Kisha jeton  – Eukaristia

Apr 9 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

 

“Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha: “Ky është korpi im që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim! E mori gjithashtu edhe kalkun, pasi u krye darka, e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që  derdhet për ju.”  (Lk 22, 19-20)

“Shikojeni tabernakullin. Do ta kuptoni domethënien e kësaj dashurie. Pyeteni vetveten: a e kuptoj? Zemra ime është aq e pastërt që të mund ta shohë Jezusnn aty?… Gjejeni Jezusin e do ta gjeni paqen. Koha që e kalojmë për çdo ditë në bisedim me Zotin, është pjesa më e çmuar e tërë ditës.” (Nëna Tereze)

 

Sakramenti i tretë i iniciacionit të krishterë është Eukaristia, prania e Jezusit në mesin tonë  në trajtën e Bukës dhe Verës së shuguruar. Ajo është pasuria më e madhe e Kishës, propozimi i gjithmbarshëm i dashurisë së Zotit për ne, Jeta hyjnore.

Kemi disa emërtime dhe tituj kushtuar Eukaristisë: darka e Zotërisë (1 Kor 11, 20);  sofra e Zotërisë (1 Kor 10, 21); thyerja e bukës (Vap 2, 42); sinassi, mbledhje dhe uratë eukaristike në shekujt e parë të krishterë; sofër, flijim, Eukaristi, liturgji, Korpi i Krishtit.

Jezusi, që të mund të ishte gjithnjë me ne, në Darkën e Mbrame, themeloi Eukaristinë dhe meshtarinë. (krhs. Gjn 13, 1-17). Nxënësit e Jezu Krishtit në dy raste nuk e kanë kuptuar fare Jezusin, kur paralajmëroi vdekjen e tij (khs. Mt 16, 21-23), dhe Eukaristinë (khs. Gjn 6, 33-59). Shumë prej tyre ishin larguar duke thënë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Jush mund ta dëgjojë!” (Gjn 6, 60).

Edhe ne gjendemi para misterit të fesë që shpallim në çdo meshë fill pas shugurimi të Bukës dhe Verës, që nuk do të mund ta kuptojmë kurrë deri në fund, por vetëm me fe dhe dashuri mund ta pranojmë, marrim dhe jetojmë.

Kështu bëri edhe Shën Pjetri, në emër të tij, të apostujve, të Kishës, do të them edhe në emër tonë, duke iu përgjigjur pyetjes së Jezusit: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” SimonPjetri i përgjigji: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!” (Gjn 6, 67-69).

Ishte kjo përgjigje e fesë: ne kemi besuar në dashurinë tënde, në Ty, pra, te kush të shkojmë? Vetëm Ti je Jeta, ke fjalën e Jetës së pasosur!

Oh, çka do të mund të bënte Jezusi më shumë se sa të na jep Korpin e vet për ushqim? Jo, as Zoti s’do të mund të bënte më tepër për ta të na treguar dhe dhuruar këtë dashuri të madhe në këtë bashkim intim me shpirtin dhe trupin tonë. Shenjtërit e kanë kuptuar mirë këtë të vërtetë, kështu që kanë kaluar orë të tëra për përgatitje, edhe më shumë kohë për falënderim.” (Nëna Tereze).

Darka e Mbrame e Jezusit, në kontekstin e kremtimeve pashkore të mundimit të Krishtit (khs. Mt 14, 22-26; Mt 26 17-19; Lk 22, 7-13), si dhe në kontekstin e historisë së shëlbimit të Popullit të zgjedhur, ku pati fillim historia e shëlbimit, është me rëndësi të veçantë biblike dhe aktuale. 

Lidhja e qengjit pashkor me Jezu Krishtin është e theksuar. Ai do të flijohet në kryq. Mrekullia e dashurisë së Krishtit është kjo: ndërrimi real i bukës në Korpin dhe verës në Gjakun e tij (khs. Mt 26, 26-29; Mk 14, 22-25; Lk 22, 15-20; 1 Kor 11, 23-25).

Jezusi e përfundon këtë Darkë me një porosi të mrekullueshme: “Bëni këtë në përkujtimin tim!” (Lk 22, 19). Apostujt e pranuan këtë dhuratë të dashurisë dhe vazhduan ta kremtonin Eukaristinë në rrethin e bashkësisë së krishterë. (khs. Vap 2, 42-46).

Koncili II e Vatikanit për Eukaristinë  thotë kështu: “Dhe njëkohësisht me sakramentin e bukës eukaristike, paraqitet dhe realizohet njësia e besimtarëve, që përbëjnë një trup të vetëm në Krishtin (krh. 1 Kor 10, 17). Të gjithë njerëzit janë të thirrur në këtë bashkim me Krishtin, që është drita e botës, prej tij vijmë, nëpërmjet tij jetojmë, kah ai jemi duke shkuar.” (LG 3).          

Prandaj, Eukaristia nuk është në asnjë mënyrë vetëm kujtim i thjeshtë i ngjarjeve, por aktualizimi real i pranisë së Krishtit në mesin tonë. Kisha jeton, se e ka Eukaristinë, e cila e bënë Jezusin të pranishëm, të gjallë, veprues, në çdo çast dhe vend të botës ku kremtohet mesha, aktualizon mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e tij, pra, shpërndan frytet e këtij flijimi.

“Për të realizuar një vepër kaq të madhe, Krishti është gjithmonë i pranishëm në Kishën e vet, dhe, në mënyrë të veçantë në veprimet liturgjike. Është i pranishëm në flinë e meshës, qoftë në personin e mbarështuesi, duke qenë ai vet që “pasi është kushtuar një herë në kryq”, e kushton përsëri vetveten nëpërmjet mbarështimit të meshtarëve”, qoftë sidomos në dukjet eukaristike.” (SC 7).

Zoti, gjatë kremtimit eukaristik na i drejton fjalën, porosinë e shëlbimit, nëpërmjet leximeve biblike dhe predikimit të Kishës, Shërbesës së Fjalës.

Ne i ofrojmë Atij bukën dhe verën, “frytin e tokës dhe të punës së njeriu”, ndërsa Zoti i shndërron në Korpin dhe Gjakun e vet, për t’u dhuruar.

Ai na ushqen me Praninë dhe Dashurin e tij me anë të kungimit, duke e rritur dhe shtuar lidhjen me Të dhe me bashkësinë vëllazërore.

Eukaristia është Ushqimi i fesë, shpresës dhe dashurisë, të bashkimit dhe të bashkësisë. Shën Augustini thotë: “O sakramenti i përshpirtërisë, o sakramenti i bashkësisë, o sakramenti i dashurisë”.  

Eukaristia është “misteri i fesë” (1 Tim 3, 9), dhurata e dashurisë së Krishtit, zbatimi i përhershëm i shëlbimit, zgjatja reale e pranisë dhe dashurisë për mbarë njerëzimin.

Kisha është e gjallë, jeton, vepron, rritet, shtohet, përparon, sepse ushqehet me Krishtin (khs. LG 29), dhe atë e udhëheq dhe mbron Shpirti Shenjt. Vetëm nëpërmjet fesë mund ta zbulojmë, duam, jetojmë këtë pasuri të paçmueshme, Jezusin, sepse aty Ai na zbulohet, dhurohet, realizohet tërësia e fesë së krishterë.

“Asnjë bashkësi e krishterë nuk mund të formohet kurrë pa e pasur si rrënjë dhe shtyllë themelore kremtimin eukaristik” (PO 6), që është “Gostia e Zotërisë dhe bashkimi i Korpit të Krishtit.”  (Shën Augustini).

Eukaristia, është  burimi i pashtershëm dhe përjetshëm i jetës, dashurisë, pengu i shëlbimit, mjekimi i mëkateve, siguria e pavdekësisë dhe amshimit.

Koncili Dytë i Vatikanit thotë: “Të gjithë së bashku dhe secili me pjesën e vet, duhet ta ushqejmë botën me fryte shpirtërore (khs. Gal 5, 22) dhe në të ta përhapin shpirtin që frymëzon të varfrit, të butët dhe paqedashësit, të cilët Zoti në Ungjill i ka shpallur të lumë.” (LG 38).  

Eukaristia është  Pashka e re, Pashka jonë, në të cilën Krishti dhuron dhe ofron vetveten Atit, flijohet dhe paraqitet në emër tonë si Ushqim. Ne duhet ta hapim jo vetëm gojën, por mbi të gjitha zemrën, veten, para pranisë dhe dashurisë së Zotit, duke u bërë kështu tabernakull i gjallë i dashurisë së Tij në botë.

“Unë jam buka që zbriti prej qiellit; nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim… Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit… Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të.” (Gjn 6, 51. 54. 56).                            

Shën Pali shkruan: “Verevërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, d. m. th. se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!”(1 Kor 11, 23-24).

Nëna Tereze dëshmon fuqinë e Eukaristisë: “Ta adhurojmë në zemrën tonë Jezusin, i cili, i kishte kaluar tridhjetë vjet në heshtje, para se ta fillonte jetën botore. Adhurojmë Jezusin në heshtje… Njerëzit nuk kanë uri për ne. Njerëzit kanë uri për Zotin, për Jezusin në Eukaristi. Ai na dhuron vetveten dhe na fton që të rritem në dashurinë e tij. Dashuria e Krishtit për ne na jep fuqi dhe na shtynë që të dhurohemi për Atë… Kështu e bëjmë Jezusin të pranishëm në botën e sotme.. Nuk mund ta ndajmë jetën tonë prej Eukaristisë… Njerëzit pyesin: “Ku marrin motrat gëzimin dhe fuqinë për të bërë gjithë atë çka bëjnë?”. Eukaristia duhet të jetë qendra e jetës tonë. Kërko që Jezusi të jetë me ty, të punojë me ty, që të mund ta shndërrosh punën në uratë… Eukaristia është aq e vogël, por prodhon efekte tejet të mëdha, sepse është Buka e Jetës dhe Dashurisë. Pa Jezusin nuk do të ishe e aftë të jetoja as një ditë, as një orë të jetës time…

Në Kongregatën tonë ishte tradita e adhurimit një orë në javë, dhe në vitin 1973 kemi vendosur një orë në ditë. Prej kur kemi filluar me një orë adhurimi në ditë, dashuria jonë për Jezusin është bërë më e thellë, si dhe për njëri-tjetrin, për të varfër është intensifikuar, thirrjen janë dyfishuar. Zoti na ka bekuar me shumë thirrje të mrekullueshme.” (Nëna Tereze).

Kur e vizitova Nënën Tereze në spital të Kalkutës në vitin 1989, fill pas përshëndetjes më tha: “Adhuro së pari Jezusin në të Shenjtërueshmin Sakrament, pastaj eja të bisedojmë.”

Në një tavolinë të vogël dhe të thjeshtë, ishte Jezusieukaristik. Pastaj më tha.
Vetëm tash e kuptoj psehin e sëmundjes sime, dhe jam shumë e lumtur. A po sheh që jam në shoqëri të mirë me Jezusin. Të gjitha për Jezusin!”

Pastaj, më tregoi për planet e ardhshme, për telegramin që ia kishte dërguar RamizAlija, për letra dhe telegrame nga mbarë bota. Para se të ndaheshim me shumë mall dhe bindje më tha: “Do ta pashë, së shpejti do ta sjellë Jezusin në Shqipëri!”

Dhe ndodhi ashtu. Ajo ishte “dallëndyshja” e paqes në Shqipërinë e dërmuar dhe të copëtuar nga përndjekja komuniste dhe ateiste. Tash, atje janë shtatë shtëpi, kuvende, me shumë thirrje, veprimtari në dobi të varfërve, të sëmurëve, të gjithëve.

Kështu, Jezusi, rishtas është kthye në Shqipëri edhe nëpërmjet Nënës tonë Tereze!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »