Udhëzimet baritore të Dioqezës Prizren-Prishtinë për kremtimin e Javës së Madhe dhe Festës së Pashkëve në kohën e COVID-19

Apr 4 • Kisha në Kosovë

Prot. Nr. 69 /2020                                                                                Prishtinë, 03/04/2020

 

 

KREMTIMI I JAVËS SË MADHE DHE FESTËS SË PASHKËVE 

në kohën e COVID-19

 

 

 

Fort të dashur vëllezër meshtarë,
rregulltarë e rregulltare,
katekistë e grigjë!

 

Rrethanat që janë krijuar me pandeminë COVID-19, në mënyrë të pavullnetshme jemi të detyruar t’iu përshtatemi mënyrave të reja të veprimtarisë baritore në Dioqezën tonë.  

Edhe Selia Apostolike, me krijimin e këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, është përpjekur që t’iu vijë në ndihmë kishave në të gjithë botën. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, më 19 mars 2020, në të kremten e Shën Jozefit, pajtor i Kishës universale, ka lëshuar një Dekret, me të cilin udhëzon si duhet ta kremtojmë sivjet festën e madhe të Pashkëve. Kongregata për Doktrinën e Fesë, po ashtu, ka dhanë shpjegimet e nevojshme të këtij dekreti, ndërsa Pendestaria Apostolike ka dhanë udhëzime për kremtimin e sakramentit të Rrëfimit dhe për Ndjesën e plotë.

Veç kësaj ISHP, IKSHPK dhe autoritetet civile kanë dhanë udhëzime, vendime dhe propozime, për të ndalur përhapjen në masë të COVID-19, të cilat ne si qytetarë të këtij vendi jemi të detyruar t’i zbatojmë. Jo vetëm kaq, por duhet të jemi edhe shembull në zbatimin e tyre.

Që t’iu përgjigjemi sa më mirë nevojave të shpirtrave, në rrethanat e pandemisë sipas realitetit që kemi, me kujdes kam shqyrtuar të gjitha propozimet dhe këshillat tuaja të cilat iu kërkova me E-mail, të datës 25.03.2020, për çka dua të ju falënderoj me gjithë zemër.

Bazuar në dekretin dhe udhëzimet që kemi marr nga Selia Apostolike, vendimeve të institucioneve civile, propozimeve të meshtarëve dhe gjykimit tonë, jap këto udhëzime që lidhen me kremtimin e Javës së Madhe dhe Festës së Pashkëve.

  1. Mesha e Shenjtë, duhet të vazhdoj të kremtohet sipas udhëzimeve të mëparshme në kishat famullitare, pa pjesëmarrjen e besimtarëve. Edhe ata pak bashkëpunëtorë që janë të domosdoshëm për mbarëvajtjen e kishave dhe kremtimin e meshëve, duhet ta respektojnë distancën fizike dhe udhëzimet e tjera të institucioneve të vendit.
  2. Celebrimi i sakramenteve dhe sakramentorëve, mund të bëhet vetëm në raste emergjente, me pjesëmarrjen vetëm të atyre që janë të domosdoshëm dhe pasi të jenë krijuar kushtet për të respektuar udhëzimet e IKSHPK-së.
  3. Takimi i Rinisë Dioqezane, i paraparë për të shtunën para të Dielës së Larit, do të bartet për të shtunën e fundit të muajit maj, në Letnicë, ku kanë zanafillën këto takime.
  4. Të Dielën e Larit, në orën 11:00, mesha e shenjtë të kremtohet vetëm në kishën famullitare. Unë në Katedrale e meshtarët nëpër kishat famullitare do të bëjnë lutjen e bekimit mbi rrembat e ullirit, kurse, në të njëjtën kohë, besimtarët le të bekojnë ato nëpër shtëpitë e veta.
  5. Rrëfimet, që rëndom organizohen nëpër famullitë tona për festën e Pashkëve, nuk do të mbahen. Këndej, besimtarët mund të marrin Ndjesën e plotë, pasi të kenë përmbushur një nga kushtet e parapara nga Pendestaria Apostolike. Ata që e lusin Rruzaren në Familje, ose individualisht iu janë bashkuar ipeshkvijve shqiptarë në lutjen e Rruzares në mbrëmje, me njetin që kur të jetë e mundur, të bëjnë rrëfimin sakramental.
  6. Të Enjten e Madhe, në orën 11:00 në Konkatedralen e Prishtinës do të celebrohet Mesha e Krizmës, vetëm me pjesëmarrjen e meshtarëve që jetojnë me ipeshkvin në ordinariat.

Meshtarët e tjerë, në të njëjtën kohë, le të jenë në kishat famullitare duke kundruar Krishtin e pranishëm në Hosten e Shenjtë, të sodisin thirrjen e tyre, dhuratën e meshtarisë dhe le të përtërijnë premtimet meshtarake.

Në mbrëmje, në orën 18:00 në gjitha kishat famullitare le të kremtohet Mesha e Darkës së Zotit, duke përjashtuar larjen e këmbëve dhe procesionin me të Shenjtnueshmin Sakrament.

  1. Të Premten e Madhe, në gjitha kishat famullitare, në orën 15:00, le të celebrohet riti i adhurimit të Kryqit. Gjatë lutjeve të gjithëmbarshme propozoj të shtohet edhe kjo uratë:

Le të lutemi vëllezër e motra, për gjithë popujt e botës, që në këto ditë të shenjta, janë të detyruar të rrinë të ngujuar nëpër shtëpitë  e veta, për ata që janë duke luftuar për jetë a vdekje, të infektuar me virusin Covid-19, për ata që kujdesën për shërimin e tyre, edhe për ata që kanë dorëzuar shpirtin Hyjit Atë.

Të Lutemi: O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, Ti që je ngushëllimi i gjithë njerëzimit, na ngushëllo me dashurinë tënde të pamasë në këto ditë të vështira, ji afër të gjithë të sëmurëve e shëroi nga virusi që po i vret, ki mëshirë për ata tashmë që, si Biri yt nga Kryqi, ta kanë dorëzuar shpirtin. Po ashtu, po të lutemi, ngushëlloj të gjithë ata që po përjetojnë dhimbjen për humbjen e të dashurve të tyre, pa pasur mundësi t’i ndihmojnë,  mu ashtu sikur vuante Virgjëra Mari deri sa të përcillte rrugës së Kalvarit. Amen.

  1. Të Shtunën e Madhe, Mesha e Vigjiljes së Pashkëve do të kremtohet në Katedrale, në orën 21:00. Në mbarim të meshës, ipeshkvi do ta lutë lutjen e bekimit të bukës së Pashkës, kurse njëri nga anëtarët e familjes (ose personalisht ata që jetojnë vetëm),  në të njëjtën kohë, do ta bekojnë me ujin e bekuar që kanë në shtëpitë e tyre.

Mesha e Vigjiljes së Pashkëve, le të celebrohet në gjitha kishat famullitare, sikurse është paraparë në dekretin e Kongregatës së Kultit Hyjnor dhe Disiplinës së Sakramenteve. (shih dekretin e bashkëngjitur).

I ftojmë të gjithë besimtarët që në këtë Vigjilje të shenjtë, të ndezin qiriun e pagëzimit (ose një qiri tjetër) gjatë gjithë meshës.

  1. E Diela e Pashkëve. Mesha e shenjtë le të kremtohet në orën 11:00, pa praninë e besimtarëve, vetëm në kishën katedrale dhe ato famullitare.

Pas Meshës së Pashkëve, i ftoj të gjithë meshtarët që në shtëpitë famullitare, rregulltarët/ret në kuvende dhe besimtarët në shtëpitë e tyre, të shtrojmë tryezën e Pashkëve, në të njëjtën kohë (12:30), e të festojmë së bashku me ata që i kemi në shtëpi, por edhe shpirtërisht të bashkojmë gëzimin tonë me të gjithë të tjerët.

  1. Nën përgjegjësinë personale të besimtarëve dhe të atyre që iniciojnë, mund të ketë zgjidhje kreative, për ndarjen e kungimit, bekimin e larit, bukëve ose dhe ndarjes së sakramenteve, pasi të jenë respektuar të gjitha udhëzimet tona të mëparshme, të IKSHPK-së dhe vendimeve të tjera të autoriteteve publike e civile.

 

Me dhembje në zemër, por me shpresën e gjallë në Krishtin e Ringjallur. Zoti mos na sprovoftë kurrë më, që në këtë mënyrë t’i kremtojmë Pashkët!

Ipeshkvi Juaj,  

+ Dodë Gjergji

Shpërndaje

Comments are closed.

« »