12 mënyrat si ta nderojmë gjatë muajit Prill të Shenjtnueshmin Sakrament

Çka paraqet muaji Prill për katolikët dhe si ta nderoni me devocion në shtëpitë tuaja?

 

A e keni ditur se Kisha Katolike për secilin prej 12 muajve të vitit ka zgjedhur një devocion? Prilli është muaji i kushtuar të Shenjtnueshmit Sakrament. Sa e dhimbshme do të jetë për secilin prej nesh pasi gjatë këtij muaji të Eukaristisë, nuk do të mund të kungohemi, për shkak se dyert e kishave janë mbyllur në funksion të ndërprerjes së zinxhirit shpërndarës të koronavirusit. Krejt kjo do t`i jap një peshë të madhe urisë e etjes tonë për Kungimin e Shenjtë në këtë muaj kushtuar atij.

Agjërimi është gjithmonë moment sakrifice, por ajo që po sakrifikojmë gjatë këtyre Kreshmëve duket të jetë e paimagjinueshme dhe po peshon rëndë në zemrat tona. E, Nënës së Jezusit dhe nxënësve e tij iu deshtë ta shohin atë duke vuajtur, vdekur e në fund të përfundoj në varr. Pastaj iu deshtë të kalojnë me duresë jetën në terr për tre dite tejet të dhimbshme, në një botë frikëndjellëse, para se të vinte Ringjallja. Kështu, edhe ditët tona të territ do të kalojnë. Ne jemi njerëz të Pashkës.

Por për momentin, si çdo kryq i shenjtë që duhet bartur mbi shpinë, ne na është kërkuar ta bartim dhe t`i shkojmë pas Atij. Mund të jenë pikërisht kjo Kreshme që po kalojmë në shkretëtirë, uria dhe etja që po ndjejmë për Kungimin e Shenjtë, në këtë muaj të kushtuar Shenjtnushmit Sakrament, arsyeja që ne të dashurohemi edhe më shumë më Hyjin tonë.

Njeriu i ndarë nga dashuria e vërtetë nuk heq dorë nga të dashuruarit, por përkundrazi përpiqet të gjejë rrugën për ta shndërruar atë gjakim në bukuri e dhembjen në qëllim. Kështu që, le të bëhet pamundësia jonë për të marr Kungimin e Shenjtë gjatë këtij muaji, përcaktim për të rritur devocionin dhe adhurimin tonë ndaj Zotërisë dhe nderimin ndaj Eukaristisë, duke krijuar oaza shprese në shkretëtirë. Gjatë këtij muaji të prillit, ta kultivojmë gjakimin tonë për Hyjin, urinë e etjen tonë, që kur krejt kjo të mbaroj, e ne të kthehemi në Meshë, të jemi shumëfish më falënderues, më të përvuajtur e me shumë pasion t`i  bashkohemi pranisë reale të Tij.

Më poshtë do gjeni 12 mënyrat se si të bashkoni familjet tuaja me Kungimin e Shenjtë, gjatë këtij muaji:

 

  1. Merreni çdo ditë Kungimin Shpirtëror

Ju mund të gjeni lutje të ndryshme që ta bëni një gjë tillë, psh.: Jezusi im, unë besoj se Ti je i pranishëm në të Shenjtueshmin Sakrament. Të dashuroj Jezus ty mbi çdo gjë tjetër dhe të dëshiroj më gjithë qenien time të marr në shpirt. Pasi nuk  mund të marr në mënyrë sakramentale, eja së paku shpirtërisht te unë. Po të përqafoj Jezus dhe bashkoj vetën time tërësisht me Ty. Mos lejo kurrë të jem larg Teje. Amen. Po ashtu, të përfitojmë nga ndërmjetësia dhe i hiri i shumë shenjtërve që na bashkëngjiten gjatë këtij përjetimi të kungimit shpirtëror. Sa shumë gëzohet shpirti ynë kështu.

 

  1. Luteni Rruzaren e Shenjtë të Mëshirës Hyjnore

Shenjta Faustinë, apostull e Mëshirës Hyjnore, kishte një devocion të thellë ndaj të Shenjtnueshmit Sakrament, duke ia shtuar këtë fundit emrit të vet! Filloni lutjen e Rruzares së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore çdo ditë gjatë këtij muaji në orën 15:00, e veçanërisht të premteve, ditë kjo e dedikuar Mundimeve të Jezusit dhe Mëshirës Hyjnore që buron nga zemra Tejetshenjtë e Jezusit.

 

  1. Luteni Rruzaren çdo ditë

Gjatë këtij muaji kushtoni vëmendje të posaçme Mistereve të Dritës dhe të Mundimit. Misteret e Dritës (të Enjten) përfshijnë brenda vetës “Themelimin e Eukaristisë” kurse Misteret e Mundimit (të martën dhe të Premten) përfshijnë “Agoninë në kopshtin e Gjetsemanit” dhe “Kryqëzimin”, si Mistere të Eukaristisë. Ja një libër i cili mund t`iu shërbej për një tërheqje shpirtërore treditore në shërbim të reflektimit mbi Rruzaren e Shenjtëe: Sacred Braille: The Rosary as Masterpiece through Art, Poetry, and Reflections nga Annabelle Moseley.

 

  1. Vendoseni foton e Jezusit në qendër të tryezës tuaj

Për ta kthyer vëmendjen e gjithë familjes se Jezusi është fizikisht i pranishëm në Kungimin e Shenjtë e po ashtu edhe në kishën tonë shtëpiake, vendosni në tryezën tuaj një foto apo imazh të Mëshirës Hyjnore, të Zemrës së Krishtit ose një foto të dashur të Jezusit, që mund ta keni në shtëpi, diku.

 

  1. Lutuni çdo ditë duke ia kushtuar ato lutje Zemrës së Shenjtë të Jezusit

Është një bekim shërues ta fillosh ditën me fjalët: “O Jezus, përmes Zemrës së Papërlyer të Marisë, t`i ofroj ty të gjitha lutjet e mija, punën time, gëzimet e vuajtjet e kësaj dite, për të gjitha njetet e Zemrës Tënde të Shenjtë, në bashkim me Kushtimin Tënd të Shenjtë në të gjitha Meshët rreth e për qark botës, për faljen e mëkateve, për njetet e miqve dhe familjarëve të mi dhe në mënyrë të veçantë për njetet e Papës.”

 

  1. Adhurojeni fytyrën Tejetshenjtë të Jezusit

Pasi e marta është dita e javës që i kushtohet Fytyrës së Shenjtë, vendos që çdo të marte të Prillit të meditoni mbi fytyrën e Krishtit, me këto lujte: http://www.holyfacedevotion.com/devotion.htm. Do t`ju ndihmojë që ta ndjeni më afër praninë reale të Jezusit.

 

  1. Ndiqni Meshën në TV apo Online

Do të jetë kjo një mënyrë e mrekullueshme për të vazhduar adhurimin dhe shenjtnimin e të Dielës. Do dëgjoni leximet e ditës, do të bashkoheni në përgjigjet që jepen gjatë leximi të Psalmit dhe po ashtu do këndoni himne. Do jetë një ngjarje përbashkuese e familjare që do të lartësoj vërtetë shpirtin tuaj.

 

  1. Ndiqni adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakramen në TV apo online

Gjëje një kënd të qetë ku pa fjalë e veprime, kushtoja vetën Hyjit. Këtu mund të gjeni një nga shumë sitet që mund t`ju ndihmojnë në këtë: https://www.ewtn.co.uk/live/adoration.

 

  1. Luteni lutjen “Shpirti Krishtit”

Deri sa këto ditë jemi të uritur e të etur për Kungimin Shenjtë, ta lusim këtë lutje të bukur:

Shpirti i Krishtit, më shenjtno mue.

Korpi i Krishtit, më shëlbo mue.

Gjaku i Krishtit, deh, më ngij mue.

Uji i krahnorit të Krishtit, më pastro mue.

Mundimi i Krishtit, më forco mue.

O i ambli Jezus, më digjo mue.

Ndër varrët tua, ti më mfsheh mue.

Mos lejo me u nda prej Teje.

Prej armikut shpirtzi Ti më del zot mue.

Në fill të vdekjes sime Ti më thirr mue.

E ban që unë të vi te Ti,

E me shejten të levdoj Ty,

Për gjithmonë e motit të jetës.

Amen.

 

  1. Kërkoni ndërmjetësinë e Shën Katarinës së Sienës, Doktore e Kishës

Pasi që të gjithë shenjtërit janë të lidhur fort për të Shenjtnueshmin Sakrament edhe Shën Katarina e Sienës njihet për devocionin e saj të madh ndaj Jezusit Eukaristik. Festa e saj është me 29 prill. Ajo paraqet shenjtnin e duhun për ndërmjetësim gjatë këtyre ditëve pasi vuajtjet e saj kanë qenë të mëdha gjatë kohës sa ka bartur varret e Krishtit. Është një pikturë monumentale ku shihet barka e Kishës mbi supet e Shën Katarinës. Ta kërkojmë ndihmën e saj e të inspirohemi nga kjo shenjte që të kujdesemi për njëri-tjetrin.

 

  1. Duaj të afërmit tuaj

Shën Katarina e Sienës, si ma e devotshmja shenjte e muajit prill ndaj Kungimit të Shenjtë, na përkujton se dashuria për Jezusin Eukaristik duhet gjithmonë të na nxisë në dashuri ndaj të afërmit. Në librin Dialogu i Sh. Katarinës së Sienës, Jezusi i drejtohet asaj, “Shpirti, sa më shumë afrohet për të më njohur Mua, aq më shumë arrin të duaj të afërmin” (Dialogu 89). Prandaj, edhe pse shumica prej nesh janë në karantinë, duhet të frymëzohemi në dashurinë Eukaristike për të gjetur rrugët e ndihmesës për të tjerët por edhe për të përçuar dashurinë e Jezusit. Këtë mund ta bëjmë, po e zëmë, duke i dërguar tjetrit ushqime apo gjëra tjera të nevojshme, ose duke i telefonuar miqët të cilët këto ditë ndjehën të vetmuar.

 

  1. Dërgoni letër dashurie e Jezusit Eukaritstik

Ky mund të jetë plani: shkruaj letër apo kartolinë Jezusit. Kështu, Jezusi ynë Eukaristik, i cili meriton çdo adhurim në mënyrë që ne t`i pëlqejmë atij, do ta ndjejë praninën tonë në këto Kreshme  përmes letrave, kur ne nuk mund ta pranojmë atë në Kungim. Ideja është të krijojmë një kujtesë pamore, konkrete të dëshirës tonë për të Shenjtnueshmin Sakramentin. Si mund ta bëni këtë? Lexo më shumë në këtë link:

https://aleteia.org/2020/03/24/when-you-cant-go-to-mass-what-one-parish-is-doing-to-send-love-to-the-lord/

 

Burimi: aleteia.org

Përkthimi për Dritë: V.B.

Shpëndaje: