Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!

Mar 30 • Meditimi i ditës

30 mars 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 13, 1-9.15-17.19-30.33-62; Ps 23, 1-6; Gjn 8, 1-11)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i vetëdijshëm se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton me praninë e Hyjit.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë në atë çfarë jam.

Si kaloi dita? Si po e ndjej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala e Zotit

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Gjn 8, 1-11

 

1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. 2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. 3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes 4 dhe i thanë:

“Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. 5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”

6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. 7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha:

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe. 9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes. 10 Jezusi iu drejtua dhe i tha:

“Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?”

11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo.

“As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kur i vështrojmë farisenjtë dhe sjelljen e tyre edhe ne mund të bëhemi kritikë, të gjykojmë dhe të ngrihemi mbi të tjerët. “Mos shiko nga jashtë,” thotë Jezusi, “shiko në brendësinë tënde.” Do të shikoj në zemrën time dhe do të bëhem i vetëdijshëm se edhe unë kam nevojë për falje.
  • Fjalët e Jezusit: „Unë nuk të gjykoj“, njëherë të shqiptuara, vlejnë për të gjitha kohërat. Në lutje shpesh herë ndjehemi të gjykuar për shkak të së kaluarës sonë apo diçkaje prej së cilës na vjen turp. Kemi turp që kemi qenë të këqij apo që njerëzit i kemi shfrytëzuar për arritjen e qëllimeve tona personale. Më së miri më atë rast është që të vish para Zotërisë, me mëkate dhe turp, dhe të lejosh që fjalët e mëshirës: “Unë nuk po të gjykoj” ta mbushin zemrën tonë dhe ta pastrojnë mëkatin dhe fajin.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »