Imzot Dodë Gjergji: Tani është koha e reflektimit të madh!

Apr 13 • Kisha në Kosovë

Fort të dashur vëllezër në meshtari,

motra të nderit dhe

 ju besimtarë të dashur,

 

me dashurinë e Krishtit të Ringjallur, Princit të paqes, burimit të dashurisë dhe dhënësit të jetëve, shpirtërisht ju marrë ngrykë veç e veç e secilin prej jush kudo që jeni, por që nga shtëpitë tuaja jeni bashkuar me ne në uratë.  

Edhe pse s’keni mundësi të jeni të pranishëm fizikisht në celebrimin e kësaj shërbese, kjo nuk do të thotë që nuk jeni pjesëmarrës të kësaj feste dhe të kësaj ngjarje, pasi ju shpirtërisht në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën fe ja kushtoni Zotit, Krishtit të Ringjallur: veten dhe familjen tuaj, ia lartësoni lutjen e lavdit dhe i këndoni këngën e gëzimit Aleluja.

Nuk do t’ju mungojë as kisha, pasi ju këto ditë i keni shndërruar shtëpitë dhe banesat tuaja në kishëza të vogla,  ku e adhuroni, i luteni, i kërkoni ndihmë dhe e madhëroni Zotin. Sonte, Radio Televizioni i Kosovës dhe mediet tjera të pranishme, Ju bien në shtëpitë tuaja Katedralen. Kështu që ne edhe pse jemi larg e larg, ndihemi të bashkuar në fe dhe në një shpirt të vetëm. Të bashkuar në zemër, pasi na frymëzon e na nxitë e njëjta dashuri dhe të bashkuar në shpresë, pasi jetët tona i kemi në një dorë të fortë, që është dora Zotit.

Mirënjohje dhe respekt, të gjithë Juve, që e përjetoni të njëjtin makth, dhimbje apo trishtim të ditëve tona. Ju pra, që edhe pse nuk e besoni në Krishtin Zot e Njeri, të vdekur e të Ringjallur, megjithatë na përcillni nga shtëpitë tuaja dhe bashkohi me ne në këtë festë. Pasi edhe ju jeni të bijtë e Hyjit Krijues, vëllezërit e motrat tona. Pjesëmarrja juaj, nëpërmjet mjeteve virtuale në festën tonë, dëshmon se na pranoni si vëllezërit e motrat tuaja varësisht besimit apo bindjes juaj. Ju jam mirënjohës dhe ju bekoj, sepse edhe ju e doni jetën, edhe ju e kërkoni të vërtetën, edhe ju e doni paqen, edhe zemra juaj ka etje për dashuri edhe familja juaj ka nevojë për gëzim e për bekimin e Zotit. E gjithë së bashku kemi të drejtë të shpresojmë në faljen e mëkateve dhe jetën e pasosur.

 

Motra dhe vëllezër fortë të dashur,

pothuaj se gjithë kohën e Kreshmës e kemi kaluar të ngujuar në shtëpitë tona, kështu që nuk na ka munguar lutja, pasi kemi pasur nevojë ta ngushëllojmë shpirtin. Nuk ka munguar as bamirësia dhe ndarja e lëmoshës, pasi të afërmit tanë kanë pasur nevoja të ndryshme e është dashtë t’i ndihmojmë ata. Nuk na ka munguar as agjërimi, pasi askush prej nesh nuk ka pasur mundësi, t’i ketë të mirat që është mësuar t’i ketë. 

Pra, në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë kemi pasur mundësi të jetojmë duke iu lutur Zotit, duke i ndihmuar të afërmin me sa kemi pasur mundësi. Po, edhe duke sprovuar e përjetuar skamjen, me aq sa na kanë munguar gjërat e nevojshme.

Por, nëse këtë kohë kaq të zymtë e ndriçojmë me dritën e fesë, atëherë kreshma jonë edhe pse krejt ndryshe, ka marrë një dimension të ri të agjërimit pasi: kemi ndjerë agjërimin e heshtjes, duke u përpjekë ta durojmë njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës e për ditë në shtëpi, që nuk është as e zakontë e as e thjeshtë. E kemi bërë këtë për hire të paqes në zemër e rahatisë në shtëpi tona. Pra, edhe ku është agjërim.

Kemi ndier “urinë” për njëri tjetrin, pasi s’kemi pas mundësi t’i përqafojmë miqtë e t’iu japim dorë “si burrat” askujt. Pastaj nuk kemi pas mundësi të lëvizim të ma të afërmit, po edhe të shkojmë në Kishë (ose xhami ata që nuk besojnë si ne).

Falë Zotit, ne jo, por në vende të ndryshme të botës, gjatë këtyre muajve njerëzit kanë ndjerë urinë e tmerrshme të dashurisë, pasi kanë vdekur pa praninë e atyre që i kanë dashur tërë jetën ose të gjallët që nuk kanë mundë t’iu shprehin dashurin, më të dashurve të tyre, në momentet e fundit të jetës.

Mbi gjitha, ky është agjërimi më i madh që njerëzit kanë bërë gjatë  kësaj kreshme: Kemi ndier “etjen e mungesës së gëzimit”, pasi kemi eksperimentuar frikën nga sëmundja, makthin prej saj, ose trishtimin e pasojave tek të afërmit tanë. Kjo “etje shpirtërore “ është shtuar: kur frika na ka penguar të shkoi vëllai te vëllai e miku te miku për t’i kjajtë hallet me njëri-tjetrin, kur nuk na është lejuar të shkojmë në Kishë për t’iu lutë Zotit e për të çua njetet tona, kur kemi dëshiruar me gjithë zemër të rrëfehemi e të kungohemi, por s’kemi pasur mundësi.

Kjo formë durimi, urie dhe etje i ka dhanë një dimension krejt tjetër agjërimit tonë, i cili besoj se shpirtërisht na ka forcuar më shumë, frymëzuar më mirë dhe na ka shenjtëruar më tepër se çdo kreshmë e viteve të mëparshëm.

Për gjithë ne ka qenë e dhimbshme, por për mua ka qenë e tmerrshme, që t’ju ftoj të mos vini në Katedrale, e në gjitha kishat tona, në këtë natë kaq të shenjtë, për ju, për Kishën, për qiellin e për mbarë njerëzimin. Pasi që secili prej nesh është një rreze e kësaj drite që përpiqet të ndriçoj, terrin e zemrave të njerëzve me të cilët ecim ditëve të jetëve tona.

Por, gjithë kjo në emër të dashurisë, për Ju e kujdesinë tonë për shëndetin tuaj. Është e vërtetë, që kjo na pengon të jemi të pranishëm fizikisht, por shpirtnisht ju jeni të pranishëm në kishë e unë në shtëpitë tuaja, kurse Krishti i ringjallur,  në zemrën e secilit prej nesh.

Me këtë dashuri dhe bindje, deri sa i kemi kënduar himnin e qiriu të pashkëve, që simbolizon dritën e Krishtit në botë dhe në zemrat e shndritura të të pagëzuarve, kemi ndezë një qiri në emër të secilit prej jush. Kështu që në djegën e këtij qiriu,  t’ ia kushtojmë vuajtjet tuaja Hyjit, e në dritën e tij të ia paraqesim të Ringjallurit fenë, uratën dhe këngën e gëzimit të shpirtrave tuaj. Nuk mund të fsheh flladin e uratës që po vjen nga shtëpitë tuaja duke më flladitë shpirtin e duke bërë që drita e qirinjtëve të ndezur të jetë më e shndritshme.

 

Motra dhe vëllezër fortë të dashur,

sikurse edhe viteve tjera, në shtëpitë tuaja e ne në Kishat tona,  këndojmë plotë shpresë dhe gëzim Haleluja, Krishti u Ringjall! Vdekja mori fund e jeta zuri fillin e pavdekësisë së vet. Kështu që në të Ringjallurin, ne edhe pse vdesim, me gjithat do të jetojmë, pasi Hyji do të na ringjallë edhe ne, mu ashtu sikur e ka ringjall Krishtin, Birin e Tij.

Njëkohësisht lëshojmë kumtin e Lajmit Mirë, për gjithë njerëzit: Se Jezusi, të cilin e munduan dhe e varën në kryq, të treten ditë është ngjallur. Dhe me të vërtetë është Ringjallur!.

Liturgjia e fesës së Ringjlljes na i ofron dëshminë e  Shën Gjonit ungjilltar, i cili erdhi ta varri “pa dhe besoj”. Atë të Shën Palit apostull, deri sa u shpjegonte romakëve pagëzimin: “Me anë të pagëzimit, bashkë me Të, jemi varrosur në vdekje … po ashtu me ngjalljen e Tij, do të bëhemi plotësisht një me Të. (khs. Rom 6, 4-5)

Kështu që ne të cilët jemi pagëzuar dikur edhe ata katekumenë, që s’kanë pasur mundësi të pagëzohen në këtë natë të shenjtë, të gjithë jemi bërë bijtë të Hyjit të gjallë dhe dëshmitarë të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Si të tillë na takon të trashëgojmë qiellin, jetën e pasosur e lumturinë e amshueshme.

Për këtë arsyeje, të pagëzuarit, deri sa shtegtojnë rrugës së jetës, s’pushojnë kurrë duke lavdëruar Hyjin, duke bërë vepra të mëshirshme, shërbesa dashurie, duke e refuzuar me vendosuri të keqen, pa marrë parasysh pasojat, duke i përballuar ato me qëndresë, me duresë e vendosmëri. Pa na kapluar frika, pa e lejuar që të zërë fill urrejtja dhe pa na shkua përmend hakmarrja.

Çfarë pra duhet të themi sot, në këto kohë të vështira të ngujimit në shtëpitë tona? Të qëndrojmë:

Të mos zhgënjehemi për ditët e vështira të gjendjes së sotme, pasi përgjigja e të Ringjallurit është: E kuptoj agoninë tuaj, pasi edhe vetë e kam sprovuar. Po, ku është durimi, entuziazmi gëzimi e paqja dhe dashuria që e kam vu në ju? 

Këndej, le ta falënderojmë Zotit, që kemi një familje ku gjejmë ngrohtësinë e zemrës, që kemi shtëpitë tona ku mundë të strehohemi, që kemi përkujdesjen  shëndetësor që kujdesët për të sëmurët, që kemi mjekë e infermierë heronj që përditë përballen me virusin Covid19, që të na ruaj prej ti. Që nuk na mungon buka e përditshme, pasi edhe atyre që vërtetë  ju mungon gjithë po mundohemi t’iu sigurojmë atë.

Të mos kemi frikë – që tani gjitha punët  do të na shkojnë keq, pasi i Ringjalluri përsëri mund të përgjigjet: E kuptoj frikën tuaj, pasi edhe apostujt i gjeta të frikësuar. Këndej sa herë iu jam dëftuar detyrohesha të iu thosha. Mos keni frikë, unë jam! Por, ku është besimi juaj, ku është shpresa juaj?

Këndej, nuk duhet të frikësohemi që do të mbetemi gjithnjë të izoluar brenda, që do të na rrënohet karriera, që do të falimentoj firma, që do të varfërohet familja, që do të na bien numri i fansave ose që s’do të kemi shkollim si duhet. Sidomos, ne në Kosovë, nuk kemi drejtë të i frikësohemi këtyre gjërave. Pasi, hiq më larg se 21 vite më parë, i kishim humbur të gjitha dhe prapë i kemi arrtë ato. Që do të thotë se me një vullnet e sakrificë prapë do t’i arrijmë të gjitha.

Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të pyesim vetën, ku mbeti fuqia e të fortëve, ku u struk pushteti i të pasurve ose ku u zhduk lavdi i të famshmëve. Po edhe të rrëmojmë ndërgjegjen, që shpeshherë kemi mendua vetëm për pasurinë tonë e kimi harruar të varfëritë, që s’ia kemi dhanë një dorë të ligshtit ose që me aftësitë tona i kemi përbuzur të tjerët. Prandaj, nuk ka dyshim që do të tejkalojmë këtë situatë, por duhet të synojmë që kur të dalim prej saj të jemi më të mirë, më të ndershëm, më human, më të dhimbeshim dhe më të mëshirshëm, duke i përngjarë Krishtit.

E të mos koritemi – duke e kërkua fajtorin te tjetri, për shkak të gjendjes tonë personale apo të asaj të përgjithshme. Pasi edhe këtu, i Ringjalluri na thotë: E kuptoj shqetësimin tuaj, pasi edhe unë kam sprovuar të më akuzojnë, gjykojnë dënojnë e të më gozhdojnë në Kryq. Bile e kam përjetua edhe të isha i tradhtuar, i mohuar e i braktisur nga nxënësit e mi. Po ju, ku e keni Shpirtin e forcës për të përballuar dhimbjen, shpirtin e paqes për t’u pajtuar me njëri-tjetrin, shpirtin e dashurisë për të falur e shpirtin e urtisë për të kuptuar e shpirtin e besimit për të besua. Unë vdiqa, që Ju të keni këtë shpirt!

Pra është koha t’i kthehemi reflektimit të shpirtit! E, jo të reagojmë me pikëpamjet e mëkatit.

Kjo kohë duhet të jetë  koha e reflektimit të madh për të gjithë ne, pasi, nuk kemi nevojë ta bindim njëri-tjetrin, se kush është i mirë e kush është i keq. Sepse të gjithë e dimë që, të mirë e të këqij ka gjithmonë e gjithkund dhe se koha e keqe bënë që të mirët të rrëshqasin shumë lehtë në keqen, sikur edhe të këqijtë të ngjiten më lehtë tek e mira. As nuk duhet askush të na detyroj, të zgjedhim mes të keqes së dikurshme dhe të së tashmes. Ose, të na vejnë përballë të tjerëve ku njërin duhet ta duam e tjetrin ta  gjykojmë.

Pasi, ne dimë, që kur kishim vetëdije qytetare dhe dashuri për vendin, vetvetiu bashkoheshim për të luftuar të keqen, për të përballuar pasojat e saja dhe për të shëruar zemrat tona nëpërmjet faljes, deri te falja e gjakut.

Ne e dimë që kur shpresonim në të ardhmen, gjenim forcën për të bashkuar edhe skajet më ekstreme të vetes tonë dhe të krijonim unitetin e nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen tonë të sigurt.

Ne e dimë, po ashtu se kur nuk mendonim në mënyrë egoiste, kur punonim për të mirën e përbashkët dhe kur gjithë së bashku sakrifikonim për të drejtat dhe lirit tona, tjerët na besuan, na ndihmuan dhe ne ja dolëm.

Tani, është koha e reflektimit madh, që edhe njëherë t’i kthehemi pajtimit, unitetit, të mirës së përbashkët dhe miqve. Edhe atë, me dashuri, me përvujtëri, me duresë, me urti dhe vetëmohim duke e kërkuar  te  njëri tjetri të mirë, se të keqën, s’kemi nevojë ta kërkojmë,  ajo qon vet krye .

Sido që të jemi, kisha do të vazhdoi të bëjë të pranishëm Krishtin, e lindur, të vdekur e të ringjallur në vendin tonë, të shpallë Lajmin e Mirë të Ungjillit, të dëshmoj vlerat e dashurisë, paqes, faljes dhe pajtimit mes njerëzve dhe popujve. Të qortoi ndërgjegjen, njerëzore e  qytetare për nevojat e të varfërve, për lirinë e të shtypurve dhe për të drejtat e të ligshtëve.

Njëkohësisht, kisha s’do të pushojë kurrë duke iu lutur Zotit për gjithë popullin tonë dhe për mbarë njerëzimin.

Këndej, edhe sonte në veçanti dua t’i lutem Zotit të Ringjallur, që të qetësojë në paqe zemrat e trishtuara, nga Covid-19, që t’i shpërblejë punën e mjekëve dhe të gjithë të tjerëve që punojnë e sakrifikojnë në të mirën e jetës së njerëzve, që të ngushëllojë të pikëlluarit që kanë humbur të afërmit e tyre, e që t’i pranojë shpirtrat e të vdekurve në lavdinë e të Ngjallurit, ku për njëqind mijë të vdekur i kemi ndezur 10 qirinj, para qengjit të pashkëve, që është Krishti i flijuar për ne.

Kurse gjithë të tjerëve, të na i shtojë durimin, të na mundësojë të reflektojmë dhe të dalim nga kjo situatë sa ma shpejt e sa ma të mirë!

Për shumë mot! Krishti u Ringjall! Aleluja! Alleluja!/drita.info

 

(Homelia e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, 11 prill 2020)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »