Sa e njoh Jezusin për të vërtetë?
31 mars 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Num 21, 4-9; Ps 102, 2-3.16-21; Gjn 8, 21-30)
Prania e Hyjit
Ia përkujtoj vetes se gjatë kohës së qëndrimit tim këtu ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.
Liria
Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lutem për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?
Fjala
E lexoj pasazhin e Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.
Lexoj ngadalë
dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet diçka.
Gjn 8, 21-30
21 Jezusi u tha përsëri:
“Unë po shkoj
e ju do të më kërkoni
dhe do të vdisni në mëkatin tuaj.
Ku unë shkoj,
ju s’mund të vini.”
22 Atëherë judenjtë thanë:
“A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“
23 E Jezusi u tha:
“Ju jeni prej këtu poshtë
kurse unë jam prej së Larti.
Ju jeni prej kësaj bote
kurse unë nuk jam prej kësaj bote.
24 Prandaj edhe ju thashë:
‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’
Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM
do të vdisni në mëkatet tuaja.”
25 Atëherë ata i thanë:
“Kush je ti?”
“Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit?
26 Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj;
porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë
dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.”
27 Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.
28 Atëherë Jezusi u tha:
“Kur ta ngritni Birin e njeriut,
atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM
dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë,
por flas ashtu si më mësoi Ati.
29 Ai që më dërgoi, është me mua
e nuk më la vetëm,
sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.”
30 Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë
- Dëgjuesit e Jezusit kanë qenë të kapur në logjikën vetjake – dëgjonin në mënyrë sipërfaqësore dhe nuk kanë arritur ta kuptojnë domethënien më të thellë të fjalëve të Jezusit. Jezusi më thërret që të jem afër tij, që të mund ta kuptoj se çka është përnjëmend e rëndësishme. Në padurimin vetjak mund të marr ndonjë libër, ndonjë frymëzim apo t`i bie ndonjë rruge të shkurtër, ndërsa Jezusi është me mua: ai më shpie në të vërtetën dhe njohjen e tij, të vetvetes dhe njerëzve, prej meje kërkon vetëm që t`ia jap dashurinë dhe kohën time.
- Sa i njoh njerëzit që i dua? Me siguri nuk i njoh më shumë dhe më mirë duke lexuar për ta, me këshillim apo duke u fiksuar për të mbajtur në mend. Raporti i shoqishoqëm zhvillohet me kalimin e kohës, në bashkëndarjen e mendimeve dhe dëshirave, duke dëgjuar, pranuar tjetrin me dashuri. Kreshmët janë thirrje në një raport më të thellë në mes meje dhe Jezusit.
Bashkëbisedimi
E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë që pikërisht e kam lexuar.
Çka më ka nxitur më së shumti në meditim?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të teksti në sipërfaqen e vetëdijes sime
ngadalë më dalin në kujtesë fjalët e shokut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar kohëve të fundit.
Nëse është ashtu, a e ndriçon tregimi atë çka teksti i Shkrimit Shenjt dëshiron të më thotë?
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të! Kur e mban Fjalën, fiton jetë »