A dëshiron të shërohesh?

Mar 24 • Meditimi i ditës

24 mars 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 47, 1-9.12; Ps 46, 2-3.5-6.8-9; Gjn 5, 1-3a.5-16)

 

Prania e Hyjit

“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Ku jam duke e gjetur momentalisht shpresën, guximin dhe zhvillimin në jetën time?

Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj edhe hapësirë edhe kohë.

 

Fjala e Zotit

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që zgjohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 5,1-3.5-16

1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. [4]

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha:

“A dëshiron të shërohesh?”

7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.”

8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!”

9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.

Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit:

“Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!”

11 Ai iu përgjigj:

“Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“

12 Ata e pyetën:

“Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“

13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha:

“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”

15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Dikush një herë tha: “Kërkova përgjigje nga Hyji, e ai më dërgoi njerëz për të më ndihmuar të merrem me pyetjet.” E pyes veten: a ka ecur Jezusi me njeriun për ta çuar në lirinë e një jete të tij të re?
  • Në udhëtimin tonë Jezusi gjithmonë ecën me ne, dhe na vjen kur jemi në hall. Ai ecën me shpejtësinë tonë dhe është gjithmonë afër.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »