Kur historia ta jep mesazhin e madh

Mar 17 • Opinion

Nga Prend BUZHALA

 

Thuhet se shpesh historia jep mesazhin e saj të madh, ashtu si njerëzimi nuk e pret, krejt rastësisht. Nuk ka rëndësi, nëse këtë mesazh dje e kishin përcjellë profetët, mitet, legjendat, apo sot: të përcillet sipas Vetëdijes Unike Njerëzore.

1.
Semantema e një virusi pandemik i përtashëm, sikur na thotë:
vjen një çast kur ti merr përgjegjësinë për gjithçka,
njeri, ti je shkaktari i këtij virusi vdekjeprurës,
ti mund të jesh helmuesi i fëmijës tënd, i familjes sate, i miqve tu,
ti je shkaktari i luftërave, i vrasjeve, i gjenocideve, i së keqes.
A ke aftësi të përmbahesh nga e keqja?
Dhe ja mesazhi i madh historik: e ç’të duhet të bësh në këso situatash, krejt papritur, kur njeriu matet me tragjedinë e vet, me mungesat e veta? Kur secili prej nesh ishte një aktor në atë ngjarje joaksidentale (luftërat, konfliktet)…
Ndërsa tragjedia ndodh, ndodh me vlerësimin që ia jep Çmimin e kushtueshëm jetës apo sakrificës, ndodh mu aty ku kërkohet shlyerja e një borxhi jorastësor.
“Asgjë nuk ndodh rastësisht”, na thonë jo pak njerëz të urtë.
E mandej, kur gjithçka ndodh, kot do ta kërkosh pasqyrën e dëmeve; kot atdheu yt (nëse do të kesh atdhe) e kërkon një raport të hollësishëm të humbjeve, dëmeve, tragjedive, pasojave… nuk do të kesh kohë për raporte të tilla, statistika, numra… ndërsa njerëzit vdesin nga e padukshmja.
E padukshmja të hakmerret. “Vendosja e qëllimeve është hapi i parë për shndërrimin e të padukshmes në të dukshmen”, thotë Toni Robbins, një autor bashkëkohor amerikan. E rëndësishme është që të çpështillen fijet (biznesore globale, apo të intrigave) të një veprimi makabër në prapaskenë. Aty ku janë burimet e së keqes. Po e përsëritim: nuk ka rëndësi, nëse këtë mesazh dje e kishin përcjellë profetët, mitet, legjendat, apo sot: të përcillet sipas Vetëdijes Unike Njerëzore. Nëse njeriu i djeshëm të padukshmen e forcave njerëzore e identifikonte me të panjohurën në natyrë, dhe kërkonte mbështetjen e perëndive, atëherë, mbasi i shembi po ky njeri mitet, legjendat, perënditë, ku do ta gjejë mbështetjen? A do ta gjejë te ato shtylla të vetëdijes tashmë të shembura për tokë? Njeriu e ka shembur edhe atë që e kishte më të çmuarën te vetvetja: Vetëdijen, Ndërgjegjen…
E çka do të lindë pas kësaj vdekjeje?
Postmoderna?
Paj, postmodernja, tashmë e thonë vetë teoricienët e saj: ajo është ndërgjegjja e vetëshkatërrimit, vetëzhdukjes, vetëshuarjes…

2.
Ndërsa natyra na e përcjell mesazhin e saj: po qe se e helmon ajrin jetësor për frymëmarrje, që të është dhënë si çmim i jetës; atëherë, si shpërblim merr atë që ti me duart tua e mbjell.
A thua, a vdes solidarësia, kur secili është i rrezikuar? Apo edhe në këtë betejë përsëri humbësit e shkaktarët e humbjes jemi ne? Me ngritje çmimesh, me mungesa ilaçesh e artikujsh ushqimorë. Përsëri qenia njerëzore e ndjell katastrofën, dhe jo solidarësinë…
E njerëzimi nuk do të reshtë së kërkuar shpirtësinë. Shkrimtari do të thoshte: ma dhuro një kafshore të zemrës…
Ta bëjmë natyrën që t’i ketë ngjyrat e shpirtit tonë, thotë një tjetër krijues./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »