Zbulimi apo kuptimi se trupi nuk qenka pronë absolute e njeriut, realisht ka dy rezultate: ose mund të shpie në dëshpërim dhe refuzim, për faktin e mospajtueshmërisë me një realitet të tillë, ose mund të shpie në ngushëllim dhe besim, për faktin se trupi i përket Hyjit, kështu që gjithçka është e Hyjit, është e çmueshme, e vlefshme, e shenjtë dhe e pavdekshme. Prandaj, edhe trupi i njeriut është i çmueshëm, i vlefshëm, i shenjtë dhe i krijuar për ngjalljen e lavdishme, që arrihet pikërisht përmes ngjalljes së trupit të Krishtit.

 

Sëmundja është pjesë e jetës

Nëse me fjalën apo shprehjen shëndet nënkuptojmë mirëqenien fizike, psikike, shpirtërore dhe sociale të personit, e cila i lejon atij të integrohet në ambientin e tij natyror dhe social, me fjalën sëmundje nënkuptojmë të kundërtën e shëndetit. Në këtë fjali, qëllimisht, kam sjellë tre emra: Personi, shëndeti dhe sëmundja, që realisht janë tri koncepte, jashtëzakonisht të thella, të cilat duhet t’i njohim, së paku në kuptimin e tyre të përgjithshëm, përndryshe nuk do të kuptonim njeriun, shëndetin e as sëmundjen e tij.

Tani, pa dëshiruar të futem në shpjegimin e thellë filozofik dhe teologjik të termit “Person”, por gjithmonë duke u mbështetur në të, mund të konstatoj se personi në tërësinë e tij është trup, shpirt, mendje dhe marrëdhënie sociale. Këto janë katër pjesët përbërëse të njeriut.

Trupi ia mundëson njeriut (personit) ekzistencën e tij historike dhe njëkohësisht e lejon atë të shpreh lidhjen apo marrëdhënien e tij me Krijuesin (Hyjin), me njerëzit tjerë dhe me natyrën. Njeriu, pikërisht duke u nisur nga trupi i vet, kupton jetën si një ngjarje që nuk vjen nga ai, por nga Dikush tjetër dhe realisht është e drejtuar drejtë Tij (Hyjit). Pra, trupi në shëndetin dhe sëmundjen e tij paraqitet si vend-zbulim i Autorit të vërtetë të tij. Trupi ia mundëson njeriut ekzistencën e tij fizike si dhe realizimin e tij, edhe pse në këtë botë është gjithmonë realizim parcial.

Shpirti është fryma e Hyjit përbrenda njeriut, që ia mundëson atij marrëdhënien me Të. Kjo frymë e bënë apo e lartëson njeriun, secilin njeri, në imazh dhe në shëmbëllesë të Hyjit; e aftëson të dojë, të vihej në marrëdhënie me Të dhe të ketë pjesë në shenjtërinë e Tij.

Mendja si inteligjencë, kujtesë, vullnet, liri, përgjegjësi dhe përzemërsi e aftëson njeriun të kuptojë, të kujtojë, të zgjedhë, të vuajë, të gëzojë, të dhurojë dhe të pranojë dashuri. Pra, falë mendjes njeriu mundet apo aftësohet ta interpretojë jetën dhe ngjarjet e saja.

Dimensioni social i njeriut është dëshmi se personi është i integruar në kozmos dhe është në marrëdhënie të vazhdueshme me Hyjin, me të tjerët dhe më krijimin (natyrën).

Pasi që kemi shpjeguar termin “Person” dhe dimensionet e pazëvendësueshme të tij, kuptojmë se shëndeti është një gjendje e mirëqenies komplete: fizike, mendore, shpirtërore dhe sociale, që do të thotë jo thjeshtë vetëm mungesë e sëmundjeve trupore apo fizike. Po ashtu kuptojmë se shëndeti është zgjatje drejt harmonisë fizike, psikike, shpirtërore dhe sociale e personit, që e aftëson njeriun të plotësojë misionin që Hyji ia ka besuar në jetën e tij. Pra, nëse më shëndet kuptojmë vetëm mirëqenien fizike (organike) të njeriut, kemi të bëjmë me një vizion zvogëlues që realisht e shkelë dinjitetin e vërtetë të personit, sepse kjo do të bënte që të harrojmë dimensionin psikologjik, sociologjik, etikë dhe shpirtëror të shëndetit të përgjithshëm të njeriut.

Pas kësaj paraqitje të sintetizuar mbi personin dhe shëndetin integral të tij, dëshiroj të kthehem te fjalët e Martinit, i cili në librin e tij mbi trupin flet për sëmundjen si pjesë të paevitueshme të jetës (përvojës) së njeriut. Pohimi i Martinit se sëmundja është pjesë e jetës, praktikisht domethënë se nuk ekziston sëmundja, por ekziston personi i sëmurë, ashtu sikurse nuk ekziston shëndeti në vetvete, por ekziston personi i shëndoshë. Në këtë vizion, sëmundja konsiderohet si ndërprerje, peshë, ngacmim dhe provokim për jetën e njeriut. Sëmundja “nuk është një aksident, por zbulimi i gjendjes normale të limitit apo kufizimit që është i pranishëm në çdo kënaqësi njerëzore, ajo është diçka që më përkufizon si qenie e thyeshme, e dobët dhe e pasigurt. Sëmundja zbulon qartësisht atë që është e fshehur në mua edhe atëherë kur jam mirë. Zbulon atë që e kam frikë: sëmundjen, sepse nuk dëshiroj që të dalë në dritë e vërteta e kufizimit dhe e varfërisë sime” – thoshte Martini.

Nuk duhet harruar se pikërisht në përvojën e sëmundjes dhe të frikës së infektimit dëgjohet fjala ngushëlluese e Jezusit: “Mos keni frikë” (Krh. Mt 4, 35- 41). Jezusi nuk e thoshte këtë për ta nënvlerësuar frikën e nxënësve të vet, por për t’i siguruar ata se realisht është dikush më i madh dhe më i fuqishëm se rreziqet që mund ta kërcënojnë shëndetin (harmoninë) tonë. Thirrja mos keni frikë, është thirrje në besim e vlefshme për të gjithë, sidomos sot kur po jetojmë në frikë dhe panik nga kjo pandemi e quajtur coronavirus../drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »