Pa dhe besoi

Nga Don Fatmir Koliqi

 

“Çka ishte në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën,

në lidhje me Fjalën e jetës, –

po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur,

që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve

që edhe ju të keni bashkësi me ne.” 

(1 Gjn 1, 1-3)

 

Ringjallja e Jezu Krishtit është themeli dhe qendra e Bashkësisë (Kishës), është shkëmbi i palëkundshëm i krishterimit, aty ku ajo mbështetet fuqishëm. Pa Ringjallje – Pashkë – nuk ka Bashkësi të krishterë. Po të mos ndodhte ringjallja e Jezusit, të krishterët do të mbeteshin një grup i frikësuar, në vajtim të një trupi të vdekur e të varrosur, në kujtim të një mësimi të padëgjuar e brilant të mësuesit, themeluesit të saj, me të cilin i shqetësoi krerët hebrenj e ata romakë, e që ishte shkaku i ekzekutimit të tij mizor nga këta të fundit. Një kujtim, pra, ndoshta i fuqishëm e një revolucion i shënuar në historinë e njerëzimit, një lëvizje ekstravagante përbrenda hebraizmit, një rrymë filozofike a rabinike… Gjithçka do të ngecej në rrafshin tokësor, imanent, pa e kuptuar asnjëherë thellësinë e mësimit dhe veprës së tij. Do të mbetej një dështim i dhimbshëm për të vendosur një rend të ri mbarëbotëror.

Porse, ja se ndodhi e kundërta, sepse transcendenca, hyjnorja e tejkaloi, ngadhënjeu mbi tokësoren, njerëzoren; frika dhe vajtimi kthehen në guxim dhe shpallje lavdërimi për Zotërinë e Ringjallur, për Birin e Hyjit; Ai bëri që të shihet, të besohet, “të kapet” e “të perceptohet” hyjnia e tij e lavdishme.

Bashkësia e krishterë është bashkësi e të Ringjallurit/Ringjalljes, që vazhdimisht, me shekuj deri në ditët tona, bëhet pjesëmarrëse e kësaj ngjarjeje pashkvore, e kësaj dhurate hyjnore dhe shndërruese.

 

Rrëfimi

Përqasja ime ka për themel pjesën e Ungjillit të Gjonit, përkatësisht fragmentin 20, 1-9, edhe pjesët e tjera të ungjijve sinoptikë (Mt 28, 1-10; Mk 16, 1-8; Lk 24, 1-12) dhe Letrën e parë të Gjonit, si tërësi të tregimit të ngjarjes së Ringjalljes.

S’mund të bëhen reflektime as teologjik, e as filozofike, a çfarëdoqofshin tjetër, po nuk u morën në shqyrtim pjesët e ungjijve të mësipërm që rrëfejnë ringjalljen e Jezu Krishtit. Kemi të bëjmë me tregime letrarisht të veçanta, të shkurtra, të thukëta, qartësisht të shkruara për t’u kuptuar prej shumëkujt. Përndryshe, të gjitha këto karakteristika të fragmenteve ungjillore, por jo vetëm këto, kanë qenë “arsye” e dyshimit, mosbesimit, e çfarë jo, të shumë njerëzve për të mos e pranuar njëmendësinë e Ringjalljes, dhe duke i konsideruar ato pjesë tregimesh të pabaza.

Leximi i ungjillit kërkon një lloj leximi sui generissupozon dhuratën e fesë. Është një përqasje që nuk ngelet vetëm në rrafshin e mendjes, arsyes, në kalkulimet dhe probabilitetin njerëzor, por përshkohet tejpërtej qenësisë sonë dhe kap të matanshmen hyjnore, që dhurohet prej vetë Hyjit, Jezu Krishtit, si dhuratë, thesar e hir. Prandaj, të kërkosh Jezusin e Ringjallur në leximin dhe pranimin e fjalëve të ungjillit, hyjnisht të frymëzuara, do të thotë të ushqesh arsyen dhe të fitosh hirin për të kuptuar e për të besuar në Ngjalljen e lavdishme të Tij, për të besuar në praninë permanente në historinë e njerëzimit, e në mënyrë të posaçme nëpërmjet trajtës sakramentale të eukaristisë.

Gjoni, ungjilltari dhe nxënësi i dashur i Jezusit, na e tregon ngjarjen e ringjalljes së Zotërisë, si ai që bashkë me Pjetrin, ishte i pranishëm te varri i zbrazët, pasi ishte marrë lajmi prej grave të devotshme se Jezusi nuk ishte në varr. Edhe ungjijtë e tjerë na japin po të njëjtën ngjarje me disa ndryshime të vogla. Këto janë tregime, dëshmi të njerëzve okularë. Gjithçka duhet nisur nga aty e prej tyre.

 

Shenjat

Ditën e Pashkës, Bashkësia e krishterë kujton ngjarjen e mëngjesit të së dielës, që ngjau diku rreth vitit 33 pas Krishtit. Në “lindje të diellit” (Mk 16, 2) lindi një agim i ri, një mëngjes i shndritur e i shenjtë që ndërroi tërë historinë e njerëzimit. Ungjijtë na tregojnë çfarë ndodhi: Maria Magdalenë me disa gra shkuan te varri i Zotërisë, për të kryer ritin e të pamës së varrit. Te varri panë se guri ishte rrokullisur e varri ishte i zbrazët (khs. Gjn 20, 1-2). Të shqetësuara për së tepërmi, u kthyen e iu lajmëruan nxënësve për të gjitha që kishin parë. Simoni dhe Gjoni u nisën vrap drejt varrit. Hyri brenda në varr Simon Pjetri, kryeapostulli, mandej edhe Gjoni, “pa dhe besoi” (Gjn 20, 8) – thotë ungjilli.

“Pa dhe besoi”– sa mbresëlënëse dhe të fuqishme janë këto fjalë. Të pamunit e apostullit është të pamunit e fesë, janë sytë e besimit, janë sytë e zemrës së besimtarit. Ai, vërtet, nuk e pa Jezusin e ringjallur, por varri i zbrazët ishte shenja e parë që të besonte se Zotëria është ringjallur.

Gjoni, në ungjillin e tij i ka për qejfi shenjat, simbolet. Ai përdor gjuhën e shenjave për të depërtuar te njëmendësia e përtejshme.

Për Gjonin dhe bashkëvëllezërit e tij apostuj nis një epokë e re. Nis ecja, shtegtimi për ta (ri)takuar Mësuesin “e humbur”. Ndodh kthimi i vërtetë i apostujve. Atyre që kishin mbetur të ngujuar në një shtëpi nga frika e papërshkrueshme e “dështimit” të së Premtes; që kishin humbur shpresën se do të mund të shohin përsëri Mësuesin e Zotërinë e tyre, tani përsëri u kthehet shpresa. Takimi me varrin e zbrazët dhe pëlhurën me të cilën ishte mbështjellë Jezusi i tyre hap shtigje të reja – janë shenjtat e para të një takimi ndryshe, të një shtegtimi pashkvor. Mëngjesi i të dielës së Pashkëve ua çel dritaret e syve të turbullt, dyert e zemrës së pikëlluar. Të mbyllur kishin qenë si në varr. Ata mendonin se gjithçka kishte mbaruar. Lajmi i grave i zgjoi, i nxori nga mbyllja, e Shenjat e të Ringjallurit i vunë në lëvizje drejt një realiteti të ri. U ngritën e shkuan të shohin çfarë kishte ndodhur me varrin e Zotërisë së tyre. Atje u përballën me zbrazëtinë e varrit. Prandaj, besuan, sepse panë. Panë disfatën e vdekjes dhe shenjat e ngadhënjimit të jetës.    

Ungjilli tregon se nxënësit u kthyen menjëherë për t’ua treguar lajmin edhe nxënësve tjerë. Simbolikë shumë e rëndësishme që do të kuptohet: varri s’është më epiqendra, apo vendi i përqendrimit të tyre mbi të cilin duhet vajtuar dhe ku ravijëzohej edhe dështimi i tyre, në njëfarë mënyre, por tani i Ringjalluri është epiqendra e tyre, drejt tij dhe te Ai dështimi shndërrohet në mision të ri që ka me ua përcaktue jetën. Prandaj, mund të thuhet, pista e kërkimit nuk është varri, por një vend tjetër.

Shtegtimi i fesë pashkvore të apostujve që nis me këtë “shikim” dhe me këtë “besim”, ku do të përfundojë, ku mund ta takojnë të ngjallurin?! Ungjijtë sinoptikë na japin një shenjë tjetër shumë të rëndësishme të takimit. Pranë varrit shfaqet prania e engjëllit duke u thënë grave: “Shkoni dhe thoni nxënësve të tij – e veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile, atje do ta shihni, sikur u pat thënë” (Mk 16, 7; khs. edhe Mt 28, 7).

Pse në Galile? Çfarë do Jezusi t’u tregojë në Galile, pse e zgjedh pikërisht këtë vend për t’u takuar me nxënësit? Për ta kuptuar këtë, duhet bërë një retrospektivë e jetës para mundimit dhe vdekjes në kryq të Jezusit, përkatësisht në fillesën e veprën e tij shpërblimtare, si dhe dëshpërimi i nxënësve me realitetin e kryqit. Fjalët e Jezusit marrin një domethënie thellësisht teologjike, duke na çuar te gjurmët e nisjes së veprës së tij. Ai don me e ribâ shtegtimin e kujtimit bashkë me apostujt, të nisjes së Besëlidhjes së Re dhe plotësimit të Shkrimeve se Ai është plotësia e përkryer. Prandaj, gjithçka duhet të rinisë prej aty ku kishte zënë fill takimi i parë me Jezusin – Mësuesin e tyre. Ai vend ishte Galilea. Në ungjillin e Lukës thuhet: “Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: ‘duhet – thoshte ai – që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë, ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’”(Lk 24, 6-7). Takimi me të Ringjallurin në Galile do të thotë se është po Ai që nxënësit e filluan aventurën hyjnore, po Ai qe hëngrën e pinë së bashku, po Ai – me shpirt e trup – që shpalli me fjalë e vepra Mbretërinë e Qiellit. Do t’u tregojë se nuk ka mbaruar asgjë, përkundrazi është vazhdimësi e po shkon në vend dhe po përmbushet gjithçka sipas vullnetit të Atit. Jezusi rikthen në kujtesën e tyre gjithçka kishte thënë e bërë para së të vdiste në kryq. Në këtë mënyrë, apostujt, dëshmitaret e Ringjalljes, s’do të mbesin në lajthitje eventuale, se atë që takuan ishte një fantazmë apo një halucinacion i tronditjeve të mëdha të tyre. 

 

Dëshmitë

Ringjalla e Jezusit i kishte rikthyer përsëri apostujt në jetën e gëzimit, madje i kishte forcuar. Gjatë shumë takimeve që apostujt patën me Jezusin e ngjallur, ishin plotësisht të bindur se Mësuesi i tyre ishte Biri i Hyjit, i Pavdekshmi që u përvujtërua ta marrë natyrën njerëzore (khs. Fil 2, 5-11), që atë natyrë ta ngritë në denjësinë e bijve të Hyjit. Sikur që ndodhi lëvizja e madhe e tyre në takim me Jezusin, ashtu tani ata lëvizin që po të Njëjtin t’ua shpallin të tjerëve.

Gjoni, në letrën e vet, shkruan: “Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, – po Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e Pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – që pamë dhe dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne […] që gëzimi ynë të jetë i plotë”. (1 Gjn 1, 1-4)

Pa dhe besoi” – Gjoni kurrë nuk e harroi atë çfarë pa atë mëngjes të së dielës së Pashkëve dhe besoi fuqishëm se Krishti është Ringjallur. Kjo fe e madhe e tij dhe gjithë apostujve bazohet në të pamunit, dëgjuemit, në të prekunit. Apostujt nuk janë themelues të një religjioni të dalë nga intelekti, nga përsiatjet dhe planifikimet e tyre. Ata nuk shpallin dije njerëzish, sisteme shkollash e lëvizje filozofësh, por ata shpallin Hyjin e gjallë, që u bë pjesë e historisë, Fjalën (Logos) e mishëruar, të vdekur e të ringjallur. Kjo Fjalë i shtyri të mos jenë të ngujuar, por të lëvizin, të shkojnë në takim e përqafim të mbarë botës, sepse të mbushur me këtë fe s’mund të mos shpallet dhe kumtohet Jeta e Pasosur. Ja pse ne festojmë Pashkët, Ringjalljen e Krishtit! As Kisha sot nuk mund të mos e shpall e të mos e kumtojë të Ringjallurin. Sepse, Ai gjithnjë thotë: Do të jam në Galile, atje do të më takoni.

Ku është Galilea jonë sot? Galilea jonë sot është atje ku (kur) e kemi filluar aventurën me Jezusin, me Kishën! Atje ku na është shpallur Fjala e ungjillit, atje ku jemi bërë anëtarë të bashkësisë së apostujve. Aty ku dëgjohet zëri i apostujve sot, aty ku ndahen sakramentet – në veçanti kungimi – aty, aty është Galilea e çdonjërit prej nesh, Besëlidhja e re dhe e përjetshme – Kisha e shenjtë./drita.info

Shpëndaje: