Liria dhe demokracia: raport i ndërsjellë  – II?

Apr 3 • Opinion

Nga Zef Ahmeti

 

Pas disa trajtesave të larmishme që i bëmë dhe pasi kemi ofruar disa mendime që dallojnë thellësisht prej njëri tjetrit, por edhe aso që kanë më pak diferenca, ne i jemi qasur edhe një aspekti tjetër, që do ta quaja edhe si boshtin e temës që kemi zgjedhur për ta trajtuar në kuadër të këtij punimi: pra raportin mes lirisë dhe demokracisë, apo ndryshe, a është demokracia liri, dhe cilat janë raportet e ndërsjella? Po ashtu, edhe kjo pikë ka në vetvete përfaqësuesit që kanë mendime të kundërta, që dallojnë dhe pozicionohen në njërin grup apo tjetrin. Ne do të fillojmë me disa aspekte, këndvështrime, qasje e vlerësime, që lidhen me kritikën që i bëhen demokracisë. Pastaj do të vazhdojmë me raportin mes demokracisë dhe lirisë, dhe në fund pak a shumë do të fitojmë një pamje më të qartë, se ku qëndron çështja dhe cili është mendimi pak më dominues lidhur me këtë raport të këtyre dy nocioneve.

 

Kritikat sistemit demokratik

Që nga mesjeta kanë ekzistuar mendime se liria dhe demokracia janë koncepte »defekte« dhe kështu ato janë të parealizueshme në realitetin praktik. Është bërë fjalë »për lirinë paradokse« dhe »demokracinë paradokse«.[1] Kështu në polisin grek demokracia kishte dy kuptime: a) sundimi nga gjithë qytetarët; ose b) si dominancë e shtresës së ulët (masës). Forma demokratike kritikohej me argumentin, se kjo (sc. demokracia) do mundësonte lindjen e tiranisë, pastaj se në të mungon arsyeja tek masa.[2] Shtresa e lartë kritikonte demokracinë me arsyetimin se ajo shpie tek një përfaqësim de facto të njëanshëm politik të masës së gjerë, në të cilin konstelacion, shtresa e pasur ka për të mbartur barrën e financës, por pa të drejtën për t’u privilegjuar me ndonjë detyrë zyrtare.[3] Ndryshe, demokracia vlerësohej se ishte formë që mundësonte sundimin e të varfërve mbi të pasurit.

Më tutje, demokracia gjykohet si një manifestim totalitar, dhe se ajo nuk përbën ndonjë formë të lirisë. Ky sistem emërtohet si formë e totalitarizmit. Mendime të ngjashme kemi dhe tek autorë të tjerë.[4] Kritikat bëhen edhe më të ashpra nga disa që njihen si antidemokratë, ku në adresën e sistemeve demokratike derdhin akuzat e ndryshme. Ky sistem akuzohet si i përshtatshëm për ta vjedhur shtetin, mendojnë ata. Partitë politike që votohen nga shumica, për të qeverisur, apo ato parti që hyjnë edhe në koalicione, kujdesen për t`i realizuar dëshirat e klientelëve të saj, në shpinë të partive opozitare. Në demokraci shteti nuk i takon askujt, andaj partitë pa kurrfarë ndërgjegje thithin shtetin sa janë në pushtet.[5][6] Meqë nuk ka demokratë të vërtetë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ajo shftryëzohet nga demagogët. Dhe se ky sistem politik nuk ka të bëjë aspak me lirinë mbasi demagogët kanë fjalën dhe udhëheqin, e kështu që asgjë nuk është e sigurtë.

Mirëpo si është e mundur që shumica e shteteve demokratike të jenë mashtruar nga ky sistem që mundëson plaçkitjen e shtetit? Antidemokratët mendojnë se kemi një mësim/edukim por dhe besim të gabueshëm rreth këtij sistemi. Mbase edhe Revolucioni Francez nuk është asgjë më shumë se revolucionet tjera të zakonshme – terror, plaçkitje, dhunë, përdhunime. Dhe se edukimi publik është ai që po ndikon në edukimin gabimisht, që të mendohet se demokracia është sistemi më i përshtatshëm për një shtet. Duhet thënë, sqarojmë, se kritikuesit e kësaj linje nuk njihen si komunistë, por si liberalë ekstremistë, që mendojnë se i tërë shteti dhe strukturat e tij duhet të privatizohen.

Dhe, mëtutje, shtrohet pyetja kritikuese: çka do të ndodhte nëse populli do të dëshironte (me vetëdëshirë) dhe do ta votonte një tiran për të ardhur në pushtet? Mbase liria është në harmoni logjike me tërheqjen (largimin) me dëshirë, dhe, po ashtu, në demokraci ekziston mundësia me anë të dëshirës së shumicës të largohet forma e demokracisë.

Demokracitë moderne vlerësohen edhe si aristokraci – kjo duke pasur parasysh ndërtimin e shoqërisë nga elitat e qytetarëve kompetente – por edhe si teknodemokraci të kontolluararreptësisht nga një oligarki ekonomike.[7]

 

Qëndrime më të thelluara antidemokracisë nga Hans-HermannHoppe

Sipas këtij autori me prejardhje gjermane, mësues universiteti në Amerikë, edhe vendet e Evropës vlerësohen si jo të lira, konkretisht Gjermania, me faktin se nëse dikush i kritikon qëndrimet e qeverisë, përkatësisht kush shprehet »politikisht jokorrekt« i mbyllet goja dhe izolohet.[8] Kjo gjendje vlerësohet si kufizim dhe rrezikon lirinë e shprehjes së mendimit. Akuzohet po ashtu neokonzervatizmi amerikan për qëndrimin e tyre, se nëse lindë nevoja demokracia të eksportohet edhe me dhunë atje ku ajo mungon.[9] Demokracia duhet të vlerësohet patjetër si »akt i dështuar« si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë historik edhe atë moral, vlerëson mëtutje.[10] Kjo kritikë, mbase siç gjykohet, ndihmon shkurtpamësinë, humbjen e kapitalit, ndihmon papërgjegjshmërinë dhe relativizmin moral. Dhe, mëtutje, ky sistem shpie në (shpër)ndarjen e të ardhurave dhe të pasurisë në mënyrë të dhunshme që përshkruhet nga një pasiguri e përhershme juridike, dhe, mbase, ndikon dhe ndihmon edhe ekzistencën dhe prezencën e demagogëve.[11] Këtu teoria e ashtuquajtur Whig e historisë, sipas të cilës njerëzimi në mënyrë kontinuitive është përherë në përparime dhe zhvillime, është gabim dhe jo e saktë.[12]

Deri në vitin 1914, është vënë re, se ka pasur vetëm tre republika në Evropë (Franca, Zvicra dhe pas 1911 Portugalia) dhe nga monarkitë e kohës me sistem parlamentar ka qenë vetëm Anglia.[13] Për t`i argumentuar edhe më shumë qëndrimet e tija, Hoppe niset edhe nga disa ngjarje historike që përshkruajnë ndryshimin e sistemeve politike. Hyrja e Amerikës në Luftën e Parë Botërore u ndikua edhe në reduktimin e monarkive dhe kështu Evropa hyn në një epokë të re të frymës demokratike dhe republikanizmit, luftë kjo (LPB) që vlerësohet si jo tradicionale; ajo klasifikohet si luftë ideologjike mes Amerikës dhe Austrisë – lufta si mision për të siguruar botën për demokraci, dhe për ta liruar nga dinastitë.[14] Dhe mbase ky gabim, sipas autorit në fjalë, ka mundësuar rënien e Carit Rus dhe mbretit Austriak që kanë qenë njëkohësisht edhe hapje e rrugës së bolshevizmit dhe rrezikimit nga komunizmi, por edhe të fashizmit dhe nacionalsocializmit, mbase sikur të kishin qenë ende në jetë monarkitë kjo gjë nuk do të kishte ndodhur, dhe as kolapset ekonomike nën sundimin e regjimeve komuniste nuk do ta kishin ndodhur mendon mëtutjeHoppe.[15]

Duke marrë si shembull krahasues, pa qenë edhe simpatizant, antidemokratiHoppe e merr monarkinë dhe krahason me demokracinë, ku kalimin në këtë të dytën e vlerëson si kthim civilizues mbrapa. Mbase, për dallim nga »administruesit« e »pasurisë publike«, mbretërit si pronar janë më të kujdesshëm në orientimet afatgjate të këtyre pasurive, që kanë më shumë interesim në shtimin e saj, dhe, mbase si të tillë, shumë pak ka vend për demagog,[16] kurse një situatë krejt të kundërt e kemi në demokraci – plaçkitje nga partitë në pushtet. Një demokraci me zgjedhjet e përgjithshme e kombinuar me qasjen e lirë për në qeveri, do të thotë që të mundësohet që prona private të kaloj pa pengesa në pronësi të dikujt tjetër. Dhe kjo gjendje do të mundësonte përpjekjet që ata që nuk kanë pas pasuri të mund të shërbehen dhe të shfrytëzojnë pasurinë e pakicës së pasur.[17]

Bartësit e organeve shtetërore, si gjykatës të fundit, në të gjitha rastet konfliktuoze janë në gjendje që ato konflikte, jo vetëm që t`i zgjidhin kundrejt shpenzimeve të mëdha dhe keq, porse ato (organet) edhe provokojnë e shkaktojnë konflikte e më pas për t`i zgjidhur në favor të tyre.

Si alternativë nga sistemi demokratik dhe atë të monarkisë propozohet ai «natyror», ku të gjitha pasuritë janë në pronë private të individëve apo grupeve. Rrugët, uji, e gjithë toka, gjitha objektet, një gjendje pa struktura shtetërore, pa tatim, pa gjykata shtetërore të monopolizuara dhe pa pronë publike, ndërsa sektorët e sigurisë, mbrojtjes së pronës, të drejtën dhe rendin, si dhe sektorët tjerë të kalojnë, të jenë në duart private.[18]

 

A e sjell demokracia lirinë?

Fillimisht duhet të theksojmë se deri në fund të shek. 18 përkitazi me liberalizmin dhe demokracinë kemi qasje që trajtojnë këto dy koncepte si të ndryshme e të pavarura njëra prej tjetrës. Këto dy fillojnë të shkrihen tek atëherë kur fillohet të flitet për demokraci liberale.[19] Këtu një rol ndikues e luan sidomos shkëputja e SHBA-ve nga monarkia e Anglisë që për vijim merr një sistem të ri të organizimit të jetës amerikane.[20]

Shkrirja e liberalizmit dhe demokracisë trajtohet në historinë e sistemeve politike si një kompromis,[21] ngjashëm si ndodhë edhe me kompromisin për demokracinë reprezantuese. Idetë amerikane të sistemit politik në Evropë sillen sidomos nga de Tacqueville francez që i përmbledh në librin e tij të njohur Demokracia në Amerikë (De la démokratieenAmérique –1835/1840). Nga ky ndikohen edhe mendimet e Gjon Millit.[22]

Kritika kryesore vjen për atë, se është gabim të vihen bashkë në një liria dhe demokracia. Një mendim thotë se liria në perëndim ka ekzistencë për qindra vite më herët se demokracia, dhe duke i shtuar këtij qëndrimi po ashtu pozicionin, se demokracia është rezultat i lirisë.[23] Liria nuk nënkupton sundimin e shumicës apo barazi në shanset jetësore. Vlerësohet se liria në një rregullim politik matet së pari në fuqinë e barrierave që mbrojnë individët nga masat e organeve të larta për ruajtjen nga armiqtë, demokracia si pushtet i shumicës nuk është liri të vendoset për jetën e individëve, dhe se mes demokracisë dhe lirisë nuk ka lidhshmëri të nevojshme.

Politologu amerikan JackSnyder vlerëson, se nacionalizmi nazist gjerman triumfoi mu për shkak të demokracisë.[24] Në të vërtetë demokracia si sistem nuk e bëri Gjermaninë të lirë.[25] Në vitet e `30 të shekullit 20, vlerësohet, se liberalizmi sulmohej si nga politika e djathtë po ashtu edhe nga ajo e majtë deri në atë shkallë sa fashistët dhe komunistët kishin arritur që demokracinë ta përdorin kundër liberalizmit, situatë kjo që përfundon, së bashku me demagogët, me Luftën e Dytë Botërore duke iu falënderuar intervenimit sidomos të SHBA-ve e njëkohësisht duke sjellë frymën amerikane të lirisë dhe demokracisë me çka fillon edhe një rend i ri politik.[26]

Tërhiqet vërejtja rreth rritjes së demokracive në botë që nuk kanë edhe lirinë në vete, që klasifikohen si demokraci joliberale, mbase në ato vende që përshkruhen si të tilla numri i zgjedhjeve është në rritje, por ato nuk përkojnë me idenë e demokracisë së vërtetë [27] – sigurimi i të drejtave të njeriut, individit dhe liritë tjera (p.sh. Rusia, Venezuela, Irani). Nisur nga kjo qasje del mendimi se atje ku kemi demokraci nuk do të thotë se kemi njëkohësisht edhe lirinë brenda saj (si Pakistani, Palestina). Në këto vende me demokraci të tillë regjimet injorojnë në mënyrë permanente kufijt juridiko-ligjor të pushtetit të tyre – çka edhe sot quhen si demokraci joliberale.[28] Përfundimi i këtij pozicioni është, se demokracia nuk e sjell njëkohësisht edhe lirinë me vete sepse ka mundësi që zgjedhësit e votojnë »Shtetin e Zotit« (shembull Irani) – kurse si rezultat kemi shkeljet pernanente të të drejtave të njeriut (shikuar nga këndvështrimi perëndimor).

Mëtutje kemi mendime që thonë, se liria dhe demokracia gjatë historisë kanë përjetuar zhvillime të ndryshme. Liria duhet të ketë ekzistuar para demokracisë në perëndim- deri në shek. e 18 kur këto dy elemente rriten në demokraci liberale (kujto Anglinë). Si konkluzion i këtij përfaqësimi pason mendimi, se para se të zhvillohet një demokraci e mirëfilltë, një shoqëri, a vend duhet të plotësojë disa parakushte për demokraci funksionale. Si kusht kryesor këtu gjykohet të jetë kapitalizmi – si rrugë drejt demokracisë dhe kjo lidhet me të ardhurat nga brutoprodukti vendor në shumë prej 3.000 dollarë amerikanë për kokë njeriu.[29] Po pyetja shtrohet pse duhet që mirëqenia të ndihmojë lirinë e demokracinë? Përgjigja jepet duke marrë për argument Evropën dhe zhvillimin e saj ekonomik, e që vlerësohet si kusht vendimtar për një qëndrueshmëri të liberalizmit dhe demokracisë.[30]

Ndonëse ky pozicion duket interesant nga logjika e qasjes, por ai si i tillë nuk mbetet pa u kritikuar me kundërargumente që duken po ashtu me peshë. Kështu lidhur me mendimin e lartcekur, se një shoqëri fillimisht duhet të pasurohet e pastaj të ndërtohet në demokraci, shtrohet pyetja kritike, se çka do të ndodhte atëherë me vendet e varfra, a do të thotë se ato duhet të mbesin oligarki e monarki deri sa të arrijnë shkallën e mirëqenies së kërkuar? A është demokracia diçka vetëm për të privilegjuarit? A do të thotë se demokratcia nuk është për vende të varfra, mbase atyre edhe u mungon kultura (politike)? Ndryshe, si qëndron me gjendjen e atyre vendeve që në të vërtetë vlerësohen si të pasura por kanë rregullim autokrat (Nigeria, Venezuela, Arabia Saudite etj.)?

Mbase për pyetjen e fundit kemi një përgjigje dhe ajo është se vendet, mendohet, që kanë pasuri nëntokësore janë më pak të zhvilluara si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik, për arsyen se pushtetarët shfrytëzojnë pasuritë dhe ia ndalojnë angazhimin politik popullit, me arsyetimin »s’ka tatim s’ka të drejtë (bashkë)ndikimi”. Kjo situatë ka bërë që të kemi një stagnim në fushat e industrisë, shërbimeve, dhe zhvillimit të atributeve tjera, ndërtim, automobil, teknologji. Popullata mbetet e pashkolluar dhe përqindja e madhe e analfabetizmit. Edhe pse këto janë vende me të ardhura të larta për kokë njeriu.[31] Pasuritë natyrore pengojnë zhvillimin në përgjithësi të shoqërisë, është teoria, qoftë në aspektin politik apo edhe në nxjerrjen e ligjeve.

Ndërsa tezën e kauzalitetit mes kapitalizmit dhe demokracisë e lirisë, atë do ta dëshmojë më së miri rasti i Kinës, vend ky që dalngadal po hapet me tregun e lirë, por duke i qëndruar besnik sistemit politik aktual.[32]

Sikur të pritej që të përmbushen këto kritere, që ndoshta dikund tjetër do të emëroheshin si »standarde«, atëherë do të duhej të kalojë kohë e gjatë. Andaj nuk duhet që demokracia të lidhet me kapitalizëm përkatësisht me standardin ekonomik të një vendi.

Prirja për të ndarë demokracinë me lirinë konsiderohet nga kritikuesit si i rrezikshëm – ngase në vendet e ndryshme me grupe të ndryshme etnike e fetare – njerëzit presin shpejt zgjedhje të reja, pra demokraci dhe vetëm kështu mund të vihet rendi, e drejta dhe liria. Sot gjykohet se është vështirë të bësh një ndarje mes demokracisë dhe të drejtave dhe lirive politike.

Në aspektin më të gjerë, kritikat vijnë edhe nga civilizime tjera, si ai islam, që e kritikojnë demokracinë perëndimore si »permisive« mbase kjo formë po e lejojka armikun ta shkatërrojë me vetë mjetet e saja.[33]

 

Disa elemente themelore të kuptuarit të demokracisë perëndimore

Meqenëse gati të gjitha shtetet thonë se janë shtete demokratike, sot, pas rënies së sistemit komunist në Evropë, ekziston një pajtueshmëri e gjerë lidhur me të kuptuarit e konceptit demokracisë, përkatësisht atë se çka e përkufizon atë. Sistemit demokratik, pra, i takon veçoria e pluralizmit politik që përfshin zgjedhjet e lira, sistemin shumëpartiak, mandej të drejtat e njeriut në kuptimin e të drejtave themelore liberale.[34] Këto të drejta që kanë në qendër të vëmendjes individin, ndryshe, që mbrojnë individin përballë shtetit dhe shoqërisë, burojnë nga filozofia natyrore evropiane.[35] Demokracia, sundimi legal i legjitimuar dhe të drejtat e njeriut sot vlerësohen si të pandashme. Atje ku të drejtat themelore të individit nuk kanë aplikim, nuk mund të flitet dhe nuk mund të ketë demokraci, e as shtet të së drejtës.[36]

Premisë e demokracisë, siç theksuam edhe më lart, është figura e njeriut si individ i lirë dhe vetëpërgjegjës, dhe demokracia është e lidhur ngushtë me lirinë dhe barazinë. Ndërsa liria dhe barazia mund të arrihen vetëm me anë të ligjit. Me anë të ligjit duhet të sigurohet liria dhe barazia, por njëkohësisht me anë të ligjit liria dhe barazia kufizohen deri në atë masë sa janë të nevojshme, që përdorimi i tyre të mos shkaktojë cenimin e lirive të tjetrit. Pra, liria nuk do të thotë të besh gjithçka, por duhet të respektohet parimi se edhe të tjerët duhet të shërbehen me këto dy elemente.[37]

Në një demokraci paqësore dinjiteti i njeriut ka vlerën më të lartë, dhe meqë liria individuale është vënë në qendër të sistemit juridik, është e pranueshme si vlerë në gjithë Evropën. Liria u takon njerëzve sikurse edhe të menduarit. Dhe nga ky i menduar dalin dëshira, paramendimi dhe plani.[38] Principi themelor i lirisë individuale ka rrënjët e thella, që ka të bëjë shumë me nderin, krenarinë, dhe si thamë dinjitetin. Qytetari i lirë në polisin grek, qytetari i lirë në antikë, germani i lirë, liria e luftarakut të armatosur, feudalët e lirë, banori i lirë i qytetit, etj.. Të gjithë nga këta kanë kërkuar të drejtën që atyre t`iu respektohet dëshira, që të mos ketë nevojë që ajo dëshirë të legjitimohet nga ndonjë dëshirë e huaj. Dhe kështu mund të themi se historinë e njerëzimit mund ta kuptojmë si luftë të përhershme për intensitetin dhe shkallën e lirisë.[39]

Po si qëndron raporti mes lirisë politike dhe lirisë së kulturës, apo a është liria politike kushti i vetëm që aspektet tjera të kuptohen si të vetëkuptueshme? Këtu vlerësohet se, problemi i lirisë dhe krijesave demokratike lidhen ngushtë me pyetjen, se çfarë është situata e një lloji të kulturës ekzistuese, d.m.th. kjo formë e mendimit na shpie të vlerësojmë se për një liri politike kusht është një kulturë e lirë. Me situatën e një kulture (nën)kuptohet një gjendje që (për)caktohet në njërën anë nga ndikimet reciproke të faktorëve të ndryshëm[40]– e që janë e drejta, dhe politika, industria dhe tregtia, shkenca dhe teknika, artet e shprehjes dhe informimit – dhe moralit në anën tjetër apo atyre vlerave që vlerësohen nga njerëzit, si dhe mënyrës se si ndodh e gjithë kjo, kushtet e jetës, filozofia sociale.[41]

Për traditën e demokracisë amerikane, që shpesh merret si shembull nga shumë vende, thuhet se ka karakter zakonor e jo karakter abstrakt, politik apo materialist e utilitarist. Ajo është zakonore sepse ka zënë rrënjë në besimin, se natyra njerëzore është e aftë që ta ndihmojë njeriun drejt një lirie që përcillet nga një respektim dhe marrje parasysh edhe individëve të tjerë për një stabilitet social e që nuk e ka për bazë detyrimin.[42]

Një çështje me peshë në këtë kontekst është edhe ajo, se si të sillemi me lirinë? Kjo i përket jo vetëm një bashkësie njerëzish, porse edhe individëve. Pra se si duhet ta shfrytëzojmë lirinë, në mënyrë pozitive, apo më shumë si shanse për të avancuar energjitë negative.[43] Po çka e (për)bën lirinë, dhe për çka shërben ajo? Liria është veçori e dëshirës, e cila jetësohet nëpërmjet të vërtetës, ajo u jepet njerëzve që të zbatohet, dhe se ajo është kategori etike. Apo, siç gjykon edhe mendimi tjetër, liria i është dhënë njeriut nga Krijuesi si detyrë dhe virtyt, për ta zgjedhur të vërtetën për të mirën me lirin e vet personit.[44]

Një shoqëri e lirë varet nga edukimi i rinisë në frymën e lirisë dhe ata i aftëson të jenë të aftë për liri.[45] Edhe vetë familja si element i pakapërcyeshëm për ta mësuar mënyrën e sjelljes me lirinë duhet të jetë më i avancuar.[46]

Sistemi demokratik është i tillë që mundëson marrjen e pushtetit për kohë të kufizuar. Ajo kërkon legjitimitetin nga populli me anë të zgjedhjeve që përsëriten dhe kështu ajo bën që të bëhet një politikë që përcaktohet për një periodë zgjedhjesh e që është e konceptuar rreth një afërsie aktuale. Ndërsa stabiliteti i shtetit dhe i ndarjes së pushteti varet nga fakti, se si ushtrohet liria individuale.[47]

Liritë themelore (të dhëna në kushtetutë) sigurojnë para se gjithash lirinë përballë shtetit, një veprim pa parapërcaktime nga ana e shtetit dhe larg nga organet e tija. Mirëpo edhe liritë kanë kufizime. Arti i sigurimit të lirisë qëndron në atë, që liritë të rregullohen ashtu thjeshtë që secili ta ketë mundësinë të përfitojë. Siguria e lirisë nga ana e shtetit duhet të rregullohet në mënyrë të matur e që garanton ndihmë të mjaftueshme për t`i siguruar liritë, porse një tutori – qoftë edhe në kuptimin pozitiv – duhet të mënjanohet. Fundja të drejtat e lirive duhet të jenë shkas për ata që i gëzojnë ato të drejta që nuancat e lirive të tyre t`i mbrojnë në mënyrë autonome dhe njëkohësisht ato t`i zhvillojnë më tutje.[48]/drita.info

 

—————————-

[1] Becker, 1983:199

[2] Lieber, 1993:27.

[3] Lieber, 1993:28.

[4]Sofsky, 2005.

[6] Hoppe, 2003.

[7]Canivez, 2004:27.

[8] Hoppe, 2003:7.

[9] Hoppe, 2003:9-10.

[10] Hoppe, 2003:160-164.

[11] Hoppe, 2003:10, 159.

[12] Hoppe, 2003:159-161.

[13] Hoppe, 2003:113.

[14] Hoppe, 2003:21.

[15] Hoppe, 2003:27.

[16] Hoppe, 2003:11.

[17] Hoppe, 2003:203.

[18] Hoppe, 2003:159.

[19]Göhler/Klein, 1993:372.

[20]Göhler/Klein, 1993:373.

[21]Göhler/Klein, 1993:412.

[22]Göhler/Klein, 1993:449.

[23] Zakaria, 2005:26.

[24] Snyder, 2000:118.

[25] Zakaria, 2005:58.

[26]Zakaria, 2005:63.

[27] Zakaria, 2005:85.

[28] Zakaria, 2005:87.

[29]Zakaria, 2005:65.

[30]Zakaria, 2005:67-69.

[31]Zakaria, 2005:69-72.

[32]Zakaria, 2005:77-80

[33]Tibi, 2001:131-35

[34]Pelinka, 2005:14.

[35]Tibi, 2001:130.

[36]Tibi, 2001:130.

[37]Ahmeti, 2005:59.

[38]Di Fabio, 2005:71.

[39]Di Fabio, 2005:171.

[40]Dewey II, 1993:25.

[41]Dewey I, 2003:21.

[42] Dewey I, 2003:21-22.

[43] Paul, 2005:51.

[44] Paul, 2005:59-65.

[45]Kirchhof, 1995:4.

[46] Kirchhof, 1995:9-10.

[47]Kirchhof, 1995:1-5

[48]Kirchhof, 1995:12.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »