Të lejosh të lind Zoti në ty
25 mars 2020 – E mërkurë, Lajmërimi i Zotërisë (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 7, 10-14; 8, 10; Ps 40, 7-11; Heb 10, 4-10; Lk 1, 26-38)
Prania e Hyjit
Tashti të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.
Po i lë anash të gjitha brengat dhe preokupimet e mia
dhe kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.
Fjala e Zotit
Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar lëvizjet e zemrës sate. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.
Lk 1, 26-38
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Lutja është kohë kur ne e pranojmë që Hyji të lindë në ne. Momentet mund të jenë “lajmërim” – i madh o i vogël. Fara e Hyjit është e lindur në ne në momentin e lindjes sonë, dhe lutja është një prej mënyrave për të siguruar rritjen e kësaj fare.
- Jezusi lind ndër ne, atje ku dashuria, mëshira dhe gjithçka që është e rëndësishme për Hyjin bëhet e gjallë në botë.
Bashkëbisedimi
Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Lutja ime drejtuar Engjëllit Rojës që të shkojë për mua në meshë Veprat dëshmojnë për identitetin tonë »