Veprat dëshmojnë për identitetin tonë

Mar 26 • Meditimi i ditës

26 mars 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 32, 7-14; Ps 106, 19-23; Gjn 5, 31-47)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
të çdo molekule dhe atomi, i gjitha gjërave që ekzistojnë, që janë:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe në rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 5, 31-47

 

31 Nëse unë vetë i bëj dëshmi vetvetes,

dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Është Një tjetër që bën dëshmi për mua

dhe unë e di:

dëshmia të cilën ai e bën për mua,

është e vërtetë.

33 Ju dërguat disa njerëz te Gjoni

dhe Gjoni e dëshmoi të vërtetën.

34 Unë nuk kam nevojë për dëshmi të njeriut,

por ua përmend këtë që ju të shëlboheni.

35 Gjoni ishte dritëz që digjej e ndriçonte,

por juve ju pëlqeu të kënaqeni në atë dritë vetëm për një çast.

36 Por unë e kam një dëshmi

më të madhe se atë të Gjonit:

veprat që Ati m’i besoi për t’i kryer;

pikërisht këto që unë kryej,

dëshmojnë për mua

se më dërgoi Ati.

37 Edhe Ai që më dërgoi ‑ Ati,

vetë Ai dëshmoi për mua!

Ju kurrë s’e dëgjuat zërin e tij,

kurrë s’e patë fytyrën e tij;

38 as fjala e tij nuk banon në ju,

sepse nuk i besoni atij,

që ai e dërgoi.

39 Ju i shqyrtoni Shkrimet

sepse mendoni me anë të tyre të keni jetën e pasosur;

edhe ato, pra, dëshmojnë për mua,

40 e ju, prapë se prapë nuk doni të vini tek unë,

që ta keni jetën.

41 Nuk kërkoj lavdi prej njerëzve,

42 po ju njoha deri në palcë:

nuk e keni në vetvete dashurinë e Hyjit.

43 Unë erdha në Emër të Atit tim

e ju nuk më pranoni;

po erdhi ndonjë tjetër në emër të vet,

atë do ta pranoni!

44 Po si mund të besoni ju,

ju që kërkoni lavdi prej njëri‑tjetrit,

e nuk e kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?

45 Mos t’ju shkojë në mend se do t’ju padis tek Ati!

Paditësi juaj është Moisiu,

në të cilin shpresoni.

46 Për të vërtetë, po t’i besonit Moisiut,

do të më besonit edhe mua,

sepse ai për mua shkroi.

47 Por, nëse nuk u besoni Shkrimeve të tij,

si do t’u besoni fjalëve të mia?”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Kishat tona mbështeten në strukturë, në teologji, liturgji dhe organizim njerëzor. Jezusi gjithë këtë e vendos në një perspektivë të gjerë duke na përkujtuar nevojën tonë që të vijmë tek ai dhe të kërkojmë jetën – kur e bëjmë këtë atëherë edhe strukturat tona do ta fitojnë kuptimin e mirëfilltë.
  • Jezusi nuk i ka dhënë tepër rëndësi duartrokitjes njerëzore. A mos jam duke kërkuar tepër aprovimin e të tjerëve duke harruar ku qëndrojnë vlerat e vërteta?

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia çeli zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i vetëdijshëm se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »