Studime psikologjike: Raporti edukues ndërmjet prindërve dhe fëmijëve

Mar 26 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Shoqërizimi është proces nëpërmjet të cilit fëmija, brenda mundësive të shumta që i ka kur lindë, i merr ato struktura të sjelljes të cilat janë të zakonshme, që janë në atë sistem shoqëror. Mësimi i parë fillon në familje dhe vazhdon nëpërmjet strukturave shoqërore të zgjeruara, siç janë të afërmit, pastaj shkolla, Kisha etj.

Roli i ambientit shoqëror është i dorës së parë në procesin e zhvillimit të personalitetit. Në fakt, çdo individ jeton në një ambient të caktuar shoqëror dhe personaliteti i tij formohet nën ndikimin e atij ambienti. Kurse çdo shoqëri ka vlerat e saja të veçanta, idealet dhe format e sjelljes që përpiqet t’i bartë te anëtarët e saj. Roli i ambient shoqëror ka të bëjë së pari me kufizimin, përkatësisht ua dhuron anëtarëve të vet hapësirën e përvojës. Një fëmijë do të ketë përvoja të tjera në një mjedis rural, e të tjera një fëmijë nga qyteti; tjera përvoja do të ketë një fëmijë nga xhungla e Amerikës Latine e tjera një nga shkretëtira e Afrikës.

Pohimi se në zhvillimin e fëmijës dhe në edukimin e tij rol kryesor luajnë prindërit, tingëllon paksa si frazë e rreckosur. Është e tepërt të provohet se deri më tani në të gjitha shoqëritë, bazën e socializmit e vë familja e ngushtë. Prandaj, prindërit kanë përgjegjësi të madhe në zhvillimin normal të fëmijës. Ky pohim i rënd e sa herë i përsëritur, disa prindër ndoshta edhe do t’i ligështojë: “Nëse është puna ashtu, atëherë më mirë të mos kemi fëmijë! Sepse njeriu nëse dëshiron për çdo detaj të kujdeset, të cilin psikologët dhe pedagogët spikatin në analizat e tyre të edukimit ideal, atëherë do të ishte më mirë të mos fillojmë me edukim. Prej librit nuk mund të edukohet.”

Që në fillim të shqyrtimeve tona dëshirojmë t’u japim zemër prindërve të tillë të shkurajuar. Edhe ndikimi i prindërve i ka kufijtë e vet. Apo me fjalë tjera: nuk është edhe lehtë t’i mësosh mbrapsht fëmijët, të gabosh krejtësisht në edukim e dikujt. Psikologjia në thelb është optimiste: zhvillimi individual ka disa ligjshmëri të posaçme përbrendshme të cilat mund të veprojnë edhe atëherë kur rrethanat e jashtme nuk janë ideale.

 

Kufijtë e ndikimit prindëror te fëmija

Edhe pse prindërit në zhvillimin e fëmijës e kanë një ndikim të madh, ai ndikim i ka edhe kufijtë e vet. E marrim si shembull aq të theksuarën konsekuencën në edukim. Thuhet: nuk ka aq rëndësi a janë prindërit tepër të rreptë apo tepër të butë, me më rëndësi është që të jenë konsekuent në zbatimin e proceseve të tyre edukative. Kjo me siguri qëndron. Por si ngushëllim shumë prindërve duhet shtuar se nuk është edhe lehtë të jesh jokonsekuent. Sepse, ndonëse, në raste të posaçme fëmija nuk mund të kuptojë pse e dënojnë, përkatësisht e shpërblejnë, megjithatë familja si tërësi ka një klimë të caktuar, e cila siguron konsekuencë. Kjo është ajo që e dallon një familje prej tjetrës, kurse fëmija e ndjen prej ditëve të para. Fëmija shpejt do të mësohet që këtë apo atë nuk guxon ta bëj në shtëpi, por këtë mund ta bëjë te gjyshja ose në një shtëpi tjetër, ose anasjelltas. Brenda kësaj atmosfere familjare prindërit duken përgjithësisht të parashikueshëm për fëmijën.

Korrektori i dytë i ndikimit prindëror në fëmijë është fakti se, duke filluar prej muajve më së të hershëm, prindërit nuk janë të vetmit persona të rritur në jetën e fëmijës. Vërtet, janë më të pranishmit, sidomos në ditët e para, por pakherë janë edhe të vetmit. Sa më shumë fëmija rritet, më shumë del kjo në dukje. Dikur, rëndom në jetën e fëmijëve kanë qenë të pranishëm gjyshi e gjyshja; sot, kur ky është rast më i rrallë, fëmija shumë herët shkon në kopsht dhe bie në kontakt me të rriturit tjerë. Prandaj, do të ishte një pohim jo i saktë të fajësohen vetëm prindërit për gabimet në edukim e fëmijëve.

Ka, edhe më tutje, korrektorë edhe në vet fëmijën. Për shkak të papjekurisë së mendimit abstrakt, fëmija ende s’është i aftë të gjeneralizojë, të përgjithësojë përvojën. Nëse prindërit ndonjëherë padrejtësisht e dënojnë apo paarsyeshëm e shpërblejnë, vetëm në bazë të kësaj nuk do të mund të nxjerrë një konkludim të përgjithshëm mbi dashurinë e tyre. Kur të jetë i pjekur për të kuptuar një përfundim të tillë, atëherë aktivizohet një korrektor tjetër interesant: paragjykimi kulturor apo bindja e përgjithshme, e cila thotë se të gjithë prindërit i duan fëmijët e vet. Po edhe nëse fëmija përjeton të padrejtën që ia kanë shkaktuar prindërit e tij, nuk do të mbërrij te përfundimi se ata nuk e duan, por sipas gjitha gjasave këtë do ta korrigjojë me paragjykim kulturor, përafërsisht kështu: “Meqenëse të gjithë prindërit i duan fëmijët e vet, sigurisht, edhe mua më duan prindërit e mi.”

Më në fund, edhe formimi trupor i fëmijës, bartë kufijtë e ndikimit prindëror. Afrimi i prindërit ndaj fëmijës dukshëm do të varet prej disa tipareve të lindura te vetë fëmija. Për më tepër, nuk ka një qëndrim prindëror thellë të rrënjosur përball fëmijës, që do të ishte i dhënë përpara, por atë qëndrim e përcakton fëmija, përkatësisht e modifikon, sipas karakterit që ka. Konkretisht: prindërit do të sillen ndryshe më fëmijën e dobët, të thatë dhe me fëmijën e tërhequr në vete, se sa me të fortin, luftëtarin, agresivin dhe me fëmijën që me zor edukohet – siç thuhet zakonisht. Shkencërisht do të thoshim kështu: stimulimi i afrimit prindëror te fëmija është vet fëmija.[1]

Mbi këto njohuri bazohet optimizmi psikologjik i cili thotë: nuk janë fajtor prindërit për çdo dështim në jetën e ndonjë njeriu, përkatësisht, siç thamë edhe më parë: nuk është edhe lehtë ta mësosh mbrapsht fëmijën. Megjithatë, monedha e ka edhe faqen tjetër. Deri më tani lidhjen ndërmjet prindërve dhe fëmijëve e kemi vështruar nga pikëpamja e fëmijës dhe psikes së tij. Që ta fitojmë një pasqyrë të përgjithshme, duhet ta vështrojmë këtë lidhje edhe nga pikëpamja e prindërve, përkatësisht psikes së prindërve.

 

Nevoja e fëmijës për dashuri

Për një zhvillim normal ndijor të mëvonshëm, psikologët shpesh e me kënaqësi e theksojnë rëndësinë se nëna duhet ta pranojë pa kushte fëmijën e vet. Nuk ka kuptim ta mohojmë saktësinë e këtij pohimi. Megjithatë, herë-herë na duket se e teprojmë kur theksojmë pranimin pa kushte. Sigurisht, ka raste kur nëna me vetëdije, apo shpesh pa vetëdije, nuk e pranon fëmijën, e largon, çka fëmija në ato çaste apo më vonë do ta hetojë, mandej kjo në jetë (të mëvonshme) mund të shkaktojë varrë shpirtërore. Ai fëmijë do të ketë kompleks inferioriteti, si adoleshent do të luftojë me çështjen e identitetit të tij, në martesë do ta kërkojë dashurinë prindërore në vend të asaj martesore etj. Por, duhet theksuar se, në shumë raste, nënat e pranojnë foshnjën e tyre ashtu si është: i vogël, i dobët, i gërthitur, i paqëndrueshëm, megjithatë i dashur për nënën. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë si është e mundur që shumë të rritur megjithatë kanë problem në raport me dashurinë dhe kuptimin e jetës? Pa dyshim, duhet të jetë edhe një faktor tjetër për të arritur jetë të lumtur. Duket se çelës për të kuptuar mund të na ofrojë analiza e procesit të zhvillimit të dashurisë.

Jeta e çdo fëmije fillon në simbiozë me nënën, d.m.th. në bashkimin ndijor me të, dhe me të drejtë mund të supozohet se foshnja gradualisht vetëdijesohet si një qenie e vetvetishme, e cila e ka jetën e ndarë prej nënës. Në fillim duket se bota e foshnjës është solipsistike:  sipas të cilit njerëzit tjerë ekzistojnë vetëm nga pikëpamja subjektive. Foshnja ka një raport me njerëz të tjerë sikur ata janë aty të pranishëm vetëm për t’i plotësuar nevojat e tija, e jo si me qeniet të cilat e kanë ekzistencën personale. Zakonisht, një foshnje që ushqehet n’gji fle atëherë kur të gjitha dëshirat t’i jenë plotësuar, dhe as që i intereson nëse edhe do zhdukeshin ata që ia kanë plotësuar ato nevoja, derisa nuk do të zgjohet dhe përsëri do të kërkojë nevoja dhe dëshira tjera.

Nuk dimë saktësisht sa zgjatë kjo periudhë. Bowlby supozon se fëmija i krijon kontaktet e para me nënën, si një qenie e ndarë, pasi t’i mbush pesë apo gjashtë muaj. Kjo njëkohësisht domethënë humbje e identitetit primar, d.m.th. shkëputje e simbiozës afektive.[2]

 

Zhvillimi i dashurisë

Me humbjen e identitetit primar fillon rruga e zhvillimit të dashurisë. Duhet të theksohet këtu një dallim: duhet ta dallojmë dashurinë pasive dhe aktive.

Dashuria pasive këtu do të thotë se nëna e ka pranuar fëmijën pa kushte. E thamë më lartë se në shumë raste është ashtu, sepse pikërisht në muajt e parë fëmija pranohet ashtu si është: qenie e pafuqishme e cila ka nevojë për kujdes.

Dashuria aktive ka të bëjë me aftësisë për të vendosur një lidhje të kënaqshme ndijore me personin tjetër, d.m.th. të duash dikë. Ky dallim, siç do ta shohim gjatë diskutimit, ka domethënie vendimtare për kuptimin e jetës individuale. Duket se shi ky është ai faktori enigmatik, i cili jep përgjigjen në pyetjen që u ngrit më lartë, pse, përkundër pranimit të hershëm, shumë të rritur kanë probleme në lidhje me kuptimin e jetës: nuk dinë të dashurojnë, ose nëse duam të jemi më të saktë: nuk e kanë askënd që do të mund ta donin!

Zhvillimi i dashurisë është ngushtë i lidhur me zhvillimin e vëmendjes. Vëmendja tek fëmija zhvillohet në mënyrë graduale. Në fillim një objekt ndriçues e ndjek me sy, porse vetëm derisa ai është në fushëshikim. Megjithatë, në mënyrë graduale vëmendja nuk është vetëm ajo që tërheq, por edhe që orienton. Ajo fillon të interesohet për gjësendet dhe njerëzit. Objekti më i hershëm, i cili në vëmendjen e fëmijës sjell më së shumti kënaqësi është nëna, përkatësisht personi që kujdesohet për të. Gradualisht fillon ta përqendrojë vëmendjen në atë person, ta njeh atë dhe fillon ta duaj dhe gjitha kuptimet që bartë kjo fjalë. Nëse fëmija nuk ka pranë vetes një të rritur që kujdesohet për të, d.m.th. të cilin do ta njihte dhe ta duaj, zhvillimi i interesit të tij do të jetë i dëmtuar – pohon Magda B. Arnold, një nga klasikët në hulumtimet e ndjenjave.[3]

Janë të njohura hulumtimet e Spitz-it në këtë lëmi. Në bazë të vëzhgimeve të tija te fëmijët në jetimore, ka ardhur në përfundim se ata fëmijë që nuk e kanë një të rritur, i cili kujdesohet vazhdimisht për ta, bëhen fëmijë të tërhequr dhe të painteresuar. Nëse fëmija nuk ka mundësi ta lidh kontaktin afektiv me të rriturin dominant, do t’i dëmtojë aftësitë e tija për lidhje ndërnjerëzore të mëvonshme. Ajo dashuri, gjegjësisht lidhja pozitive afektive e fëmijës ndaj individit dominant (fjalën dominant e përdorim këtu në kuptim teknik-psikologjik, që nënkupton personin apo individin, i cili bëhet i rëndësishëm për perceptimin e fëmijës), nuk është thjesht sikur një dashuri e bartur ndaj ushqimit apo rahatisë, siç e mendojnë disa teoricien. Këtë e hedhin poshtë hulumtimet e Spitz-it, sepse fëmijët për të cilët ai flet kanë pasur një rahati për sa i përket ushqimit dhe nevojave të tjera fizike, përveç personit të rritur të përhershëm, i cili do të kujdesej për ta. Personat në jetimore përherë ndërroheshin sipas turneve.[4]

Argumentin tjetër, shumë bindës, e kanë sjell studimet e Dennis-it në një eksperiment shumë të rrezikshëm, por inteligjent. Ajo i kishte studiuar të a.q. përgjigje të lindura të dy binjakeve të izoluara. Ajo u kujdes për këto vajza të vogla gjashtë muaj, por pa asnjë shenjë afekti: nuk i kishte ledhatuar, nuk i kishte rrahur, asnjëherë nuk kishte qeshur me to. Thjesht ju kishte siguruar kushtet për një jetë fizike. Megjithëse kishin munguar shenjat e afektivitetit ndaj vajzave, në zhvillimin e tyre normal afektiv s’është provuar asnjë dëmtim, përpos ndoshta retardimeve të buta në psikomotorikë. Në bazë të këtij observimi ajo e ka formuluar një përfundim të rëndësishëm: Fëmija, në të vërtetë, ka nevoje për dashuri dhe butësi, por më me shumë rëndësi ka mundësia me njohtë dikë dhe me e dashtë.

Ndoshta do të na çudisë kjo kthesë. Ne jemi mësuar të flasim për dashurinë pasive si kusht të domosdoshëm për tërë zhvillimin, d.m.th. që fëmija të jetë i dashur, i dëshiruar dhe i pranuar pa kushte. Nuk e mohojmë se, në planin metafizik, dashuria e këtillë ka përparësi. Por po e themi përsëri: ajo në shumë raste është një e dhënë. Për të mirën individuale më e rëndësishme është aftësia e dashurisë aktuale, d.m.th. që njeriu ta ketë dikë të cilin mundet me e dashtë. 

 

Vërtetësia klinike e rëndësisë së objektit të dashurisë

E ndjejmë se pohimi i lartpërmendur ka aq dendësi, saqë do të duhej ta gjejmë një vërtetësi tjetër. Për fat, vërtetësi të tilla ka në psikologjinë klinike, përkatësisht në psikopatologji, madje në dy lëmi: te përqasja e re e psikodinamikës së depresionit dhe te psikodinamika së të sëmuarve vetëvrasës.

Emrat më të njohur të përqasjes psikologjike të depresionit janë Silvano Arieti dhe Jules Bemporad. Arieti i skicon rastet psikologjike në vetëdijen e personit me depresion në këtë mënyrë. Personi që bie në depresion ka qenë në fëmijëri i dashur dhe i pranuar – ndoshta edhe tepër. Kësaj dashuri pasive i përgjigjet gatishmëria për të besuar, të identifikohet me figurën e prindërve e ashtu të krijon një siguri të identitetit. Nëse përjeton humbjen e objektit të dashurisë, për shkak të çfarëdo arsyeje (lindja e vëllait, ndarja e prindërve etj.), krijohet prirja për depresion. Humbja shndërrohet në kërcënim dhe rrezik për identitet. Nëse ky qëndrim fiksohet, zhvillohet depresioni. Shkurt, esenca e depresionit nuk qëndron në atë se personi mendon se askush nuk e do (ndonëse përherë këtë e thotë), por që nuk ka më askënd kë do të mund ta duaj. Në atë mënyrë jeta bëhet e pakuptimtë, sepse pushon së ekzistuari baza për marrëdhënie dialogu.[5]

Argumenti i dytë, ndoshta edhe më i bindshëm, na ofron psikodinamika e personave vetëvrasës. Te këta persona ndodh të ngushtohet hapësira e mendimit dhe e përjetimit. Momenti thelbësor në këtë rast është pamundësia ta sheh vetveten në marrëdhënie me të tjerët. Autori pohon se kur bëhet fjala për personat që vetëvriten, askush nuk mund të thotë se ku qëndron kuptimi i jetë së tij, sepse ai nuk është i aftë të pranojë argumente racionale. E vetmja gjë që mund dikush të bëjë për të është të bëhet pjesë e jetës së tij, t’i ofrohet si objekt dashurie. Kjo mund të nënkuptohet si hapi i parë në kërkimin e kuptimit.[6]

Nga të gjitha këto që i përmendëm, dëshirojmë të nxjerrim një përfundim të vlefshëm: nuk është e mjaftueshme që prindërit vetëm t’i duan fëmijët e tyre; e nevojshme është edhe të dinë të pranojnë dashurinë e fëmijëve të tyre. Ndoshta tingëllon paksa e vrazhdë, por të kemi guxim ta dëgjojmë edhe këtë: prindërit nuk duhet ta marrin si të vetëkuptueshme që fëmijët i duan dhe duhet t’i duan. A e kanë guximin nganjëherë prindërit ta pyesin vetveten, a i bëjnë të gjitha që të bëhen të atillë që fëmijët vërtetë të mund t’i duan?

 

Arti i dashurisë

Ky është titulli i librit të psikologut të njohur Erich Fromm, i cili jep një analizë mjeshtërore të dashurisë.[7] Shumica e njerëzve problemin e dashurisë e shohin në të jesh i dashur, e jo në të duash – konstaton këtë të vërtetë të hidhët Fromm-i. Sigurisht, fëmija së pari e përjeton dashurinë në formë pasive; unë jam i dashur. Jam i dashur, sepse jam fëmijë i nënës sime; jam i dashur sepse jam i pafuqishëm. Përgjithësisht, jam i dashur për atë që jam, apo më preciz: jam i dashur sepse ekzistoj. Kjo është përvoja pasive. Asgjë nuk duhet të bësh për të qenë i dashur: dashuria amnore është e pakushte. E vetmja gjë që duhet të bëjë është – të ekzistoj, se jam fëmija i saj. Pikërisht ky pasivitet e ka edhe anën tjetër negative. Dashurinë nuk mund ta meritosh me asgjë. Nëse nuk ka dashuri, fëmija s’mund ta kushtëzojë ta ketë me asgjë.

Sipas Fromm-it, kjo përvojë pasive e dashurisë i karakterizon tetë vitet e para të jetës. Është periudha gjatë së cilës fëmija di (apo s’di) vetëm se është i dashur për shkak se ekziston. Ai nuk do në mënyrë aktive, por thjesht me falënderim dhe me gëzim i përgjigjet faktit se është i dashur. Vetëm mbas tetë viteve fillon të zhvillohet ndjenja e re: ta fitojë dashurinë me ndihmën e angazhimit personal. Në fillimi fëmija i jep ndonjë gjë nënës apo të atit: një fotografi, vjershë, lule. Ideja se jam i dashur tani shndërrohet në idenë se duhet ta krijoj dashurinë. Dashuria infantile ndjek parimin: “Dua sepse jam i dashur”. Dashuria e pjekur ndjek parimin: “Më duan sepse i dua”. Dashuria e papjekur jeton sipas parimit: “Të dua  sepse më duhesh”. Dashuria e pjekur jeton sipas parimit “Më duhesh sepse të dua”.

Të ndalemi edhe një çast në relacionin ndërmjet nënës dhe fëmijës për sa i përket dashurisë. Dashuria amnore ndaj fëmijës ka rol të dyfish, përkatësisht kujdesi për jetën e fëmijës ka dy aspekte. Njëri është kujdesi dhe përgjegjësia për jetën e tij: pa kujdesin dhe dashurinë e nënës, fëmija nuk do të mund të mbijetonte fizikisht. Aspekti tjetër është më i thellë. Është qëndrimi që i mbjell fëmijës dashurinë për jetën, i cili manifestohet në këto ndjenja: është mirë të jetosh, është mirë të jesh djalë ose vajzë, është gjë e mirë të jesh në këtë Tokë, është mirë që kam lindur! Fatkeqësisht, përfundon Fromm-i, të gjitha nënat arrijnë  përgjithësisht që fëmija i saj të mbijetojë, por pak prej tyre arrijnë të mbjellin te fëmija edhe  gëzimin e jetës.[8]

 

Përgjegjësia prindërore

Ndonëse kemi përmendur se edhe ndikimi prindëror i ka kufijt e vet, kjo nuk i justifikon prindërit për papërpiktësinë e tyre. Se një gjë e këtillë ekziston, vërtet, është e pa nevojshme këtu të nxjerrim fakte. Ajo papërpiktësi shfaqet te akthi i pritjeve, te porositë e dykuptimta etj. Fëmija s’arrin të kuptoj me siguri çfarë presin prej tij, çfarë sjellje, p.sh. si ta kuptoj kur ai  thotë ndonjë fjalë të pahijshme, në një moment caktuar të gjithë qeshin, e në një moment tjetër e dënojnë për të njëjtën fjalë?

Edukimi i përgjegjshëm përbëhet, në rend të parë, që prindërit ta studiojnë vetveten dhe sjelljet e tyre si probleme të pazgjidhura personale për të mos reflektuar në procese edukative. Mjekja franceze Francoise Dolto, me fjalë të rrepta i gjykon prindërit e këtillë. Pjesa dërmuese e prindërve, në fund të fundit, i donë shumë fëmijët e vet. Ata donë t’ju sjellin gëzime dhe të njëjtën gjë e presin prej tyre. Në vend të kësaj duhet të kuptojmë, se fëmijët nuk janë në botë për t’ju sjell gëzime prindërve të tyre. Fëmija është në botë për arsye se duhet të jetë ai që është dhe ai çfarë do të duhej të bëhet: person i papërsëritshëm dhe vazhdim i prindëve të tyre këtu në Tokë. Por asesi që më vonë t’ua kthejë kujdesin e tashëm. Fëmija do t’ua jep më vonë fëmijëve të vet atë çka tani e merr prej prindërve. Kurse fëmijët e tij përsëri fëmijëve të tyre, dhe kështu brez pas brezi deri në mbarimin e botës. E çoroditshme do të ishte t’i thuash fëmijës: “Bëje këtë e atë që të më sjellësh gëzim!” Një fëmijë s’mund të bëjë tjetër pos t’ju sjell gëzim prindërve të vet; porse s’është e ndershme ta shfrytëzojmë këtë. Përkundrazi, prindërit do të duhej të ishin aq të pjekur sa që ta ndjejnë përgjegjësinë për rritjen e fëmijës së tyre, pa kërkuar ndonjë shpërblim. Prindërit janë të shpërblyer me faktin se fëmija i tyre është shëndosh, është i aftë të jetojë me moshatarët e tij, që përparon në çdo pikëpamje.[9]

Ndoshta këto fjalë na duken tepër të ashpra, por ia vlen të meditojmë mbi to, sepse ekziston jo vetëm egoizmi fëmijëror por edhe prindëror, i cili është shumë më tragjik se sa egoizmi fëmijëror. Për këtë do të flasim në pjesën tjetër në vazhdim./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————————————-

[1] Khs. D.P. Ausubel – E.V. Sillivan, Theory and Problem of Child Psychology, New York, 1970.

[2] Khs. A. Storr, The Integrity of the Personlity, Harmondsworth, 1977, 78.

[3] M. B. Arnold, Emotion and Personality, New York, 1960, vëll. I, 212-214.

[4] Khs. M. B. Arnold, Emostion and Personality, 213.

[5] Shih A. Arieti – J. Bemporad, Sever and Mild Depression, London, 1980; A. T. Back, Cognitive Theory and Emontional Disorders, New York, 1976; M. Szentmártoni, Moral Judgment and Depression, Roma, 1981.

[6] Khs. K. P. Jorns, Nicht leben und nicht sterben können, Wien, 1978, 70.

[7] E. Fromm, The Arto of Love, London, 1976.

[8] Khs. E. Fromm, The Art of Loving, 38.

[9] Khs. F. Dolto, “Utazás önmagunkban”, në: Mérleg, 1980, Nr 2, 155.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »