Nota e Pendestarisë Apostolike në lidhje me Sakramentin e Rrëfimit në situatën aktuale të pandemisë (19 mars 2020 )

Mar 28 • Kisha në botë

“Unë jam me ju gjithmonë”

(Mt 28, 20)

 

Rrethanat e rënda aktuale imponojnë një reflektim mbi urgjencën dhe rëndësinë e Sakramentit të Rrëfimit, së bashku me disa saktësime të nevojshme, si për besimtarët laikë, ashtu edhe për meshtarët e thirrur për të kremtuar sakramentin.

Edhe në kohën e COVID-19, sakramenti i Rrëfimit mbarështohet në bazë të së drejtës kanonike universale dhe sipas asaj që është përcaktuar në Ordo Paenitentiae.

Rrëfimi individual përfaqëson mënyrën e zakonshme për kremtimin e këtij sakramenti (khs. CIC 960), ndërsa zgjidhja kolektive, pa rrëfimin paraprak individual, nuk mund të jepet përveçse aty ku ka një rrezik të afërt vdekjeje, duke mos mjaftuar koha për të dëgjuar rrëfimet e secilit pendestar (khs. CIC 961, §1), ose një nevojë e fortë (khs. CIC 96, §1, 2º), shqyrtimi i së cilës i takon ipeshkvit dioqezan, duke pasur parasysh kriteret e caktuara së bashku me anëtarët e tjerë të Kongregatës Ipeshkvore (khs. CIC 455, §2) dhe sidoqoftë edhe mbetet nevoja, për zgjidhjen e vlefshme, e votum sacramenti nga ana e secilit pendestar, do të thotë qëllimi për të rrëfyer në kohën e duhur secilin mëkat të rëndë, që për momentin nuk ishte e mundur t’i rrëfente (khs. CIC 962, §1).

Kjo Pendestari Apostolike mendon se, sidomos në vendet më të prekura nga infektimi pandemik dhe deri kur kjo dukuri të përfundojë, ekzistojnë rastet e nevojës së rëndë, për të cilat flitet në të lartpërmendurin CIC 961, §1.

Çdo specifikim të mëtejshëm e drejta ua kalon ipeshkvijve dioqezan, duke mbajtur gjithmonë parasysh të mirën më të madhe të shpëtimit të shpirtrave (khs. CIC 1752).

Nëse paraqitet nevoja e papritur për t’u dhënë zgjidhje sakramentale më shumë besimtarëve së bashku, meshtari ka për detyrë të paralajmërojë, brenda kufijve të së mundshmes, ipeshkvin dioqezan ose, nëse nuk mundet, ta informojë atë sa më parë (khs. Ordo Paenitentiae, nr. 32).

Prandaj, në emergjencën aktuale pandemike, i takon ipeshkvit dioqezan t’u tregojë meshtarëve dhe pendestarëve masat e ruajtjes së kujdesshme që duhet të marrin në kremtimin individual të pajtimit sakramental, si kremtimi në një vend të ajrosur jashtë rrëfyestores, mbajtja e një distance të përshtatshme, përdorimi i maskave mbrojtëse, gjithmonë duke pasur kujdesin absolut për ruajtjen e vulës sakramentale dhe për maturinë e nevojshme.

Gjithashtu, i takon gjithnjë ipeshkvit dioqezan të përcaktojë, në territorin e vet kishtar dhe relativisht me nivelin e infektimit pandemik, rastet e nevojës së rëndë në të cilat është e nevojshme të jepet zgjidhja kolektive: për shembull në hyrje të reparteve spitalore, ku gjenden të shtruar besimtarët e infektuar në rrezik vdekjeje, duke përdorur për sa të jetë e mundur dhe me masat e nevojshme parandaluese, mjetet e amplifikimit të zërit, në mënyrë që zgjidhja të dëgjohet.

Të vlerësohet nevoja dhe përshtatshmëria për të formuar, aty ku është e nevojshme, në marrëveshje me autoritetet shëndetësore, grupe “kapelanësh spitalor të jashtëzakonshëm”, edhe mbi bazë vullnetare dhe në respekt ndaj normave të mbajtjes nga infektimi, për t’u garantuar ndihmën e nevojshme shpirtërore të sëmurëve dhe atyre që janë në fill të vdekjes.

Aty ku besimtarët mund të gjenden në pamundësinë e dhimbshme për të marrë zgjidhjen sakramentale, kujtojmë se pendim i përsosur, që vjen prej dashurisë së Hyjit të dashur mbi çdo gjë tjetër, i shprehur nga një kërkesë e sinqertë për falje (ajo që në atë moment pendestari është në gjendje të shprehë) dhe i shoqëruar nga votum confessionis, domethënë nga vendim i ngultë për të bërë, sapo të jetë e mundur, rrëfimin sakramental, fiton faljen e mëkateve, edhe atyre mortore (khs. KKK, nr. 1452).

Kurrë më shumë se në këtë kohë Kisha nuk e ka përjetuar forcën e bashkësisë së shenjtërve, nuk i ka lartësuar Zotit të vet të Kryqëzuar e të Ringjallur njete e lutje, në veçanti flinë e Meshës së Shenjtë, të kremtuar përditë, pa popull, prej meshtarëve.

Si një nënë e mirë, Kisha i lutet Zotit që njerëzit të lirohen prej kësaj katastrofe, duke kërkuar ndërmjetësinë e së Lumes Mari Virgjër, Nëna e Mëshirës e Shëndeti i të sëmurëve, dhe të Fatit të saj Shën Jozefit, nën mbrojtjen e të cilit Kisha ecën gjithmonë në botë.

Shenjta Mari dhe Shën Jozefi fitofshin për ne hire të begatshme të pajtimi e të shpëtimit, në dëgjim të vëmendshëm të Fjalës së Zotit, që i përsërit sot njerëzimi “Ndaluni e shihni se unë jam Hyji” (Ps 46, 11). “Unë jam me ju gjithmonë” (Mt 28, 20).

 

Dhënë në Romë, nga Selia e Pendestarisë Apostolike, 19 mars 2020,

E kremtja e Shën Jozefit, fati i së Lumes Mari Virgjës, Pajtor i Kishës Universale.

 

                                                                               Kardinal Mauro Piacenza

                                                                                Pendestar Madhor

                                                                                                                                    Krzysztof Nykiel

                                                                                                                                           Regjent

Shpërndaje

Comments are closed.

« »