Liturgjia e Orëve – lutja zyrtare dhe publike e Kishës

Mar 19 • Këndvështrime

Gjatë këtyre ditëve të ngujimit të njerëzve për shkak të COVID-19, Kisha jonë po bën përpjekje që besimtarët katolikë e jo vetëm, t’i përcjell me lutje dhe liturgji, nëpërmjet mjeteve të komunikimit. Në këtë mënyrë mund të marrin pjesë shpirtërisht në distancë në vepra liturgjike. Përveç Meshës së Shenjtë – Eukaristisë me lutjen e mbrëmësores, për çdo mëngjes lusim bashkë lavdet e mëngjesit, që janë pjesë të liturgjisë katolike. Këto lutje bëjnë pjesë në Liturgjinë e Orëve (Divinum Officium), e cila është një lutje zyrtare dhe publike e Kishës Katolike. Në këtë shkrimin tonë po japim një shpjegim të përgjithshëm për rëndësinë, strukturën dhe mënyrën si lutet.

 

 

Ç’është Liturgjia e Orëve

Liturgjia e Orëve (Divinum Officium)  është lutje zyrtare dhe publike e Kishës. Është vepër liturgjike në kuptimin e plotë të fjalës, e cila lutet/recitohet/këndohet zakonisht në bashkësi, në kor. Shën Bonaventura thoshte se “Divinum Officium imitatio est coelestis concentus” (shq. Liturgjia e orëve është t’përngjamit e koncertit qiellor).

Liturgjia e Orëve është lutje e personave të kushtuar: meshtarëve (ipeshkvijve) dhe rregulltarëve/eve. Kur një ipeshkëv, një meshtar apo një rregulltar/e e reciton apo e këndon liturgjinë e orëve, ai/ajo bëhet një zëdhënës/e i/e të gjithë besimtarëve para Zotit. Çdo prift me librin e liturgjisë së orëve në dorë është si një ambasador i Zotit në tokë, i pajisur me kredenciale dhe autoritet, që e ngarkojnë me mision për të shpallur lutjen e adhurimit dhe të falënderimit  (A. B. O’Neill).

Edhe kur liturgjia e orëve lutet vetëm (pa bashkësi e kor), duhet të kemi parasysh, se kurrë nuk jemi vetëm, sepse në ato momente është duke u kryer një vepër e Kishës dhe me Kishën. Ndonëse fizikisht mund të jesh vetëm, në ato çaste e gjithë Kisha është e bashkuar në lutje me ty (Ecclesia Orans/Kisha në lutje). Në këtë kuptim, liturgjia orëve nuk është një veprim privat, por i përket të gjithë Trupit të Kishës.

Liturgjia e orëve nuk është një ekskluzivitet i të kushtuarve. Kësaj lutje mund t’i bashkohen edhe besimtarët laikë, jo të kushtuarit – madje një gjë e këtillë edhe porositet nga Kisha. Praktika gjithandej e Kishës nëpër botë ka treguar se besimtarët laikë të përshpirtshëm që e lusin liturgjinë e orëve janë shumë të kënaqur dhe ndjehen të bashkuar me Kishën universale në të gjithë botën, e ndjejnë më fort Kishën (sentire cum Ecclesia) si një familje e vetme që i përkasin.

Zakonisht, për besimtarët laikë Kisha porositë të luten orët kryesore: lavdet e mëngjesit dhe mbrëmësorja.

Kuptimi dhe qëllimi i Lutjes së Liturgjisë së Orëve është që ta shenjtërojmë (me lutje) rrjedhën e ditës dhe njeriun, që është qëllimi kryesor i liturgjisë. Në këtë mënyrë, ne bëhemi liturg të kohës, e shenjtërojmë kohën dhe atë e kuptojmë si kairoskohë shpëtimi. Koha, që na dhurohet, është e mbushur me dashurinë e Zotit e na përfshin neve me ritme hyjnore. Në kohë ne bëhemi pjesë e një historie të dashurisë së Zotit, e bashkë me Të, i japim/dhurojmë asaj një sintoni, harmoni melodioze. Sepse, derisa lutemi, ne i ri-japim jetë kujtesës – kujtesës së dashurisë së Zotit – e bëjmë të pranishëm dashurinë e Tij, atë që Ai e ka kryer dhe atë që e kryen paprâ në jetën e Kishës, dmth. në secilin prej nesh.

Të jesh liturg i kohës, do të thotë, të kremtosh dashurinë e Zotit për njeriun, të trasosh shtegtimin e jetës së këtushme me Hyjin që ndërton historinë e botës bashkë me ty; ta bësh të pranishëm e ta lejosh të jetë i pranishëm Hyji në rrjedhën e ditës, javës, muajit e viteve. Të jesh liturg i kohës, do të thotë ta bësh kohën kairos.

 

Grishja e Jezusit për lutje

Ungjijtë na tregojnë si Jezusi tërhiqej shpesh në shkretëtirë dhe në mal e atje lutej (Mk 1, 35; 6, 46), por këtë e bënte edhe kur zgjohej herët në mëngjes, në agim (Mk 1, 35); apo edhe tërë natën e kalonte në lutje drejtuar Atit (Lk 6, 12; Mt 14, 23. 25).

Jezusi na ka ftuar që t’i përngjajmë Atij, ta imitojmë shembullin e tij, në lutje të përhershme e të paprâshme, pa u lodhur (Lk 18, 1; 1 Sel 5, 17). Një lutje e përvujtë, vigjilente, e qëndrueshme, besëtare në mirësinë e Atit – është shenjë e besimtarit. Apostujt shpesh kanë kujtuar këtë dëshirë dhe urdhër të Jezusit. Ata i shohim të bashkuar në uratë në orën e tretë (Vap 2, 1-15). Vetë Pjetri “rreth orës gjashtë, u ngjit në tarracë për t’u lutur” (Vap 10, 9). Gjithashtu, “Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë” (Vap 3, 1). Bashkësia e krishterë ishte e kujdesshme e pa përtesë në lutje/uratë e në dëgjimin, përvetësimin e mësimit të Apostujve (Vap 2, 42). Kjo praktikë, veprim ishte i pranishëm që në fillim, kur ende ishte gjallë Maria, Nëna e Krishtit (Vap 1, 14).

 

Struktura përbërëse e Liturgjisë së Orëve

Liturgjia e Orëve ka 4 vëllime/libra, që përshtaten me vitin liturgjik të Kishës Katolike Universale.

Liturgjia e Orëve është e organizuar në orë/çaste të ndryshme, që e ndan ditën në 5 çaste, që latinisht janë quajtur officium. Secila orë/officium është e paraparë për një çast të veçantë të ditës, pikërisht për ta shenjtëruar të tërën. Edhe pse do të duhej të luteshin secila orë në momentin e caktuar, megjithatë kjo nuk do të thotë se “për shkaqe objektive” ajo nuk mund të lutet edhe në orë tjera të volitshme për lutësin.

Referenca kryesore e Liturgjisë së Orëve në të gjitha pesë çastet, janë 150 psalmet. Psalmet janë lutje dhe këngë të Besëlidhjes së Vjetër, të popullit të Zotit, që i këndonin në shërbesat e tyre në Tempull, Sinagoga. Ato shprehin një gamë të madhe e të shumëllojshme të shpirtit të lutjes. Vetë Jezusi i lutte ato, e të njëjtën e kanë bërë edhe apostujt, kisha e parë. Kjo traditë është ngulur fort në jetën e kishës deri në ditët e sotme.   

Renditja e lutjeve:

  • Shërbesa e Leximeve
  • Lavdet e Mëngjesit
  • Ora e Mesme
  • Ora e Gjashtë
  • Ora e Nëntë
  • Mbrëmësorja
  • Pasmbrëmësorja

 

Shërbesa e leximeve

Është ora e parë, e paraparë të lutet në orët e hershme të mëngjesit (në agim). Përherë fillohet me një himn. Pas tre psalmeve, lexohen dy lexime më të gjata se në orët tjera. Leximi i parë është një pjesë e përzgjedhur nga Shkrimi i shenjtë, kurse i dyti një fragment nga Etërit e Kishës/Patristika (shpesh edhe ndonjë pjesë e dokumenteve zyrtare të Kishës), apo e ndonjë shenjti. Kur bie një festë e një shenjti, atëherë zakonisht pjesa nga etërit e kishës, zëvendësohet nga ndonjë shkrim i shenjtit që kremtohet. Përfundon me lutjen përmbyllëse.

Kadenca apo ritmi i psalmeve është nga cikli i javëve, kurse dy leximet e përcjellin ciklin vjetor.

 

Lavdet e Mëngjesit

Është ora/lutja e mëngjesit dhe lutet në fillim të ditës. Struktura e kësaj ore e ka këtë rrjedh: ftesa, himni, tre psalme (që i paraprijnë antifonat), leximi i shkurtër (nga Bibla), përgjigja e shkurtër, kënga ungjillore (benedictus), lutja e besimtarëve, Atiynë, lutja përmbyllëse.  

Lavdet e mëngjesit kanë një cikël katërjavor; janë katër javë që e kanë të njëjtin ritëm dhe përsëriten. Por e diela, i ka antifonat e veta të veçanta para këngës ungjillore (në përgjithësi ajo i kujton leximet e të dielës përkatëse) dhe lutja e veçantë përmbyllëse.

 

Ora e mesme

Është ora që lutet gjatë ditës, sipas orareve të caktuara, varësisht nga orët e përzgjedhura. P.sh. në orën 9 të ditës e deri në mesditë, lutet ora e tretë; në mesditë (e deri në ora 3) bie ora e gjashtë; në orën 3 pasdite (deri në ora gjashtë) lutet ora e nëntë. Këto janë orë treguese, jo detyruese. Në përgjithësi lutet vetëm njëra (vetëm e treta, vetëm e gjashta ose vetëm e nënta).

Fillon me tre psalme, që janë të përbashkëta për tre orët. Nëse do të luten më shumë se një orë, atëherë merren psalmet përplotësuese.

Leximi i shkurtër dhe lutja e besimtarëve varën nga ora që lutet, pasi secila e ka të vetën. Edhe kjo orë ka ciklin katërjavor, përveç në kohë të forta liturgjike, kur mund të kenë ndonjë ndryshim.

 

Mbrëmësorja

Është ora/lutja e mbrëmjes, saktësisht në perëndim të diellit. Ka strukturën e njëjtë si lavdet e mëngjesit. Pas leximit të dy psalmeve, lexohet kënga nga Besëlidhja e Re, pastaj vjen leximi i shkurtër, përgjigja e shkurtër, kënga ungjillore (Magnificat), lutja e besimtarëve, Atyuna dhe lutja përmbyllëse.

Mbrëmësorja ka ciklin katërjavor, të njëjtin si Lavdet e Mëngjesit.

 

Pasmbrëmësorja

Është lutja e mbarimit të ditës. Lutet para se të biem në gjumë. Latinisht e quanin compieta, që do të thotë përmbush, përmbarim, përfundoj. Është lutja e fundit e Liturgjisë së Orëve, dhe lutet si falënderim drejtuar Zotit për gjitha bekimet, hiret që i kemi përjetuar gjatë një dite dhe kërkojmë një pushim të qetë e të rehatshëm.

Zakonisht në kohën e lutjes së pasmbrëmësores bëhet shqyrtimi i ndërgjegjes; secili lutës e gjen çastin për ta bërë këtë akt: mund ta bëjë para, pas leximit të shkurtër, ose në fund të lutjes. Porse më e preferuar do të ishte të bëhej në fillim, e pastaj atë që kemi zbuluar gjatë shqyrtuar e paraqesim në lutje.

Struktura e kësaj ore e ka këtë rrjedh: ftesa, himni, dy psalme, leximi i shkurtër, përgjigja e shkurtër, kënga e Simonit (Nunc Dimittis), lutja përmbyllëse, dhe përfundon me një lutje Virgjërës Mari (Të Falem Mari, Nën Mbrojtjen tënde, Të falem Mbretëresha etj.)./drita.info

  

Përgatiti për Dritën: Don Fatmir Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »