Kungimi shpirtëror

Mar 17 • Këndvështrime

Nëse nuk mund të shkoni në Meshën e Shenjtë për ndonjë arsye, siç po e kalojmë këtë kohë të COVID-19, kur besimtarët nuk mund të marrin pjesë fizikisht në meshë, Kungimi shpirtëror mund t’ju ndihmojë të qëndroni në bashkim me Zotin. Kjo është dëshira e zjarrtë e përbrendshme e besimtarit për t’u ushqyer me Krishtin.

 

Të gjithë ata që ndodhen në rrethana dhe vështirësi të ndryshme, sidomos të moshuarit dhe të sëmurët, që shumë dëshirojnë të marrin pjesë në festimet liturgjike dhe në devocione të ndryshme, kungimi shpirtëror mund të shërbejë si një mënyrë bashkimi me Zotin.

Mbi të gjitha, duhet të besoni me vendosmëri në Jezusin Eukaristik, në praninë e Tij aktuale në hosten e shuguruar, dhe mbi të gjitha, ta doni dhe flaktë ta dëshironi Atë. Kjo dëshirë e madhe për Të na bashkon shpirtërisht. Kështu mendon edhe Shën Gjoni i Kryqit.

Shën Alfons Liguori na këshillon bukur se si do të duhej të lutemi: “Jezusi im, besoj me vendosmëri se je i pranishëm në të Shenjtërueshmin Sakrament. Unë të dua mbi gjithçka dhe me afsh dëshiroj të bëhem një me Ty. Meqenëse nuk mund të të marr në Kungimin e Shenjtë tani, të lutem që të vish të paktën në mënyrë shpirtërore në zemrën time. … Tani ke ardhur dhe unë po të pranoj duke të të përqafuar dhe po bashkohem plotësisht me Ty. Mos lejo që ndonjëherë të ndahem prej Teje.”

Ne mund ta marrim kungimin e shenjtë shpirtëror sa herë që duam dhe në çdo kohë të ditës.

Në biografinë e Shën Katerinës së Sienës lexojmë se Jezusi në një vegim i tregoi asaj se sa e kishte për zemër kungimin shpirtëror.

Shenjtëresha mendonte se kungimi shpirtëror nuk kishte asnjë vlerë krahasuar me kungimin sakramental. Jezusi iu shfaq asaj me dy kelke në duar dhe i tha: “Në këtë kelk të artë unë i vendos të gjitha kungimet e tua sakramentale; në kelkun e argjend i vendos të gjitha kungimet e tua shpirtërore. Të dyja këto kelke janë shumë të dashura për mua.”

Për Shën Margaret Mary Alacoque (Alakok), e cila në mënyrë shumë të qëndrueshme dhe flaktë e dëshironte Jezusin në Tabernakull, Jezusi njëherë i pat thënë: “Dëshira e një shpirti për të më marrë mua është aq e ëmbël sa unë i vij gjithmonë, kur më thërret me dëshirë të madhe.” Për këtë arsye shenjtërit e kanë dashur dhe vlerësuar kungimin shpirtëror. Ata donin që “të ishin gjithnjë një me të Dashurin”. Vetë Jezusi tha: “Banoninë mua sikurse edhe unë në ju.” (Gjn 15,4)

Kungimi i Shenjtë Shpirtëror na ndihmon të qëndrojmë të bashkuar me Jezusin edhe kur ndoshta ndodhemi larg vendbanimit të Tij.

Nuk ka asnjë mjet tjetër që mund të shuajë dëshirën e shenjtorëve për Jezusin. Psalmisti do të thotë: “Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!“ (Ps 42,1)

“O i fejuari im i dashur,” klith Shën Katerina e Xhenovës, “Unë e dëshiroj aq shumë atë gëzim që të jem me ty. Unë madje mendoj, sikur edhe të vdisja, se si do të duhej të ringjallesha që të mund të të pranoja Ty në kungimin e shenjtë.”

Shën Agata e Kryqit e ndiente aq fort dëshirën e zjarrtë, që të ishte gjithnjë e bashkuar me Jezusin Eukaristik, saqë ajo thoshte: “Po të mos më kishte mësuar rrëfyesi im se si të kungohem shpirtërisht, nuk do të kisha mundur të jetoja.”

Gjatë ditës, është mirë t`i kujtoni këshillat që Shën Piu ia pat dhënë bijës së tij shpirtërore: “Nëse nuk mund të bësh ndryshe gjatë ditës, thirre Jezusin dhe në mes të gjithë punës që bën, ftoje atë me një shpirt mallëngjimi dhe Ai do të vijë. Me fuqinë e hirit dhe dashurisë së tij ai do të mbetet gjithmonë me ty. Në shpirt, shko te Tabernakulli, nëse nuk mundesh fizikisht, dhe atje lejo që lirshëm të shfaqet dëshira jote e zjarrtë dhe pranoje Jezusin tënd të dashur duke e përqafuar. Kjo është më mirë sesa ta pranosh atë në Eukaristinë e shenjtë.”

Të përfitojmë nga kjo dhuratë e shkëlqyeshme, veçanërisht në kohën e tundimit ose braktisjes, vetmisë. Çfarë është më e vlefshme se bashkimi me Jezusin në kungimin shpirtëror? Ky ushtrim i shenjtë mund të mbushë ditët tona me dashuri; na vendos në përqafimin e butë të Jezusit aq herë sa duam dhe mund të na çojë në një bashkim të vazhdueshëm me Të.

Shën Angela Meriqi nuk mundte pa kungimin shpirtëror. Ajo shpesh kungohej shpirtërisht dhe inkurajonte të tjerët dhe ua pat lënë këtë ushtrim të mrekullueshëm bijave të saj si trashëgimi.

A nuk ishte jeta e Shën Françesk Salesit një zinxhir unik i kungimeve shpirtërore? Synimi i tij ishte të merrte kungimin e shenjtë shpirtërore “të paktën çdo çerek ore”.

Shën Maksimilian Kolbe kishte të njëjtin qëllim që në moshë të re, dhe shërbëtori i Zotit Andre Beltramini na la në ditarin e tij një faqe të shkurtër ku flitet për mënyrën e tij të jetës, për kungimin e tij të vazhdueshëm shpirtëror dhe bashkimin me Jezusin Eukaristik. Ai shkruan: «Kudo ku jam, mendoj vazhdimisht për Jezusin Eukaristik. Dua t`i përqendroj mendimet e mia te Jezusi në Tabernakull, dhe nëse zgjohem natën dhe kudo që ndodhem, dua ta adhuroj Jezusin në të Shenjtërueshmin Sakrament të Altarit, dua ta thërras Atë dhe t’ia kushtoj të gjithat.”

Gjatë natës, Shenjtorët e dinin mirë dhe ndienin se sa i madh është hiri të bashkohesh shpirtërisht me Jezusin. Ata ishin të vetëdijshëm se po i shprehnin dashuri Atij edhe në këtë mënyrë. Shën Bernardina i kishte kërkuar një motre të saj ta zgjonte natën nëse do ta merrte gjumi, “sepse dëshironte të kungohej në mënyrë shpirtërore.”

Ndërsa Shën Rocco në Montpellier (Montpelje) po vuante një burg 5-vjeçar sepse mendonin se ishte një rrugaç i rrezikshëm, ai gjithmonë e kthente shikimin e tij të lutjes drejt dritares. Një herë, roja e kishte pyetur: «Pse po shikon nga dritarja?» Shenjtori iu përgjigj: «Unë shoh kullën e kishës.» Kjo kullë ishte një shenjë e Tabernakullit dhe dashuria e tij për JezusinEukaristik. Dhe, Prifti i Shenjtë i Arsit u thoshte besimtarëve: “Kur të shihni kullën e një kishe, thoni: ‘Jezusi është atje sepse prifti e ka kremtuar meshën e Shenjtë atje`.”

Të mësojmë edhe nga shenjtorët. Le të na ndihmojë ndërmjetësimi i fuqishëm i tyre dhe zemrat tona të digjen me flakën e dashurisë së zjarrtë që digjej në zemrat e tyre. Le ta praktikojmë këtë dhe shpesh të kungohemi shpirtërisht, veçanërisht në periudhat më të vështira të ditës. Atëherë flaka e dashurisë do të ndizet edhe në ne. Është shumë ngushëlluese ajo që na thotë Shën Leonardi i Porto Maurizias: “Nëse ushtroni shpesh gjatë ditës për të marrë kungimin shpirtëror, unë ju jap një muaj dhe zemra juaj do të ndryshohet plotësisht.”

Shpirtrat që dëshirojnë me mall të bashkohen me Jezusin mund ta bëjnë këtë edhe shpirtërisht. Kungimi shpirtëror nuk mund të zëvendësojë kungimin e shenjtë sakramental, por mund ta plotësojë atë.

 

Lutja e Kungimit Shpirtëror

Jezusi im, besoj se je i pranishëm në të Shenjtërueshmin Sakrament.

Shpresoj në Ty dh e të dua mbi gjithçka.

Nga dashuria që kam për Ty, pendohem me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që kam bërë

dhe po të premtoj se do të ruhem prej çdo mëkati.

Shpirti im të kërkon; mirëpo pasi që tash nuk kam mundësi të të marr realisht në të Shenjtërueshmin Sakrament,

eja tek unë, të paktën, në mënyrë shpirtërore.

 

Tani në heshtje mendo se si Jezusi është i pranishëm në ty në mënyrë shpirtërore dhe lutju atij:

 

Jezusi im, po të adhuroj sikur të ishe vërtetë i pranishëm

me trupin tënd tejet të shenjtë në shpirtin tim

dhe po bashkohem plotësisht me Ty.

Mos lejo që të ndahem asnjëherë prej Teje.

Bekimi Yt i shenjtë zbrittë mbi mua dhe mbettë përherë me mua. Amen./drit.info

 

 

Përgatiti për Dritën: Don Shtjefën Dodes

Shpërndaje

Comments are closed.

« »