Ndjesa e plotë dhe zgjidhja kolektive e mëkateve në emergjencën e koronavirusit

Mar 27 • Kisha në botë

Një Dekret i Pendestarisë Apostolike u jep ndjesën e plotë të sëmurëve me koronavirus, atyre që i ndihmojnë dhe të gjithë besimtarëve të botës, që luten për ta. Kujton edhe mundësinë e zgjidhjes kolektive të mëkateve, në këtë çast emergjence të jashtëzakonshme.

 

Në emergjencën e koronavirusit, Kisha Katolike u jep mundësi të sëmurëve me Covid-19, punonjësve shëndetësorë, familjarëve dhe të gjithë atyre, që me çdo mënyrë, edhe me lutje, kujdesen për ta, të marrin Ndjesën e plotë. Sot, u bë i njohur Dekreti i Pendestarisë Apostolike për këtë, nënshkruar nga kardinali Mauro Piacenza e nga regjenti, imzot Krzysztof  Nykiel.

Përveç kësaj, Pendestaria – pohohet në notën, që shoqëron Dekretin – në “rrethanat e rënda aktuale” e “sidomos, në vendet më të interesuara nga infektimi pandemik e deri kur ky fenomen të mos ketë përfunduar”, kujton mundësinë e dhënies së “zgjidhjes kolektive të mëkateve”, pra, të zgjidhjes së mëkateve të shumë besimtarëve së bashku, “pa rrëfimin paraprak individual”.

 

Si merret Ndjesa e plotë

Mund të marrin Ndjesën e plotë, të sëmurët me koronavirus, ata që ndodhen në karantinë, si edhe punonjësit shëndetësorë e familjarët, të cilët jetojnë me rrezikun e infektimit nga COVID-19, duke thënë thjesht Besojmën e krishterë, Atynën e një lutje për Shën Marinë.

Të tjerët mund të zgjedhin ndërmjet disa mundësive: t’i bëjnë një vizitë të Shenjtnueshmit Sakrament, ose të adhurojnë Eukaristinë, ose të lexojnë Shkrimin Shenjt për së paku gjysëm ore. Gjithashtu, mund të thonë Rruzaren, të bëjnë Udhën e Kryqit, ose të thonë Rruzaren e Dashurisë Hyjnore, duke iu lutur Zotit ta ndalë pandeminë, t’i ngushëllojë të sëmurët e t’u japë shëlbimin e amshuar atyre, që i ka thirrur pranë vetes. Ndjesa e plotë u jepet edhe besimtarëve, që para vdekjes, nuk kanë mundësi të marrin sakramentin e Vojimit e të Kungimit Shenjt për të sëmurët: në këto raste, këshillohet përdorimi i të kryqëzuarit dhe i kryqit.

 

Zgjidhja kolektive e mëkateve

Përsa i përket zgjidhjes kolektive të mëkateve – shpjegon Pendestaria Apostolike – “meshtari duhet të paralajmërojë, brenda mundësive, ipeshkvin dioqezan, ose, nëse nuk mundet, ta informojë sa më parë”. Vërtet, i takon ipeshkvit dioqezan – nënvizon nota – “të përcaktojë, në territorin e qarkut të vet kishtar e duke marrë parasysh nivelin e infektimit pandemik, rastet e rënda, për të cilat lejohet të jepet zgjidhja kolektive e mëkateve: për shembull, në hyrje të reparteve spitalore, ku janë shtruar besimtarë të infektuar, me rrezik jete, duke përdorur për sa është e mundur e me masat e duhura, mjetet e amplifikimit të zërit, që të dëgjohet zgjidhja e mëkateve”.   

 

Kapelanë të jashtëzakonshëm për asistencën shpirtërore

Pendestaria Apostolike kërkon të vlerësojë “nevojën dhe mundësinë për të krijuar, aty ku është e nevojshme e në marrëveshje me autoritetet shëndetësore, grupe ‘kapelanësh spitalorë të jashtëzakonshëm’, edhe mbi bazë vullnetare e duke respektuar normat shëndetësore, për të garantuar asistencën e nevojshme shpirtërore për të sëmurët e njerëzit në prag të vdekjes”.

 

Zemra e penduar sinqerisht merr zgjidhjen e mëkateve

Përveç kësaj, aty ku “besimtarët, fatkeqësisht, nuk kanë mundësi të marrin zgjidhjen sakramentore të mëkateve, kujtohet se zemra e penduar përsosurisht, për hir të dashurisë së Zotit, që duhet mbi të gjitha gjërat, e shprehja e kërkesës së sinqertë për falje (ajo që arrin të shprehë në atë çast i penduari), e shoqëruar nga ‘votum confessionis’, pra, nga vendosmëria për të bërë rrëfimin sakramentor, sapo kjo të jetë e mundur, merr zgjidhjen e mëkateve, edhe ato mortare”, siç thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike (n. 1452).

 

Kisha provon forcën e bashkimit me shenjtorët

“Çasti aktual në të cilin ndodhet gjithë njerëzimi, i kërcënuar nga një virus i padukshëm dhe tinzar, që, prej kohësh, ka hyrë me prepotencë në jetën e të gjithëve – pohon Pendestaria Apostolike – karakterizohet ditë pas dite nga frikë plot ankth, nga pasiguri të reja e, sidomos, nga vuajtje të mëdha fizike e morale”. Nota përfundon me fjalët: “Kurrë si në këtë kohë, Kisha provon forcën e bashkimit me shenjtorët, i larton lutje e premtime Zotit të Kryqëzuar e të Ringjallur, në veçanti Flijimin e Meshës Shenjte, kremtuar nga meshtarët përditë, edhe pa popull” e, si “nënë e mirë, Kisha i përgjërohet Hyjit që njerëzimi të çlirohet nga kjo murtajë, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e së Lumes Mari Virgjër, Nënë e Mëshirës e Shëndet i të sëmurëve, si edhe atë të fatit të saj, shën Jozefit, nën mbrojtjen e të cilit Kisha ka ecur dhe ecën gjithmonë në botë”. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »