Zëvendës Guvernatori i Washingtonit le karrierën politike për t’u bërë prift jezuit

Mar 20 • Opinion

Washington D.C., 19 mars 2020 (CNA) – Zëvendës Guvernatori i Washington-it njoftoi të enjten se ai nuk do të kandidojë për rizgjedhje dhe në vend të kësaj do të hyjë këtë vjeshtë në ‘Shoqërinë e Jezusit’. Zv/Guvernatori Cyrus Habib (D), 38 vjeç, do t’i japë fund karrierës së tij tetëvjeçare në administratën publike pasi që, siç e përshkroi ai: “pas dy vite shoshitjeje me shumë kujdes dhe lutje” mori vendimin t’ju bashkohet jezuitëve.

Habib, i cili u zgjodh zëvendës guvernator në vitin 2016, është zyrtari i rangut më të lartë Iraniano-Amerikan në Shtetet e Bashkuara. Meqenëse ecja e tij e shoshitjes dhe reflektimit ishte “pothuajse tërësisht private”, Habib tha se ai priste që shumë prej zgjedhësve dhe përkrahësve të tij ta shihnin vendimin e tij si një “surprizë të madhe”, veçanërisht pasi që ai u konsiderua nga shumë njerëz si një njeri me të ardhme të shquar politike.

“Shumë do të pyesin se pse dikush që ka kaluar tetë vitet e fundit duke i ngjitur shkallët politike dhe i cili ka një shans real të jetë pjesë e qeverisjes vitin e ardhshëm, do të ndërronte një jetë prej autoriteti në atë të dëgjesës,” tha Habib në një deklaratë duke shpjeguar vendimin e tij në  America Magazine, e cila botohet nga ‘Shoqëria e Jezusit’.

Në këtë deklaratë, ai ia atribuoi besimit të tij katolik motivimin e fillimit të tij për t’u marrë me politikë dhe gjithashtu edhe për marrjen e vendimeve të tij në detyrë.

“Prioritetet e mia në detyrë ishin të rrënjosura fort në Doktrinën Shoqërore të Kishës, e cila është në anën e të varfërive, të sëmurëve, personave me nevoja të veçanta, imigrantëve, të burgosurve dhe të gjithë atyre që janë të margjinalizuar në qendër të agjendës sonë sociale dhe politike,” shkroi ai në revistën America.

Habib pati humbur shikimin në moshën tetë vjeçare për shkak të kancerit, të cilin e mposhti tri herë. Ai shkroi se përvoja e tij jetësore i ka dhënë atij një ndjenjë empatie për ata që janë të margjinalizuar nga shoqëria.

Me gjithë sukseset e tij politike dhe perspektivat e ndritshme për të ardhmen, Habib i tha ‘America’ se kohët e fundit ai ndihej i thirrur për një stil tjetër të jetës, përveç shërbimit dhe drejtësinë sociale që bënte.

“Kam ndjerë një thirrje për ta kushtuar jetën time në një mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe personale”, shkroi ai.

“Kam ardhur në përfundim se mënyra më e mirë për të thelluar angazhimin tim për drejtësinë sociale, është të zvogëloj kompleksitetin në jetën time dhe atë ta kushtoj në shërbim të të tjerëve.”

Dhe ndërsa e njeh rëndësinë dhe ndikimin e rolit në jetën publike, Habib u shpreh se është i vetëdijshëm se “përmbushja e sfidave me të cilat përballet vendi ynë kërkon më shumë sesa thjesht politikbërje”, dhe se njerëzit “kanë nevojë të madhe për mbështetje shpirtërore dhe shoqërim.”

Habib çmon lartë angazhimin e Jezuitëve në arsim. Ai tha se është “shumë herët” të dinte ku do ta çojë jeta e tij profesionale, “por jam i sigurt se ajo do të përfshijë mësimdhënie, dialog ndërkulturor dhe ndërfetar, avokim dhe shoqërim shpirtëror’’.

Formimi tipik Jezuit zgjat nga tetë deri në 17 vjet. Habib nuk ka treguar se cilës nga katër provincat amerikane të Shoqërisë së Jezusit do t’i bashkohet në vjeshtë, por ai kërkoi nga njerëzit të luteshin për të.

“Unë ju kërkoj të gjithëve të më kujtoni në lutjet tuaja, gjatë kësaj ecje në këtë rrugë të re; sigurisht që do të jeni edhe ju në lutjet e mia’’ tha ai./drita.info

 

Marrë nga: https://www.catholicnewsagency.com

Përktheu nga anglishtja: Donika Selitaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »