Mendime të Papa Françeskut për mjekët dhe infermierët, samaritanë të mirë

Mar 15 • Opinion

Po ju propozojmë disa reflektime të Papës Françesku mbi punën jashtëzakonisht të rëndësishme të personelit shëndetësor, që, në këto kohë kaq të vështira, është në vijën e parë të frontit kundër pandemisë së koronavirusit.

 

Në këto ditë sprove të rëndë, për shkak të përhapjes së Covid-19, pavarësisht nga dekretet qeveritare, ka njerëz që nuk mund të rrinë në shtëpi. Janë mjekët, punonjësit shëndetësorë dhe infermierët. Shtëpi u janë bërë reparti i spitalit, njësitë e terapisë intensive, ku ata përballen me një armik, që kërcënon në heshtje gjithë botën.

E në këto llogore, ka rrezik të sëmuren. Vënë jetën në rrezik për të shpëtuar jetë të tjera dhe bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar dhe asistuar ata që vuajnë, larg nga të dashurit e tyre. Kalojnë ditë dhe netë në spitale e klinika, ku fluksi i pacientëve, që presin trajtim, është i pandërprerë. Shohin çdo ditë rezultatet e testeve, që konfirmojnë raste të reja infektimi. Kërkojnë pa ndërprerje e deri në dëshpërim pajisje për t’u shpëtuar jetën sa më shumë njerëzve. E pavarësisht nga lodhja e mundimi, gjejnë fjalë ngushëlluese dhe inkurajuese për të gjithë. Përballojnë rraskapitjen dhe zhgënjimin, por nuk dorëzohen, sepse i tyri nuk është një profesion i thjeshtë. Puna e mjekëve dhe infermierëve është mision.

 

Mirënjohja e Papës Françesku

Gjatë papnisë së tij, Françesku e ka theksuar disa herë vlerën e jashtëzakonshme të misionit të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shëndetësisë, në të gjitha nivelet. Në këtë periudhë pandemie nga koronavirusi, Papa ritheksoi mirënjohjen e tij, në veçanti për shërbimin ndaj të sëmurëve: në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mendimi i Papës shkoi tek ata, që u rrinë pranë njerëzve që vuajnë.

“Falënderoj sinqerisht personelin spitalor, mjekët, infermieret dhe infermierët, vullnetarët, që në këtë çast shumë të vështirë, janë përkrah njerëzve të vuajtur. Falënderoj gjithë të krishterët, gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë, që luten të bashkuar, pavarësisht nga tradita fetare të cilës i përkasin. Ju faleminderit shumë për këtë përpjekje”.

 

Një rol i pazëvendësueshëm

Ndër ata, që japin kontributin e tyre në sektorin e shëndetit, Papa ka kujtuar shpesh rolin thelbësor të mjekëve dhe të infermierëve. Më 3 mars 2018, duke takuar anëtarët e Federatës së kolegjeve të infermierëve profesionistë, asistentëve shëndetësorë, mbikqyrëseve të fëmijëve (Ipasvi), Françesku theksoi se profesionaliteti i tyre shihet “jo vetëm në fushën teknike”, por sidomos “në sferën e marrëdhënieve njerëzore”. Duke qenë në kontakt me mjekët dhe me anëtarët e familjes, përveç se me të sëmurët, infermierët bëhen “pikë takimi për një mijë marrëdhënie, që kërkojnë vëmendje, kompetencë dhe ngushëllim, në spitale, në vendet e kurimit dhe në shtëpi”.

“Është vërtet i pazëvendësueshëm roli i infermierëve në ndihmën për të sëmurin. Si asnjë tjetër, infermieri ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme me pacientët, kujdeset çdo ditë për ta, i dëgjon nevojat e tyre dhe hyn në kontakt me trupin e tyre, për të cilin bën ç’është e mundur”.

 

Në rini, Papa u shpëtua nga një murgeshë infermiere

Edhe në jetën e Papës Françesku kanë qenë vendimtare profesionaliteti dhe përkushtimi, që dallojnë punën e çmuar të veprimtarëve të shëndetësisë. Gjatë takimit të vitit 2018 me anëtarët e Federatës Ipasvi, Papa kujtoi në veçanti një infermiere, një murgeshë italiane dominikane, që i pati shpëtuar jetën në rininë e vet:

“Kur unë, në moshën njëzet vjeçare, isha në prag të vdekjes, ishte ajo që u tha mjekëve, madje duke diskutuar me ta: ‘Jo, kjo nuk shkon, duhet t’i japim më shumë’. Dhe falë atyre gjërave, mbijetova. E falenderoj shumë! Faleminderit! E dua t’ia them emrin këtu, përpara jush: motër Cornelia Caraglio. Grua e mirë, e guximshme, e ngriti zërin me mjekët. E përvuajtur, por e sigurt për atë që bënte. Shumë e shumë jetë shpëtohen falë jush! Sepse qëndroni aty gjithë ditën dhe shihni se ç’ndodh me pacientin”.

 

Duar të bekuara

Mikpritja dhe përkujdesja janë dhurata të bekuara nga Zoti. Françesku, duke takuar familjen e spitalit “Bambino Gesù”, më 16 nëntor 2019, theksoi se duart e atyre, që kujdesen për të sëmurët, janë të bekuara. E fjalët e Atit të Shenjtë u pasuan nga bekimi i veçantë: “O Zot, bekoi duart e mjekëve dhe të infermierëve, që ata t’i ndihmojnë fëmijët e sëmurë, gjatë shtrimit në spital, për të dalë nga sëmundja”.

 “Ju mjekët, kirurgët dhe infermierët i përdorni duart si mjet shërimi. Qofshi gjithnjë të vetëdijshëm për këtë bekim të Zotit për duart tuaja. Aftësia juaj për t’u kujdesur në këtë mënyrë për të tjerët është dhuratë për ju dhe për njerëzit, që ju janë besuar. E njëkohësisht, të dashur doktorë dhe infermierë, mos mungoni të jepni kontributin tuaj profesional dhe të veproni me zell, që të ruhet veçoria tipike e këtij institucioni”.

 

Viti i Infermierëve dhe i Mamive

Edhe në raste të tjera, Papa Françesku ka folur për rolin e padiskutueshëm të mjekëve dhe infermierëve, që ua japin duart e tyre Zotit, që Hyji i Gjithpushtetshëm t’i përdorë për të na i shëruar plagët. Prandaj, i ka këshilluar gjithnjë të ushtrojnë mjekësinë e dhembshurisë, pa bërë dallime e pa përjashtuar ata, që nuk mund t’i paguajnë shërbimet shëndetësore, të kujdesen për njeriun në tërësi, trup e shpirt, e të shërbejnë pa e kthyer profesionin e tyre në biznes. Më 19 janarin e këtij viti, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se viti 2020 është caktuar, në nivelin ndërkombëtar, si “Viti i Infermierit dhe i Mamisë”.

“Infermierët janë punonjësit shëndetësorë më të shumtë e më afër të sëmurëve, ndërsa mamitë bëjnë, ndoshta, profesionin më fisnik të botës. Të lutemi për të gjithë këta që ta kryejnë sa më mirë punën e tyre të çmuar”. (radio vatikani)/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »