Ta jetosh fenë në trekëndshin e dashurisë: Zoti – i afërmi – unë!

Mar 20 • Meditimi i ditës

20 mars 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Oz 14, 2-10; Ps 81, 7-11.14.17; Mk 12, 28b-34)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar që të jem i/e përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të të ndjek.

Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Ndërgjegjësimi

Ku, në ç` gjë në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?

Nëse i kam vërejtur këto lëmi,

do të vendosi që në të ardhmen do të siguroj për to hapësirë dhe kohë.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 12, 28-34

28 Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti:

“Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. 30 Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’

31 Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”

32 Skribi u përgjigj:

“Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. 33 Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, ’ vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.”

34 Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha:

“Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.”

Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

 

Ç` po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Lutja e sinqertë, reale, e vërtetë na çon në Mbretërinë e Hyjit – në lutje Mbretëria e Hyjit rritet brenda nesh.
  • Lutja që nuk e arrin zemrën, që nuk bëhet me zemër, mund të na lë të thatë, të pakënaqur dhe të pa interesuar për gjërat e Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Për çka jam i/e vetëdijshëm/e kur lutem?
A po e shoh se ku jam i/e thirrur të rritem në dashuri?
Jezusi është shoku dhe miku im konstant,
Dhe unë i ndaj përvojat dhe dëshirat e mia me të.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »