Mbi besimin në Hyjin në kohërat e vështira që po përjetojmë

Apr 7 • Këndvështrime

Lexues/e i/e nderuar, besoj se gjatë këtyre ditëve të gjithë jemi duke jetuar më të njëjta ndjenja të frikës dhe të ankthit për atë që po ndodh në botë. Shpresoj që karantina të na ketë afruar më shumë me familjen dhe me Zotin. Po dëgjojmë lajme të tmerrshme nga të gjitha anët, analiza dhe parashikime të studiuesve të llojeve të ndryshme, sipas asaj fjale të urtë “dikush thumit e dikush patkonin” dhe kam frikë se gjithnjë e më shumë po rrezikojmë ta humbasim edhe atë pak shpresë që ka mbet në ne.

Unë, përpos Meshëve dhe lutjeve, të cilat ia kushtoj Zotit për çdo ditë për Ju të gjithë, e për botën mbarë dhe solidarizimit me të gjitha familjet e prekura nga koronovirusi vdekjeprurës, kam menduar si të ju ofroj, para së gjithash besimtarëve të mi, më tepër shpresë, inkurajim dhe motivim, duke e kthye vëmendjen tonë kah Zoti Krijues, Drejtues, Mëshirues dhe Shpëtimtar i vetëm njerëzimit. Nga përsiatjet, lutjet dhe leximet e mia për fillim po e veçoj një ndër shkresat domethënëse, shpresëdhënëse dhe profetike për njerëzimin e ditëve tona, që vjen nga kryeipeshkvi e më vonë kardinali i mirënjohur kroat, i lumi Alojzije Stepinac.

Kush ishte ai? Lindi në vitin 1898 dhe vdiq në vitin 1960. U shugurua meshtar në vitin 1930. Në propozimin e tij u krijua Caritasi i Kryeipeshkvisë së Zagrebit. Në vitin 1934 shugurohet ipeshkëv dhe emërohet koaudiutor i kryeipeshkëvisë së Zagrebit dhe në vitin 1937 kryeipeshkëv i të njejtës Kishë. Shquhet si punëtor i paepur në vreshtin e Zotit, kultivues dhe mbrojtës i devocionit ndaj Virgjërës Mari, studiues dhe predikues i palodhshëm, luftëtar i pashoq i vlerave fetare dhe kombëtare, morale dhe etike, sociale dhe kulturore të kombit dhe të krishterimit nën zgjedhën më të egër të komunizmit. Kjo edhe i kushtoi maltretime dhe vuajtje të pashoq, të cilat përfunduan me procese të montuara gjykimi, nga të cilat u dënua me plot 16 vite burg dhe punë të detyruar. Pesë vite i kaloi në burgun në Lepoglava, ndërsa nga viti 1951 dhe deri më 10 shkurt 1960, kur edhe vdiq, në burgun shtëpiak në Krašić dhe pas një beteje të ashpër të Kishës me autoritetet komuniste u varros në kripten e katedrales së Zagrebit.

Papa Pio XII e emëroi kardinal në vitin 1952, ndërsa Papa Gjon Pali II, më 3 tetor 1998 me rastin e vizitës së tij në shenjtëroren nacionale kroate, Maria Bistrica, e ngriti në altar duke e shpall të lumë.

Motoja ipeshkvore e tij ishte: “In Te, Domine, speravi“ (Në ty, o Zot, shpresoj“). Kardinalin Stepinac e karakterizoi një shpirt i madh i fesë, një mendje e ndriçuar, një guxim i pashoq, një shpresë kundër çdo shprese, një kulturë e trashëguar nga brezat e edukuar në disiplinë dhe virtyte, një moral i pamposhtur. E kaluara e hidhur e popullit tonë, sidomos e atyre pjesëve të ish Jugosllavisë (besoj edhe e shumë lexuesve), ka shumë të përbashkëta me personin në fjalë: agresori i përbashkët, ideologjia e përbashkët, kultura dhe mentaliteti deri diku i ngjashëm, vuajtjet e përbashkëta, nënqielli i përbashkët, idealet e përbashkëta.

Qarkoren në fjalë, që e përktheva me shumë dashuri dhe gëzim, e konsideroj si një përgjigje të mirë, të cilën më plot kuptimin e fjalës do ta quaja profetizim për kohën që po jetojmë. Edhe pse e shkruar në vitin 1945, me një gjuhë të kohës, ajo ofron një përgjigje domethënëse dhe shpresëdhënëse që mund të dëgjojmë gjatë përballjes me këtë pandemi kaq të rrezikshme dhe enigmatike. Duke e bërë timen krejtësisht, u ofroj të të gjithëve si një ilaç mjekues shpirtëror në Javën e shenjtë, me shpresë se rrugëzgjidhja e propozuar në të, të jetë e pranueshme për të gjithë.  Po ta tërhiqnim një paralele mes atyre që sot po e përfaqësojnë politikën, fenë, kulturën, ekonominë, moralin etj. dhe të kardinalit Stepinac me trishtim mund të klithim edhe ne: “O tempora, o mores!”.  

 

 

Qarkore

 

Alojzije

Sipas mëshirës hyjnore dhe të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi i hirshëm i argjipeshkvisë së Zagrebit, të gjithë besimtarëve të vet, hir dhe paqe nga Hyji, Ati i ynë dhe Zoti Jezu Krisht!

Shumë të dashur besimtarë! Kemi hyrë në vitin e shtatë kalendarik të luftës së dytë të tmerrshme botërore, e cila me përmasat, llahtarit dhe qëllimet e saja, i tejkalon të gjitha luftërat e njohura në historinë e njerëzimit. Prandaj, edhe nuk çuditemi që aq shumë njerëz janë ligështua në shpirt, duke mos e kontrolluar më veten në vorbullat e jetës. Me fjalë tjera, u harxhua besimi në shumë shpirtra, ndërsa në shumë të tjerë është dobësuar shumë besimi në Hyjin personal, Krijuesin e botës. Ka shumë arsye për këtë. Libri i Urtisë, në Shkrimin shenjt, i përmblodhi ato më të rëndësishmet në fjalët: “Sepse mendimet dhelparake na ndajnë nga Hyji, kurse Gjithëpushtetësia e vënë në provë i ndëshkon të patenzonët. Sepse urtia nuk hyn në shpirtin bakeq dhe nuk banon në trupin skllav të mëkatit. Sepse shpirti mësues shenjtërimi ikën nga shtiaku, largohet nga mendimet e marra dhe errësohet posa ia beh paudhësia.” (Ur 1, 3-5).

Pra, një ndër arsyet e mëdha të dobësimit të besimit në Zotin, është krenaria. Kjo është krejt në përkim me thënien e njohur, se marrëzia dhe krenaria rritën në të njëjtën pemë. Andaj, është lehtë ta kuptojmë faktin, se njerëzit më të vërtetë të ditur, zakonisht janë të mbushur me besim të gjallë në Hyjin Krijues të botës, ndërsa krenarët e mëdhenj e përçmojnë Hyjin, për t’u përmbushur fjalët e Shkrimit shenjt: “Sepse shumë i bëri të gabojnë hamendja e vet dhe duka e kotë i rrejti shqisat e tyre.” (Sir 3, 26).

E kur njeriu mashtrohet në arsye, atëherë nuk është e gjatë as rruga e mashtrimit në vullnet, domethënë në jetën e mbrapshtë. Mirë thotë papa Luani XIII: “Meqë qëndron në natyrën e njeriut, që në veprimet e veta ta marrë arsyen për t’i prirë, ky mashtrim i arsyes lehtë tërheq me vete gabimin e vullnetit; dhe kështu ndodh që mendimet e gabuara, të cilat e kanë selinë e tyre në arsye, të ndikojnë në veprimet njerëzore dhe t’i prishin ato.” (Enciklika: “Aeterni Patris”).

 Dhe asgjë, pra, nuk e largon njeriun nga Zoti, sesa jeta e mbrapshtë. Kjo është krejtësisht e kuptueshme. Ndriçimi i diellit në mënyrë të shkëlqyeshme reflekton në ujin e pastër, ndërsa në atë të turbullt dhe të ndotur kurrsesi. Kështu edhe njeriu, i cili jeton një jetë të pastër, e kërkon me kënaqësi Zotin, si Atë, i cili njëherë do ta shpërblejë për veprat e tija të mira. Ndërsa njeriu i mbrapshtë, nuk dëshiron të dëgjojë mbi Hyjin, madje edhe e urren Atë, sepse e di, se njëherë duhet t’i japë llogari për veprat e këqija të jetës së vet. Njeriu me një jetë të shthurur është si një kafshë memece, sepse vrapon pas kënaqësive kalimtare tokësore, në vend që të kujdeset për të mirat e përjetshme të pakalueshme, që u premtoi Hyji atyre që e duan.

Dhe kështu, ndërsa njeriu i sotëm u largua nga Zoti, ai iu drejtua krijesave. Kështu u përmbushën fjalët e Shën Augustinit: “Shumë u çmendën, sepse e konsideruan veten të mençur.” (Në Gjn 14 (Pl 35, 1503)).

E ku do çmenduri ma të madhe, se kur njeriu i sotëm përsërit fjalët e të patënzotit të vjetër: “Rastësisht lindëm e, pas kësaj jete, do të jemi si të mos kishim qenë kurrë! Sepse tym është fryma në hundët tona, mendimi ynë është një shkëndijë në rrahjen e zemrës sonë! Kur ai mëndim të fiket, trupi ynë kthehet në pluhur, kurse shpirti shpërndahet si ajri i hollë… Ejani, pra, e t’i gëzojmë të mirat që i kemi, t’i përdorim krijesat më flakërimin rinor!” (Ur 2, 2-6).

Prandaj, krejt mendimi dhe dëshira e shumë prej njerëzve të sotëm është drejtuar në grumullimin e pasurisë, në rrugët e kënaqësive, në ahengje të ndryshme dhe në dehje, përballë seriozitetit gjithnjë e më të tmerrshëm të kohës, në të cilën jetojmë. Njerëzimi i kohërave tona i ngjan njerëzimit para përmbytjes së gjithëmbarshme, për të cilën flet Jezu Krishti, kur profetizoi mbi mbarimin e botës: “Dhe, si qe në ditët e Noehit – ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra, deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë, derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu.” ( Mt 24, 37-39).

 Kur shikojmë se si sot qytetet e mëdha shkërmoqen në hi e pluhur, si i djeg flaka e tmerrshme, kush nuk e kujton fatin e Sodomes dhe Gomorres, të cilat i zhduki zjarri nga qielli për arsye të mbrapshtive të tyre kundër natyrës. Dhe kur shikojmë kaq shumë konfuzion në botën e sotme, kush nuk e kujton njerëzimin që ndërtoi kullën e Babelit, duke harruar, se urdhrat e Zotit s’mund të shkelen kurrë me pandëshkueshmëri.

Njeriu i sotëm po ec në të njëjtën rrugë. Në vend që të jetojë në ndërtesën e mrekullueshme, të cilën e ndërtoi dora e Hyjit të Gjithëdijshëm dhe të mirë në bazë të dhjetë urdhërimeve dhe dashuria e Tij e pakufi, e zbuluar në Ungjill, të cilin Jezu Krishti e solli në botë, njerëzit e ditëve tona nuk janë të kënaqur më këtë, por duan që me duar e veta të krijojnë një shtëpi të re, një kullë të re babilonase, të ndërtuar mbi bazën e luhatshme të pasioneve njerëzore, të mashtrimit të mendjes e të vullnetit.

 

Dekurajimi i besimtarëve të mirë

Për shkak të prishjes së përgjithshme dhe përballë kaq shumë fatkeqësive që ranë mbi njerëzimin, nuk është për t’u çuditur se shumë besimtarë të mirë janë ligështuar shpirtërisht. Dhe ata sot, të habitur pyesin, pse kaq shumë tmerre në botë? Nuk mund ta kuptojnë, pse duhet të vuajë njësoj i drejti dhe i padrejti. A është në gjendje Zoti ndonjëherë të frenojë të gjitha këto ligësi dhe të rivendosë përsëri rendin e krishterë në tokë? Mendime të ngjashme iu imponuan edhe psalmistit të devotshëm, kur populli i Izraelit ishte në robëri, në Babiloni, ndërsa kundërshtarët e tyre talleshin me të, duke e pyetur: “Ku është Hyji i tyre?” (Ps 115, 2).

 

Është fakt, se këto fatkeqësi të tmerrshme janë bamirësi e madhe e Hyjit

E di, se shumë do të çuditen, kur t’i dëgjojnë këto fjalë. A janë, vallë, mirësi e Hyjit mijëra shtëpi të djegura, urat e shkatërruara, shkatërrimi i ndërtesave publike, i familjeve të varfra, i fëmijëve të braktisur, i njerëzve të vrarë? Për atë, që i sheh të gjitha gjërat vetëm me sytë e trupit, sigurisht që nuk është kurrfarë bamirësie, por një fatkeqësi e tmerrshme. Por, për njeriun që i sheh të gjitha gjërat me sytë e fesë, të këqijat e tanishme janë me të vërtetë bamirësi e madhe e Hyjit. Nëse një vreshtari, breshëri do t’ia shkatërronte vreshtin, do të ishte çmenduri t’i flisnim për ndonjë bamirësi. Por, nëse breshri që shkatërroi vreshtin e tij, do të ishte ar i pastër, ai me siguri nuk do ta konsideronte atë si një fatkeqësi, por si një përfitim të madh, sepse dëmi material do të ishte 100 herë i paguar më vlerën e arit.

Kjo gjë është kuptuar mirë nga Shën Pali apostull, kur, përkundër të gjitha vuajtjeve që po e arrinin, thotë: “Jam plot ngushëllim, sepse, edhe me ngushticën tonë, prapë gëzimi ynë nuk ka masë.”( 2 Kor 7, 4) Kështu, edhe të këqijat e tanishme për të krishterin e vërtetë nuk janë fatkeqësi, por një ilaç në dorën e Hyjit, me të cilin shërbehet Hyji, për të na çliruar nga e keqja e vërtetë. A nuk na mësoi Jezu Krishti të lutemi: “Ati ynë që je në qiell?” (Mt 6,9) Dhe për babanë e vërtetë, i cili përnjëmend e do fëmijën e tij, vetë Hyji Shpirt Shenjt shkroi: “Kush e kursen thuprën, e urren djalin, kurse kush e do, vazhdimisht e qorton.” (Fu 13, 24) Prandaj, edhe ne të gjithë Ati qiellor na ndëshkon me këtë luftë të tmerrshme, sepse na do me të vërtetë.

 

Hyji i dënon mëkatarët, për t’i kthyer në rrugë të vërtetë

Shumë njerëz kanë harruar plotësisht, se cili është caku dhe qëllimi i jetës së tyre në tokë. Dhe sikur të mos kishte fatkeqësi dhe mjerimin, të tilla si këto që tani e goditën njerëzimin, shumë prej tyre nuk do të ishin kthyer më kurrë kah Zoti. Ndoshta do të kishin kaluar mirë për disa vite në tokë, por për këtë arsye do të vuanin gjatë gjithë përjetësisë. Hyji dëshiron t’i shpëtojë përmes këtyre fatkeqësive të rënda. E keni dëgjuar, tashmë shumë herë, shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës. Për sa kohë që kishte para në xhep, atij nuk i shkonte fare në mend të përmirësohej dhe t’i kthehej një jete të ndershme në shtëpinë e babait të tij. Vetëm atëherë, kur u paraqit uria e tmerrshme, e ai nuk kishte asgjë për të ngrënë, përveç se të merrte farat që shërbenin për t’i ushqyer derrat, iu hapën sytë. Vetëm atëherë i ra gjoksit me grusht dhe duke u kthyer te babai i tij, rrëfeu: “O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir.” (Lk 15, 21) Është e sigurt, se të këqijat e tmerrshme që kanë rënë mbi njerëzimi, janë një operim i dhimbshëm, por është e sigurt edhe kjo, se shumë njerëz kurrë më nuk do ta gjenin rrugën e kthimit kah Hyji Atë qiellor, po të mos ushqeheshin me të këqija, që i bëjnë më të mjeruar se kafshët.

 

Hyji lejon, që fatkeqësitë ta shtrydhin të drejtit

Çka mendoni, përse? Padyshim, jo për t’i shkatërruar ata, por, për t’i sprovuar. Para një goditjeje të fortë stuhie, nuk mund të dihet kurrë, nëse rrënjët e një peme janë të forta apo jo. Njëlloj, para fillimit të fatkeqësive, nuk mund të thuhet, nëse dikush e do më shumë Zotin apo krijesën, prej të cilit njeriu në një mënyrë ose në një tjetër duhet të heqë dorë në vuajtje. Jobi ishte, pa dyshim, një njeri i shenjtë, sepse Shkrimi i shenjtë e quan të drejtë. Por, shenjtëria dhe madhështia e tij dolën në pah vetëm kur, pa murmuri dhe ankim, i pranoi goditjet e tmerrshme nga dora e Zotit, duke humbur të gjithë fëmijët e tij dhe të gjithë pasurinë, madje edhe shëndetin e tij fizik. Byku nuk mund të ndahet nga gruri, pos duke iu ekspozuar erës. Dhe bimët aromatike lëshojnë aromën e tyre më së miri kur ndrydhen pak ndërmjet gishtërinjve. Ata, pra, të cilët jetojnë në paqe me Zotin, por prapëseprapë përjetojnë fatkeqësi si edhe njerëzit tjerë, nuk duhet të murmurisin ose të dëshpërohen, por t’i marrin me mirënjohje të gjitha ato goditje nga dora e Zotit, që me anë të tyre të shlyejnë aq shumë ndëshkime të përkohshme, duke thënë me Shën Augustinin: “Zot, ndiz dhe prej këtu në tokë, vetëm më kurse në amshim.”

Vuajtjet e ditëve të sotme i pastrojnë të drejtit nga papërsosmëria. Vreshtari duhet të krasit vreshtin çdo vit, nëse dëshiron t’i sjellë fryte. Dhe sa më fisnik të jetë vreshtari, aq me më kujdes e krasit atë. Zoti Hyj është vreshtari, ndërsa ne jemi vreshti i tij. Të drejtët janë shermendet më fisnikë. Kjo është arsyeja, pse vreshtari i Hyjit e krasit me kujdes me thikën e mprehtë të mjerimit dhe të fatkeqësisë, çfarë po përjetojmë tani. Fatkeqësitë e tanishme e shtojnë forcojnë tonë. Në mënyrë që hekuri të bëhet i fortë, duhet të goditet me çekiç mbi të pa mëshirë. Fatkeqësitë e tanishme shtojnë në të drejtët dashurinë e Hyjit. Ajo u ngjason disi atyre, thotë Shën Françesku i Sales, me barkën e Noehut. Sa më shumë ngriheshin valët, aq më lartë ngrihej edhe barka e tij. Fatkeqësitë e tanishme e shumëfishojnë mirënjohjen ndaj Zotit, që është një nga detyrat tona të para. Sepse, vetëm kur njeriu të humbet gjithçka, vetëm atëherë bëhet i vetëdijshëm, se sa të mira ka marrë nga Zoti. Fatkeqësitë e tanishme shumëfishojnë përulësinë e të drejtëve, të cilët detyrohen të vuajnë sot për së tepërmi padrejtësi dhe poshtërime nga njerëzit e këqij dhe të prishur. Ato rrisin zellin e lutjes.

Kurrë apostujt nuk ishin më të përqendruar në lutje, sesa kur stuhia kërcënoi të përmbysë barkën, në të cilën ndodheshin. Të gjithë bërtitën njëzëri: “Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!” (Mt 8, 25)Dhembja dhe fatkeqësitë e ruajnë të drejtin të mos prishet. Zoti Hyj vepron njësoj me ta, ashtu si njerëzit me peshq. Nëse duan ta ruajnë atë, atëherë duhet ta kripin mirë. Sado të çuditshme të duken për dikë telashet dhe fatkeqësitë që i bien për hise të drejtit, shpesh ato e shtojnë edhe lumturinë e tij tokësore. Jobit të drejtë iu shkatërrua gjithçka, saqë edhe gruaja edhe miqtë e tij talleshin me të, pse aq shumë i besoi Hyjit. Dhe çfarë thotë Shkrimi shenjt?: “Pasi Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme, madje ia dha dyfishin e gjithçkaje që kishte pasur.” (Jb 42, 10).

Më në fund, ç’është më e rëndësishmja, kjo jetë tokësore së shpejti do të kalojë. Trishtimet dhe fatkeqësitë, që duhet t’i durojnë sot edhe njerëzit e mirë, do t’u shërbejnë atyre për më shumë siguri drejt arritjes së lumturisë së përjetshme. Në kohën e sotme shumë i ngjasojnë Lazërit nga Ungjilli, i cili ishte aq i mjerë, sa njerëzit nuk donin t’ia jepin as thërrimet që binin poshtë tryezës së një pasaniku. Për më tepër, “madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrat.” (Lk 16, 21) Por, pikërisht përmes këtyre vuajtjeve u përlavdërua në parajsë. Prandaj, të gjithë ata njerëz të mirë që sot vuajnë aq shumë, le t’i mbajnë në mend fjalët e Shën Palit apostull: “Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur.” (Rom 8, 28).

 

Zoti ndëshkon edhe kombe të tëra

Si çdo krijesë, ashtu edhe secili komb për vete dhe të gjitha kombet së bashku janë plotësisht të varura nga Zoti, sepse “të voglin e të madhin ai i krijoi.” (Ur 6, 7) Prandaj, edhe popujt detyrohen t’i japin Zotit nder. Ndërsa atje ndodhi e kundërta. Edhe ne, për fat të keq, mund të flasim për mëkatet e veçanta të kombit tonë, siç është murtaja e bardhë, dhe nëma dhe mallkimi, të cilat i urren Hyji, që aq tmerrësisht e fyejnë dinjitetin e Zotit. Prandaj, kur shikojmë se sa rëndë ka e goditur dora e Zotit popullin tonë kroat, të mos befasohemi, por të përulemi nën dorën e fuqishme të Hyjit. Sepse për Hyjin është shkruar: “Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë send, nuk do ta kishe krijuar.” (Ur 11, 24) Andaj besojmë, se Zoti i dashur përmes këtyre fatkeqësive, që i ka dërguar në atdheun tonë, dëshiron më të mirën për popullin tonë. Sikur që pemët pas dimrit përsëri lulëzojnë, qesin gjethe dhe japin fryte të bollshme, ashtu besojmë, se përmes mirësisë së pafund të Zotit, të gjitha këto tragjedi do të mbështesin lulëzimin, lumturinë dhe mirëqenien e atdheut tonë.

 

Sa më të mëdha të jenë fatkeqësitë, aq më e fortë duhet të jetë shpresa jonë në Zotin

Katastrofa, që ka pllakosur njerëzimin, është aq e madhe në shtrirjen e saj, sa shumë, përndryshe besimtarë të mirë, janë plotësisht të hutuar dhe në shpirtrat e tyre, edhe kundër vullnetit të tyre, paraqitet dyshimi, nëse Zoti mund t’i frenojë të tilla të këqija, siç nuk mban mend historia e racës njerëzore deri më tani.

Nëse ne, besimtarë të mi të dashur, me vetëdije do të dyshonim për këtë, atëherë do t’i shkaktonin fyerje të rëndë madhështisë të pafund të Zotit. Pikërisht këto fatkeqësi të tmerrshme vërtetojnë, dhe e ardhmja do të dëshmojë edhe më mirë, se Zoti Hyj është sunduesi absolut i të gjitha ndodhive në tokë dhe se asgjë, vërtet asgjë, nuk është në gjendje t’i rezistojë pushtetit të tij hyjnor.

A e dini se çfarë thotë Libri i Urtësisë për Të?: “E pasi fuqinë tënde të madhe e ke gjithmonë në shërbim, fuqisë së krahut tënd kush mund t’i bëjë ballë? Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë.” (Ur 11, 21-22)  Ndërsa Shën Isaia profet pyet: “Kush me grusht e ka matur ujët e detit e me pëllëmbë përmasat e qiellit? Kush e mati me babune pluhurin e tokës, e i peshoi me peshore malet dhe me kandar kodrat? Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla? Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, ia mësoi udhën e drejtësisë, e thelloi atë në urtësi, ia tregoi udhën e dijës? Ja, popujt janë një pikë uji të kovës, çmohen si një kokërr pluhur në peshore, sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt… Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt, për asgjë e tytësi Ai i mban. Kë të gjeni që t’i përngjasë Hyjit? O ç’shembëllesë mund t’i vëni përbri?” (Is 40, 12-18).

Kur, pra, një timonier i tillë drejton fatin e racës njerëzore, të kombeve të veçanta dhe të çdo njeriu në veçanti, a nuk duhet të jetë i pakufizuar edhe besimi ynë në Zotin Hyj që banon në qiell? Atëherë, sa qesharak janë ata njerëz, që murmurisin dhe qortojnë, në vend që të përkulen me përulësi përpara vendimeve të shenjta të Hyjit të Gjithëpushtetshëm! Shumë më mirë veproi poeti i frymëzuar nga Hyji në Shkrimin shenjt, kur flet: „Drejt teje po i lartësoj sytë e mi, drejt teje që banon në qiell. Qe, porsi sytë e shërbëtorëve drejt dorës së zotërinjve të vet, porsi sytë e shërbëtores drejt duarve të zonjës së vet, ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, Hyjit tonë, derisa të ketë mëshirë për ne.” (Ps 123, 1-2).

 

Duhet të shpresojmë, se do të ketë mëshirë për ne, sepse është pafundësisht i mirë dhe i mëshirshëm

Ne, si qenie të kufizuara, masim gjithçka me peshore të vogla njerëzore. Kështu veprojmë edhe më mirësinë dhe mëshirën e Zotit. Njeriu është i mirë nga sot e deri nesër. Ndërsa mirësia dhe mëshira e Zotit nuk kanë kufij. A nuk e dini se çfarë thotë Jezu Krishti Zot?: “A gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur? Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër? Po qe se, pra, ju që jeni të këqij, dini t’u jepni të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.” (Mt 7, 9-11) Dhe nëse Ai na jep të mira shpirtërore, të cilat janë shumë më të vlefshme, atëherë si do të na privojë nga ato që janë shumë më pak të vlefshme, të mirat tokësore, të domosdoshme për jetën?

Prandaj, të mos na lëshojë shpirti, por më mirë ta lavdërojmë Zotin, siç na qorton Davidi mbret: “Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij!” (1 Kro 16, 34) Mëshira e tij vazhdon edhe tani në këto fatkeqësi të vështira, të cilat mendja jonë e kufizuar i konsideron si fatkeqësi më të mëdha, por nga të cilat me siguri mençuria e Zotit do të sjellë të mirën më të madhe.


Urtia hyjnore është bazament i fortë i shpresës tonë në fatkeqësitë e tanishme

Ju të gjithë jeni njohur me historinë e Jozefit egjiptian. Sipas gjykimit njerëzor, ishte një fatkeqësi e tmerrshëm për të, kur vëllezërit xheloz e shitën si skllav në Egjipt. Shumë pësoi ky njeri i drejtë si skllav në shtëpinë e Potifarit. Por, përfundimisht gjithçka mbaroi në dobi të madhe për atë dhe për vëllezërit e tij, të cilëve u tha, pasi u qe zbuluar: “Mos u trishtoni! As mos t’ju duket rëndë pse më shitët në këto anë! Hyji më dërgoi para jush për shpëtimin tuaj në Egjipt.” (Zan 45, 5) Mund të dyshojmë, pra, se në këtë stuhi të tanishme të tmerrshme, mund t’i ketë shpëtuar diçka pushtetit dhe mençurisë së Zotit, kur është shkruar: “E madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pa ndërprerje sheh gjithçka.”? (Sir 15, 19) Asnjë njeri i mençur nuk merr guxim t’i protestojë mjeshtrit të shkathët, i cili zhvillon një lloj arti në punëtorinë e tij. Por, sa me paurti veprojnë atëherë njerëzit që lëshohen në kritikë ndaj qeverisjes së Zotit ndaj botës dhe ankohen për vuajtjet e tanishme, sikur Zoti të mos dinte për to dhe të mos kishte mundësi prej tyre të nxirrte më të mirën për individë dhe popuj, sikur që nga fatkeqësia e Jozefit nxori jo vetëm një përfitim i madh, por edhe shpëtimin e tij dhe atë të familjes së tij, e cila do të kishte vdekur nga uria, sikur në kohën e duhur të mos shitej në Egjipt.

Prandaj, do të bënim shumë më mirë, sikur në vend që të kritikonim, të binim në gjunjë dhe së bashku me Shën Palin apostull të përkuleshim para urtisë së Zotit, me besim të plotë të zemrës dhe të shpirtit: “O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijës së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija! E njëmend, ‘kush e njohi mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet? Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës!” (Rom 11, 33-36).

 

Premisa e shpresës sonë duhet të jetë përmirësimi i jetës

Gjinia njerëzore sot jeton krejtësisht në mëkate dhe mbrapshti. Nuk mund të flasim shumë më mirë as për popullin tonë. Sa sharje të tmerrshme janë derdhur mbi Zotin dhe Nënën Tejetshenjt të Hyjit nga goja e bijve kroatë vetëm gjatë vitit të fundit! Sa mëkatet u bënë kundër urdhrit të gjashtë të Zotit! Sa mëkatet u bënë kundër besnikërisë martesore, sa mëkatet u bënë nga dehja, shpifjet, përgojimet, neglizhenca për kremtimin e ditës së Zotit, për pranimin e sakramenteve, sa vjedhje, sa vrasje, sa rrëmbime! Kur i kujtojmë të gjitha, edhe pa dashje na vijnë në mendje fjalët e Davidit: “Më shpëto, o Hyj, sepse ujët më arriti deri në fyt! Jam ngulur thellë në baltë, s’ kam ku ta vë këmbën time në të fortë: kam rënë në pellgun e ujërave e valët po më mbulojnë.” (Ps 69, 2-3).

Zoti Hyj është gati të ndihmojë. Por, në të njëjtën kohë na kujton atë që Ai kërkon dhe pret pren nesh, kur lexojmë në Shkrimin shenjt: “Po të mendoja të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.” (Ps 66, 18)  Prandaj, ne duhet të marrim një vendim të fortë në shpirt, se do të shkëputemi nga jeta e vjetër mëkatare dhe do t’i shërbejmë në të ardhmen “në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.” (Ef 4, 24) Ajo mëkatare e madhe, Magdalena, u dëgjua në atë moment, kur e penduar u ul para këmbëve të Jezusit dhe filloi t’ia lante ato me lotët e pendimit dhe t’ia fshinte me flokët e saj. Sapo Davidi mbret e rrëfeu mëkatin e tij të rëndë të kurorëthyerjes dhe vrasjen e ushtarit të tij më të mirë, Urisë, aty për aty profeti ia shpalli një lajm ngushëllues: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh.” (2 Sam 12, 13) Cubi posa i shqiptoi fjalët në kryq: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” (Lk 23, 42), menjëherë i dëgjoi fjalët ngushëlluese nga Krishti Zot: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” (Lk 23, 43) Zakeu, kryetagrambledhës, i shqiptoi me zemër të penduar fjalët: “Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!” (Lk 19, 8) dhe menjëherë Jezu Krishti i përgjigjet: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi.” (Lk 19, 9) Shën Pjetri qau me hidhërim, pse e mohoi Krishtin, dhe pak më vonë Zoti e vendosi atë për epror suprem të Kishës së tij.

Pra, gjithçka varet tani nga ne, besimtarë shumë të dashur, se a do t’i shkurtojë Zoti ditët e tundimit apo jo. Ai kërkon nga ne kthim dhe përmirësim të sinqertë të jetës. Prandaj, dëgjojeni zërin e profetit, i cili qorton: “Kthehuni kah Zoti Hyji i juaj, sepse është i butë dhe i mëshirshëm, i durueshëm e shumë i dhimbshëm, ndjen keqardhje për fatkeqësi!” (Jl 2, 13).

Sa herë në vitin e kaluar kemi thirrur për pendesë, duke kryer proçesione pendestare! Megjithatë, ka shumë që akoma nuk përmirësohen, por vazhdojnë të jetojnë si më parë, duke menduar se: ka kohë! Dhe pikërisht këtë e do djalli! Prandaj, me të drejtë thonë se rruga për në ferr është e shtruar krejtësisht me vendime të mira, të cilat kurrë nuk realizohen. Mu ashtu si bashkëkohësit e Noehut patriark, që vazhdonin të mëkatonin, derisa një ditë uji u vërsul dhe i përmbyti të gjithë, pos Noehit të drejtë dhe familjes së tij. Shkrimi shenjt qorton: “Mos vono të kthehesh të Zoti dhe mos e shtyj prej ditës në ditë. Sepse papritmas vjen zemërimi i tij, e do të zhbihesh ditën e hakmarrjes.” (Sir 5, 8-9) Këtë e kuptoi mirë mësuesi i madh i Kishës, Shën Augustini, dhe për këtë arsye ai i qorton të krishterët: “Thua, nga dita e nesërme do të filloj të jetojë devotshmërinë. Por dëgjo: Hyji ta premtoi faljen, por nuk ta premtoi ditën e nesërme. Nëse ke jetuar deri tash mbrapsht, filloje shi sot jetën e mirë.” (Shën Augustini ipeshkëv, Enarratio in Ps. 101, 9, Pl 37, 1301).

Sa mjerimin do t’ia kursenin vetvetes dhe atdheut të tyre, sikur ta kuptonin të gjithë këtë mirë dhe ta merrnin për zemër! Po pse bash njeriu, të cilin Zoti e pajisi me arsye dhe me vullnet të lirë, pse bash njeriu duhet të jetë më i keqi midis të gjitha krijesave? Oh, sa dhembje duhet të na shkaktojë kjo neglizhencë ndaj Zotit në botën e sotme, kur i kujtojmë ato fjalët e bukura të Shën Gregorit papë gjatë predikimit në Festën e Tre Mbretërve të shenjtë: “Të gjitha gjërat kanë dëshmuar se Krijuesi i tyre erdhi në botë. Ai u njoh nga qielli, sepse menjëherë e dërgoi një yll. Ai u njoh nga deti, sepse nën këmbët e tija shtrohet si rrugë. Ai u njoh nga toka, sepse me rastin e vdekjes së tij u dridh. Ai u njoh nga dielli, sepse i fshehu rrezet e dritës së tij (në Golgotë). Ai u njoh nga gurët dhe shkëmbinjtë, sepse me rastin e vdekjes së tij pëlcitën. Ai u njoh nga nëntoka, sepse me atë rast i ktheu të vdekurit, që i kishte fshehur.” (Shën Gregori, Hom. II in Er. Epiph.).

Ai nuk u njoh vetëm nga hebrenjtë e pafe, të cilëve u kishte dhuruar aq shumë bamirësi. Dhe pa ashtu nuk donë të njohin sot me një jetë të vërtetë të krishterë aq shumë njerëz që kanë marrë përfitime edhe më të mëdha nga Zoti. Atëherë akoma çuditen pse kaq shumë fatkeqësi po plandosen mbi këtë botë. Zoti Hyj, në mirësinë e tij të pamasë, shkon deri aty sa me paraqitjen e veçantë të Nënës së Zotit në Fatima, në një mënyrë të veçantë i paralajmëroi njerëzit për të gjitha këto fatkeqësi të tmerrshme. E lumja Virgjër Mari tha: “Unë jam Nëna e Hyjit e Rruzares Tejetshenjt. Po vij t’i qortoj besimtarët, ta ndryshojnë jetën dhe mos ta fyejnë më Hyjin me mëkate. La ta lusin për çdo ditë rruzaren e shenjtë dhe le të bëjnë pendesë për mëkatet e veta. Bota le l’i kushtohet Zemrës time të Papërlyer. Në të shtunat e para (të muajit – v. e p.) le t’i afrohen Kungimit të shenjtë sipas njetit!” Edhe në këtë paralajmërim Virgjëra Tejetshenjt shton një premtim ngushëllues: “Më në fund, prapë, Zemra e Papërlyer e imja do të fitojë dhe botës do t’i shndritë përsëri një kohë paqeje.”

Ne, besimtarë shumë të dashur, ju kemi paralajmëruar shumë herë në vitin e kaluar si dhe dy vite më parë dhe ngrohtësisht ju kemi porositur, ta dëgjoni zërin e Nënës së Zotit. Shumë herë ju kemi ftuar, që të rivendosni lutjen e përbashkët të rruzares së shenjtë në secilën prej familjeve tona; që secila familje t’i kushtohet Zemrës Tejetshenjt të Jezusit dhe Zemrës Papërlyer të Marisë; që të anëtarësoheni në shoqatën e Zemrës së Papërlyer të Marisë; që të gjithë me kënaqësi t’i afroheni Kungimit Tejetshenjt, sipas njetit të Nënës Tejetshenjt të Zotit; me një fjalë, ta ndryshoni rrënjësisht jetën tuaj dhe që të gjithë ta braktisni sjelljen e mëparshme të njeriut të vjetër, të cilin epshet mashtruese e çojnë në shkatërrim dhe “të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Hyjit në drejtësi e shenjtëri që vjen prej së vërtetës.” (Ef 4, 24).

Atëherë mund të llogarisim në ndihmën e Zotit dhe me besim të plotë të shikojmë drejtë ardhmërisë, pa marrë parasysh retë e zeza që mbështillen sot mbi atdheun tonë dhe mbi mbarë botën. Mëkatarët kanë arsye të frikësohen para të ardhmes. Por ata që janë në paqe me Zotin, nuk kanë arsye të frikësohen, por më mirë le të galdojnë nga thellësia e zemrës së bashku me Davidin mbret: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem? Kur më sulen bakëqijtë për të më ngrënë gjallë, kundërshtarëve të mi e armiqve të mi, ora u liget dhe rrëzohen. Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë kundër meje: zemra nuk më trembet, le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; edhe atëherë jam plot shpresë.” (Ps 27, 1-3).

Do të shpresojmë më gjithë zemër dhe me gjithë shpirt në Zotin Hyjin tonë, i cili është dhe mbetet përgjithmonë i vetmi zotërues i qiellit dhe i tokës dhe i të gjitha ngjarjeve në historinë e njerëzimit.

Besimtarë shumë të dashur, me qëllim që kjo shpresë të qëndrojë e patrandshme në zemrat tuaja, nga zemra ju ndaj bekimin tim baritor!

Në Zagreb, në festën e Familjes Shenjte, 7 janar 1945.

 

                                     + Alojzije, kryeipeshkëv

 

———————-

Burimi: Lajmëtari zyrtar i Argjipeshkvisë së Zagrebit, nr. 1. (15 shkurt 1945), 1-8; Fletushka katolike, nr. 5. (1 shkurt 1945), 33-37.

Përktheu nga kroatishtja dhe përgatiti për Dritën: Don Marjan Sh. Uka, misionar në Düsseldorf

Shpërndaje

Comments are closed.

« »