Jezusi, dhurues i dritës dhe shikimit!

Mar 21 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela IV e Kreshmës (A)

 

 

Leximi i parë   1 Sam 16, 1.4.6-7.10-13

Davidi ka qenë shuguruar mbret dy herë, së pari nga njerëzit e Jugut, pastaj nga njerëzit e Veriut.  Edhe pse kanë qenë njerëzit që e kanë bërë këtë zgjedhje politike, ka qenë Hyji që ka udhëhequr ecjen e historisë njerëzore. Autori në këtë pjesë imagjinon një shugurim të tretë. Davidi është shuguruar mbret kur akoma ishte një fëmijë i vogël, i fundit prej vëllezërve të tij. Ndërsa Hyji sheh zemrën, njeriu sheh pamjen e jashtme. 

 

 

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do tavajtosh Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja që të çoj tek Jeseu betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij.”  Samueli bëri sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij.” Por Zoti i tha Samuelit: “Mos i shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.”  Kështu Jeseu i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Jeseut: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin.” Samueli i tha përsëri Jeseut: “A janë vetëm këta bijtë e tu?” Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet.” Samueli i tha Jeseut: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa mos të vijë ai këtu.” Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është.” Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi midis vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej aso dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  23

 

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk  më mungon

—————————————–

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin. 

Ai më prin shtigjeve të drejta

Në saje të dashurisë së Emrit të vet.

—————————————–

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

—————————————–

Ti ma shtron tryezën përpara

ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

—————————————–

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

Në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

—————————————–

 

Leximi i dytë    Ef 5, 8-14

Shën Pali na prezanton doktrinën e pagëzimit. Drita e Krishtit ka shkatërruar errësirat tona. Njerëzit janë ndriçuar dhe tashme e njohin rrugën që duhet te përshkruajnë.  Rruga e dritës është një rrugë mirësie, drejtësie dhe vërtetësie në brendësi të Nënës Kishë, bijtë e së cilës ne jemi.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – vendosuni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbuloni! Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të flitën! E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vërtetë të veten, sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!” Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli    Gjn 9, 1.6.13-17.34-38

(forma e shkurtër)

Jezusi i jep dritën e syve një të verbëri të lindur. Besimi i të verbërit nuk është akoma shumë i sigurt, nuk e di kush e ka shëruar, dhe nuk është i ndihmuar nga mjedisi fetar në të cilin jeton për të njohur dhe falënderuar atë Hyj që i dha gjithçka. Besimi i tij bëhet i fortë pas përplasjes me autoritetet fetare, nga të cilat vjen i përjashtuar. Jezusi i zbulohet atij dhe i jep plotësi besimit të tij. Po ne a kemi guxim të njohim Jezu Krishtin si Zot mes kundërshtimeve dhe keqkuptimeve që jetojmë?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam” (që do të thotë: ‘i dërguari’). Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?” “Ai është” – thonin disa. “Jo, por është një që i përngjan atij” – thoshin do tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam.” Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzieu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigji: “Më vuri baltë në sy, unë u lava, dhe, ja tani shoh!” Atëherë disa prej farisenjsh thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” Por disa tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta. Pastaj e pyetën prapë të verbërin: “E ti, çka thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?” “Është profet” – përgjigji.  Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e njeriut?” Ai i përgjigji: “Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në të?” “E pe – i tha Jezusi – Është ai që po flet me ty!” Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij. Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” Disa prej farisenjsh që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua se edhe ne jemi të verbër?” Jezusi u përgjigji: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetë kush pretendon të ndriçohet vetë, bëhet gjithnjë e më i verbër, kush në fakt e kërkon, mbetet i ndriçuar. Ungjilli i sotëm kuptohet duke u nisur nga fjalët e Jezusit: “Derisa unë jam në botë, jam drita e botës”. Jezusi është për njeriun drita që ndriçon ekzistencën e tij dhe e mbush me domethënie. Është Ai që dhuron dritën e besimit. I verbëri përfaqëson njeriun që nuk beson. Por Jezusi e shëron fizikisht edhe shpirtërisht. “Jezusi duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër”. Jezusi ndalon, nuk shkon më tej. E do. I afrohet dhe e prek me dashuri. Pastaj e urdhëron: “Shko e lahu në banjën Siloam”. “Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte”. Shërimi nuk është fryt i ndonjë magjie, por është bindje ndaj fjalës së Jezusit. Edhe ne mund të rijetojmë këtë histori, nëse, duke dëgjuar fjalën e Jezusit, zhytemi në “pishinën e Sìloe” (꞊ ‘i Dërguari’), domethënë në vetë Krishtin e në Sakramentet e tij. Do të jemi, kështu, të shëruar nga verbëria e do i lejonim Jezusit të veprojë Ai vetë nëpërmjet nesh. Dalin në pah dy sjellje të kundërta përballë të njëjtit fakt, ose më mirë përballë të njëjtit Jezus. Ndërsa i verbëri, i shëruar fizikisht, shikon gjithnjë e më shumë, e arrin hap pas hapi në ndriçimin tërësor, që është drita e besimit në Jezusin, nga ana tjetër kundërshtarët bëhen gjithnjë e më të verbër. Në çdo veprim që kryejmë ne vendosim gjithmonë të ngujojmë dyert apo t’ i hapim ndaj vërshimit të dritës.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, po përgatitemi për Pashkët. Krishti është drita që na udhëheq drejt tyre. T’i kërkojmë Atit dhuratën e Shpirtit, që të mund të ecim si bij të dritës. Të lutemi së bashku duke thënë: 

Drita jote, o Zot, ndriçoftë hapat tanë.

L. Për Kishën, që ka marrë misionin për të përhapur fjalën e Hyjit, që ta transmetojë pa e ndryshuar dhe pa e zvogëluar. Të lutemi

L. Për shumë njerëz të shpërqendruar në natën e errët të dyshimit, që secili të gjejë një përgjigje në dritën e plotë të Ungjillit. Të lutemi.

L. Që Zoti të jetë dritë në zemrat e atyre që nuk shohin e që të jenë të udhëhequr nga mirësia e vërtetë të gjithë ata që punojnë në favor të tyre. Të lutemi

L. Që secili prej nesh, në këtë kohë Kreshmesh, të sforcohet për të jetuar gjithnjë e më mirë hirin e Pagëzimit për të qenë kështu dëshmitar i Krishtit dhe i Ungjillit. Të lutemi

M. O Zot Jezus, ti i ke hapur sytë të verbërit të lindur në pishinën e shenjtë të Siloesë. Largoji në ne errësirat e gabimit dhe të gënjeshtrës dhe na përcill secilin deri te Ati yt, që jeton e mbretëron me ty në shekuj të shekujve. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »