Çfarë besimi kam?

Mar 23 • Meditimi i ditës

23 mars 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 65, 17-21; Ps 30, 2.4.5-6.11-12a.13b; Gjn 4, 43-54)

 

Prania e Hyjit

Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës s`do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhen qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesje për mua.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 4, 43-54

43 Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile. 44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.

46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum. 47 Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes. 48 Jezusi i tha:

“Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.”

49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj:

“Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.”

50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!”

Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. 51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë:

“Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!”

53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.

54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Ngjarja që po e vështroj, o Zot, po më mbush me gëzim për shkak të shërimit të të birit të zyrtarit mbretëror. Përsëri e tregove madhështinë dhe fuqinë tënde.
  • Kjo ngjarje ri-zgjon në mua pyetjen: Çfarë besimi kam?

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ime u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »