Feja është dijeni e zemrës!

Mar 27 • Meditimi i ditës

27 mars 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 2, 1a.12-22; Ps 34, 17-21.23; Gjn 7, 1-2.10.25-30)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës ndërsa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i të marrit frymë, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka për çka duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të falënderohem.

Diçka për çka ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 7,1-2.10.25-30

 

1 Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë.

Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. 2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave.

10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi.

25 Atëherë disa jerusalemas thanë:

“Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.”

28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë:

“Po, ju më njihni

dhe e dini se nga jam!

E pra, unë nuk erdha prej vetvetes:

por është Një i Vërtetë që më dërgoi,

të cilin ju s’e njihni.

29 Unë e njoh Atë,

sepse jam prej tij

dhe Ai më dërgoi.”

30 Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Argumentet për Jezusin silleshin prej atyre që pohonin se nuk dinë asgjë për të e deri te ata që pohonin se dinë gjithçka për të. Duket që edhe sot është ashtu: ekzistojnë “ekspertët” në të dyja anët. Kreshmët më thërrasin që mos të racionalizoj tepër, por ta pranoj Jezusin në zemrën time. Kjo është një lloj dijenie që Jezusi e çmon.
  • Nuk është me rëndësi se sa di për tjetrin sepse gjithmonë ka aq shumë gjëra të fshehura që vetëm Zoti i di. Do të lus për një respektim të thellë të atyre rreth meje veçanërisht për ata për të cilët mendoj se i njoh mirë.

 

Bashkëbisedimi

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia ndaj njerëzve të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuratën e të folurit.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »