“Besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur. Amen”.

Apr 11 • Këndvështrime

Nga Don Lush GJERGJI

 

Besojma ka disa domethënie dhe kuptime. Unë do t’i ceki tri më të rëndësishmet dhe jetësoret:

Besoj, së pari domethënë jo vetëm pranoj se ka Zot, por jetoj me Zotin dhe hirin e tij, me jetën e re mbinatyrore, të cilën e kemi fituar qysh me Pagëzim, kur jemi liruar nga mëkati i rrjedhshëm, jemi bërë bij apo bija të Zotit dhe anëtarë të Kishës.

Ky jetësim  dhe bashkëpunim me Zotin nëpërmjet të afërmit, njeriut, rritet, shtohet dhe zhvillohet gjithnjë me anë të jetës sakramentale, sidomos të rrefimi dhe kungimit, ku takohemi, afrohemi dhe bashkohemi me mëshirën dhe faljen e Zotit, si dhe ushqehemi me Praninë dhe Dashurinë e tij në Gostinë hyjnore.

Domethënia e tretë është dëshmia e jetës së krishterë, apo bashkëndarja e asaj çka Zoti na ka dhuruar dhe bënë me ne, për t’i ndihmuar dhe afruar edhe të tjerët te Jezu Krishti, feja e krishterë, Kisha Katolike.

Shumë të krishterë e “ushqejnë” vetëm trurin, kokën, arsyen me të vërteta të fesë, por kurrë nuk kanë provuar dhe shijuar bukurinë dhe risinë e jetës së krishterë, amësinë shpirtërore të Kishës Katolike, misionin, dërgimin, dëshminë e krishterë, si ungjillëzim të ri dhe të vazhdueshëm.

 

Besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe në në jetën e pasosur, çka domethënë konkretisht kjo për ne?

  • Që Zoti ynë Jezu Krishti realisht mori natyrën tonë njerëzore, u bë Njeri, ka jetuar dhe vepruar ndër ne dhe për ne, ka vdekur në kryq, është varrosur, dhe pas gjithë kësaj është ngjallur prej së vdekuri, si i tillë për 40 ditë është dftuar apostujve dhe dëshmitarëve të zgjedhur,  tani qëndron në të djathtën e Atit.
  • Shën Jeronimi ilir, jemi në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij, përthyesi i njohur i tërë Biblës, me VULGATA të famshme, ndër të tjera shkëmbimin hyjnor-njerëzor e shpjegon kështu: Zoti prej nesh e mori natyrën tonë njerëzore, mori mëkatet dhe vdekjen, ndërsa na dhuroi bijësinë shpirtërore, faljen e mëkateve dhe jetën e pasosur, amshimin e lumtur.
  • Që i njëjti Jezu Krisht do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit, për të dëshmuar dhe treguar se Ai është Sunduesi i të gjallëve dhe të vdekurve. Gjykimi, ose edhe më mirë, shpërblimi, do të jetë vetëm me një kriter: atë të dashurisë, sepse Jezusi thotë: Isha i uritur, etshëm, i sëmurë, në burg… dhe ju më keni shërbyer, ana pozitive, ose: Isha… e ju nuk më keni ndihmuar… (Krhs. Mt 25, 31-43).
  • Dhe mbretëria e tij nuk do të ketë  mbarim, që dmth. krijimi i qiellit të ri dhe tokës së re, pas Gjyqit të përgjithshëm, kur edhe ne do të jemi me trup dhe me shpirt në Mbretërinë qiellore, ku s’do të ketë më vuajtje, pësime, lotë, vdekje,  kufizime dhe pengesa kohore dhe hapësinore, por vetëm lumturi dhe amshim në shijimin e Zotit dhe të dashurisë së tij.
  • Pasojat për ne janë shumë të rëndësishme, sepse edhe trupi ynë i vdekshëm do të shndërrohet në përgjasim të trupit të Jezu Krishtit të ngjallur dhe të lumturuar ose lavdëruar, do të jetë i pavdekshëm dhe i lumturuar. Kjo e vërtetë e fesë së krishterë ka shumë pasoja konkrete, pikësëpari që njeriu trup dhe shpirt është i shëlbuar prej vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, pra, është i pavdekshëm, i krijuar prej dashurisë dhe për dashuri, dhe për jetën e pasosur dhe lumturinë e amshuar.

 

Pasojat e fesë mbi ngjalljen e trupit dhe jetën e pasosur janë këtë:

  • Trupi ynë njerëzor nuk është vetëm banesa e shpirtit tonë të pavdekshëm, por edhe banesa apo “Tempulli i Shpirtit Shenjt”, gjymtyrë e trupit mistik – Kishës, i krijuar për t’u lartësuar dhe lavdëruar në amshim. “A nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju e që e keni prej Hyjit dhe së ju nuk i përkisni më vetvetes? Sepse jeni të blerë me çmim të lartë. Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!” (1 Kor 6, 19-20). Mu për këtë ne besojmë dhe dëshmojmë se nuk jemi bijtë e vdekjes, siç thotë populli, por bijtë e Zotit dhe të jetës, të dritës, të dashurisë, të krijuar në mënyrë të mrekullueshme, edhe më mrekullisht të shëlbuar.
  • Zoti e shpërblen njeriun, trup dhe shpirt, apo e dënon njeriun, prapë trup dhe shpirt, me ballafaqimin personal me Zotin  fill pas kalimit në amshim, dhe me ngjalljen e korpit, pas mbarimit të kësaj bote dhe Gjyqit të përgjithshëm, sepse edhe trupi ynë është pjesëmarrës i shumë veprimeve, vuajtjeve, shtrëngimeve, mohimeve në luftën kundër mëkatit, veseve, dhe në krijimin e vlerave dhe virtyteve.
  • Ngjallja e Jezu Krishtit është hap dhe ngjarje konkrete unike dhe madhore për mbarë njerëzimin, fillimi i zbatimit të Mbretërisë qiellore, qiellit dhe tokës së re, ku të gjithë do të jemi në përgjasim me Jezusin e ngjallur dhe të lavdëruar.
  • Shi për këtë vdekja për ne të krishterët është vetë një fazë, thënë figurativisht, në “tunel” për të kaluar prej kësaj jete dhe bote në amshim.
  • Vetëm Jezu Krishti i ngjallur me Korp dhe me Shpirt rri në të djathtën e Atit dhe na pret edhe neve në amshimin e lumtur. Virgjëra Mari, nga kjo jetë dhe botë, po ashtu me trup dhe me shpirt, është së bashku me Birin, me Trinënë e Shenjtë, si mbretëresha e engjujve dhe shenjtërve, si ndërmjetsja e hireve.
  • Përse dhe si? Ajo ka kaluar qetë dhe pa dhembje nga kjo botë në amshim, apo siç shprehen teologët, etërit, besimi i Kishës, “dormivit in Domino”, fjeti në Zotin. Arsyet e këtij “privilegji” janë të shumta, si p. sh. lindi pa mëkatin e rrjedhëshëm, ngjizi dhe lindi Jezu Krishtin në mënyrë virgjërore, nuk bëri kurrë asnjë mëkat, e pranoi dhe zbatoi plotësisht vullnetin e Zotit, ishte bashkëvuajtëse ne mundimin, vdekjen dhe varrosjen e Krishtit.
  • Këtë të vëretë të fesë gjatë shekujve e ka definuar Papa Piu XII me Motu Proprio “Munificientissimus Deus” më 1 nëntor 1950. Teologjia me tri fjalë e përfshirë dhe përshkruan këtë privilegj dhe dhuratë: POTUIT – Pat mundësi; DOCUIT – ishte e denjë dhe FECIT – e bëri.
  • Besimi në ngjalljen e të vdekurve dhe në jetën e pasosur ia kthen dinjitetin njeriut, mashkull apo femër, ia mundëson përgjasimin me Zotin, është përgjigjia më e fortë dhe më e bukur tendencave spiritualiste, që shvlerësojnë trupin dhe jetën tokësore, si dhe atyre materialiste, hedoniste, konsumiste, relativiste, ateiste praktike, ku njeriu, sidomos femra, shndërrohet në “mall” për argëtim, dëfrim, tregti, dhe ku jeta e pamoralshme, edhe ajo jo natyrore, “legalizohet” kinse në emër të lirisë dhe të demokracisë së rrejshme dhe mashtruese.
  • Më 14 gusht 1928 Gonxhe Bojaxhiu e ndezi një qirinj, edhe më tepër zemrën e saj virgjërore, u gjunjëzua para Trupores së “Zojës Cërnagore” dhe mori këtë vendim: “Dua të bëhem motër misionare që t’i shërbej të varfërit e botës”. Premtoi dhe zbatoi planin e Zotit duke i dëshmuar mbarë botës Dashurinë e Zotit, apo siç thoshte ajo “veprimin në dashuri”.
  • As ju, as ne, askush, mos t’i kalojë këto ditë të Javës së Madhe, që i paraprijnë Pashkët, pa u thelluar në kuptimin, domethënien dhe përvojën e jetës personale, familjare, shoqërore, duke analizuar rrethanat e koronavirusit që po kërcënon dhe rrezikon mbarë njerëzimin. Pa Zotin, tash po provohet dhe jetohet, njeriu është askush dhe asgjë, një lloj “bubërreci”,  që shkelet dhe tretet në asgjë, ndërsa me Zotin, pastaj edhe me njëri-tjetrin, jemi njerëz, vëllezër dhe motra, bij dhe bija të Zotit, të krijuar në përngjasim të Hyjit, për pavdekësi dhe amshim të lumtur.
  • Po, besoj në ngjalljen e të vdekurve dhe në jetën e pasosur, dhe për këtë jetoj, dua të jetoj si i krishterë, i frymëzuar nga feja dhe i udhëhequr nga dashuria. Bashkë me psalmistin të themi: “Scio videre bona Domini in terra viventium” – e di se do t’i shohë të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve. 

Për shumë mot Pashkët 2020!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »