Papa: pandemisë së virusit t’i përgjigjemi me universalitetin e lutjes

Mar 22 • Kisha në botë

Lutja “Ati ynë”, të mërkurën e ardhshme, me të krishterët e të gjitha traditave e lutja e së premtes, 27 mars, në orën 18.00, nga Tremja e Bazilikës së Shën Pjetrit, me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sarkament dhe me Bekimin “Urbi et Orbi”: janë dy takime shpirtërore, që Papa Françesku i njoftoi sot, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, në këtë kohë sprove për emergjencën e koronavirusit.

 

“Njerëzimi dridhet, për shkak të kërcënimit, që vjen nga pandemia”. Në një njoftim, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, që do të mbetet në histori, Papa Françesku u kërkoi të gjithë të krishterëve të botës t’i bashkojnë zërat në lutje që Ati Qiellor t’ia ndalë dorën kësaj së keqeje. “I ftoj – tha Ati i Shenjtë nga Biblioteka e Pallatit Apostolik – të gjithë krerët e Kishave dhe liderët e të gjitha bashkësive të krishtera, së bashku me të krishterët e traditave të ndryshme, t’i luten të Tejetlartit, Zotit të Gjithpushtetshëm, duke thënë të gjithë në të njëjtën kohë” Atynën, të mërkurën e ardhshme, më 25 mars, në mesditë, në datën kur shumë të krishterë kujtojnë Lajmërimin se në Zojën do të mishërohej Fjala e Hyjit: “Zoti – tha Papa – e dëgjoftë lutjen e njëzëshme të gjithë dishepujve të vet, që përgatiten të kremtojnë fitoren e Krishtit të Ringjallur”.

Me këtë ndjet, Papa njoftoi edhe se do të kryesojë një çast lutjeje në Tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sheshin bosh e pa njerëz, të premten e ardhshme, në orën 18.00. Një çast, në të cilin i fton të gjithë të bashkohen shpirtërisht, përmes mjeteve të komunikimit:

“Do të dëgjojmë Fjalën e Zotit, do të lartojmë lutjen tonë të përgjëruar, do të adhurojmë të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin, në përfundim, do të jap Bekimin ‘Urbi et Orbi’ (Romës dhe botës), duke dhënë edhe mundësinë për të marrë Ndjesën e plotë. Pandemisë së koronavirusit duam t’i përgjigjemi me universalitetin e lutjes, të dhembshurisë, të ëmbëlsisë. Të mbetemi të bashkuar. T’i bëjmë njerëzit më të vetmuar e më të sprovuar që ta ndiejnë afërsinë tonë”.

 

Afërsi me të gjithë

Qendrore, pra, thirrja për të qëndruar të bashkuar:

“Afërsia jonë me mjekët, me punonjësit shëndetësorë, me infermierët e me infermieret, me vullnetarët… Afërsia jonë me autoritetet, që duhet të marrin masa të ashpra, por për të mirën tonë. Afërsia jonë me policët, me ushtarët, që përpiqen të ruajnë gjithnjë rendin nëpër rrugë, në mënyrë që të realizohen gjërat e kërkuara nga qeveria për të mirën e të gjithëve. Afërsi me të gjithë”.

Në përfundim, Papa i nxiti besimtarët të lexojnë sot, me qetësi dhe ngadalë, kapitullin 9 të Ungjillit sipas Gjonit, siç do të bëjë edhe ai vetë: “Do të na bëjë mirë të gjithëve”. Këto gjeste të fuqishme, që Papa propozoi për javën e ardhshme, në këtë kohë të veçantë sprove për njerëzimin, përmbajnë nxitjen për t’i përballuar vështirësitë të bashkuar në lutje e në dashuri, pavarësisht nga distanca fizike, siç po bën edhe vetë Ati i Shenjtë, me meshën e përditshme në Shtëpinë e Shën Martës, të cilën deshi ta transmetojë në streaming që prej dy javësh.

 

Pandemia shkakton më se 300 mijë të infektuar e 13 mijë të vdekur

Në nivel botëror, ndërkaq, pandemia vazhdon të përhapet me më se 300 mijë të infektuar e më se 13 mijë të vdekur. SHBA-të janë vendi i tretë për nga numri i të infektuarve me koronavirus, pas Kinës dhe Italisë. E dje, pikërisht në Itali, u regjistrua një rekord i ri vdekjesh brenda një dite: 793 vetë, që e çuan numrin e përgjithshëm në 4.825 vetë. Është fjala për krizën më të vështirë pas Luftës II Botërore, nënvizoi dje kryeministri italian Conte, duke njoftuar se që sot e deri më 3 prill do të mbyllen të gjitha veprimtaritë prodhuese jo jetike. Ndërkaq, Shqipëria mbërrin në 89 raste. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »