Sprova – përvojë transformuese

Mar 27 • Opinion

Nga Daniell D. Ukaj

 

Në këto ditë kur individi, përveçse, po ballafaqohet me frikën e pandemisë nga COVID-19, po ashtu është i frikësuar se ky virus mund ta prekë dhe ta rrezikojë edhe shëndetin e tij, e si pasojë ta kërcënojë jetën e tij.

Meqë individi nuk është i ndarë por, është një i tërë: trup – mendje – vetëdije ose shpirt, atëherë personi, në situata frike, alarmohet si i tërë, aktivizon të gjitha mekanizmat për ta përballuar në mënyrë më të shëndetshme këtë situatë. Por, në të njëjtën kohë, as “sulmi” nuk është i njëanshëm, por e prek individin si të tërë, duke implikuar te ai, bashkë me pjesën shëndetësore, edhe atë psikologjike, që e shoqëruar me frikë dhe ankth, e nxjerrë nga situatat rutinore dhe nga gjendja e sigurt ku ai ndjehej, duke e çuar në konfuzion e pështjellim.

Po ashtu ky individ që përmes lajmeve, sheh përditë numrin në rritje të të prekurve dhe numrin e të vdekurve, e bën atë të jetë më vigjilent, e në të njëjtën kohë e bën të ndihet më i ekspozuar dhe kështu personi kanalizon energjitë e tij kah ky shqetësim, duke dobësuar përkushtimin dhe përqendrimin e tij në gjërat aktuale. Dhe nëse kjo zgjat në kohë, individi mund të ndjehet i konsumuar dhe më i topitur. Dhe kështu gjendja e tij mendore bëhet më e brishtë, më e irrituar, do të ketë nivel më të ulët të humorit, disa herë duke u ndjerë i pashpresë dhe i dëshpëruar.

Gjithashtu, tani individi i cili i shkëputur nga bota e jashtme dhe nga shumë aktivitete, në vetminë e tij, ai në mënyrë të heshtur (proces qe kryhet me veten) ose të zëshme (duke komunikuar me anëtarët e tjerë) pyet dhe ngre pikëpyetje për ekzistencën e tij, kryesisht mbi kuptimin e jetës: Ç‘kuptim ka jeta? Pyetje e vjetër, por që në të shumtën e herëve lind në situata të vështira, kur individi dështon në planet e tij, ose kur t’i vijë sëmundja. Kur jeta e individit është e qetë, kjo pyetje rri e fshehur në ne.

Po ashtu, zhvillimi i jetës dhe i qytetërimeve na ofron shumë variante që të mos ndjejmë vetminë, kontaktin me unin, qenien tonë. Por, këto ditë gjithçka është pezulluar, dhe kur deri tani kjo pyetje ishte më e shpeshtë nëpër vende dhe grupe njerëzish si: reparte të onkologjisë, të sëmurë terminal, tek ata të mbërthyer në karroca, ata që dergjen në vuajtje e të vetmuar në shtratin e vdekjes, ata që i ka kapluar skamja e që luftojnë për mbijetesë dhe janë lënë në harresë, tek ata që ndihen të dëshpëruar por janë të trembur të kërkojnë ndihmë, ngase paragjykohen, tek ata që kanë bindje e prirje ndryshe nga ne, që ne i konsiderojmë të papranueshme etj. Ndërsa sot kjo është një pyetje kolektive: Ç’kuptim ka jeta? Pyetje që të step dhe me vështirësi e gjejmë përgjigjen. Por kjo pyetje edhe pse është vështirë të verbalizohet, të shprehet me gjuhë, përmes fjalës, ajo merr kuptim në veprimin e njeriut, vjen te njeriu përmes formave të ndryshme edhe të pavetëdijshme dhe merr përgjigje përmes akteve (veprimeve) te njeriut. Por ajo, di edhe të përhumbet nga veprimet e njeriut, arratiset, duke e bërë njeriun të huaj, pa kontakt me veten e tij, duke e bërë atë sipërfaqësor dhe një investues vetëm në gjëra të përditshme e jetëshkurtra. Në raport me këtë, filozofi gjerman i shek XX-të, Hajdeger propozoi dy modele ekzistence: gjendjen e përditshme dhe gjendjen ontologjike.

Ne gjendjen e përditshme, ju jeni krejtësisht të zhytur në mjedisin tuaj rrethues, dhe mrekulloheni si janë gjërat në botë; ndërsa në gjendjen ontologjike (studimi i qenies) ju përqendroheni dhe çmoni vetë mrekullinë e të “qenurit” dhe mrekulloheni që gjërat janë, që ju jeni. Kur jeni të përfshirë nga gjendja e përditshme, ju ktheheni drejt shpërqendrimeve jetëshkurtra, si p. sh. pamja fizike, stili, pasuritë apo prestigji. Në gjendjen ontologjike, jo vetëm që jeni më të vetëdijshëm për ekzistencën, vdekjen dhe karakteristikat e tjera të pandryshueshme të jetës, por gjithashtu jini më të angështuar (më të ndrydhur) dhe më të përgatitur për të bërë ndryshime të rëndësishme. Jeni më të gatshëm që të kapeni pas përgjegjësive thelbësore njerëzore, për të ndërtuar një jetë autentike angazhimi, lidhjeje, kuptimi dhe vetëpërmbushjeje.

Pra, këto dite, uroj që secili prej nesh të gjejë forcën që të mos e lëshojmë veten në dëshpërim, por duke mos humbur besimin për të ardhmen, sepse me humbjen e besimit për të ardhmen ne përcaktohemi për t’u shkatërruar shpirtërisht dhe fizikisht. Por këtë sprovë ta jetojmë mirë, duke u transformuar në mënyrë pozitive. Dhe kur kjo të kalojë të kthehemi më me empati (dhembshuri) me ata që vuajnë në përditshmëri, duke u aftësuar për të dëgjuar dhimbjen e tjetrit, si dhe duke u aftësuar për të pranuar veten dhe tjetrin.

Të mos mbytemi në konceptin e lumturisë që na ofrohet (shërbehet) nga media e reklama, e në lumturinë që shpeshherë është idhull tregu, por ta jetojmë mirë këtë kohë, duke e përvetësuar konceptin e dashamirësisë, si gjënë më të lartë që mund të arrijë njeriu!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »