Pashkët në Kosovë 2020 në kohën e pandemisë covid-19

Apr 13 • Kisha në Kosovë

Në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë është kremtuar mesha solemne e festë së Pashkëve në Kosovë, të cilën e ka udhëhequr Imzot Dodë Gjergji, pa pjesëmarrje të besimtarëve, për shkak të gjendjes së pandemisë së coronavirus COVID-19. Ishte një kremtim ndryshe dhe me një përvojë të papërshkrueshme deri më tash për besimtarët katolikë.

 

Nuk e kishim imagjinuar që ndonjëherë t’i festonim Pashkët në këtë mënyrë, të ngujuar në shtëpi dhe me kishat bosh – janë fjalët më të sheshta që dëgjohen këto ditë, duke e shprehur gjendjen e që po e jetojmë sot në Kosovë. Vërtet, askush nuk e kishte imagjinuar se do të vinte një koha që të kremtonin Pashkët me kisha pa besimtarë dhe të ngujuar në shtëpi tona.

Në këtë situatë të vetizolimit, kremtimi i festës së Pashkëve u festua në kishat tona në Kosovë, pa pjesëmarrje të popullit, përveç atyre që janë të domosdoshëm për asistim në kremtime eukaristike.

Në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ku u kremtua mesha solemne e vigjiljes së Pashkëve, e kryesuar nga bariu i kishës në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji, ishin përgatitur qirinj nëpër ulëset bosh, aty ku do të ishin besimtarët e devotshëm, për të treguar pranin shpirtërore të tyre, kurse para Qengjit të Pashkëve, simbol i Krishtit të Ringjallur, dhjetë qirinj në formë zemre për njëqind mijë të vdekur në botë nga covid-19.

Për dallim nga vitet e tjera, nuk u ndez zjarri i pashkëve as nuk pati pagëzime të katekumenëve, ashtu si e parasheh liturgjia e Kishës Katolike për këtë natë të madhe. Këto lëshime u bënë, natyrisht, për shkak të situatës së pandemisë, dhe sipas udhëzimeve të Selisë së Shenjtë dhe Dioqezës sonë.

Të bashkuar shpirtërisht me gjithë besimtarët

Imzot Dodë Gjergji, që në fillim të homelisë së tij i përshëndeti të gjithë besimtarët që shpirtërisht ishin të pranishëm në këtë meshë, përmes transmetimit të drejtpërdrejt të Radio Televizionit të Kosovës dhe KosovaPress:

“Me dashurinë e Krishtit të Ringjallur, Princit të paqes, burimit të dashurisë dhe dhënësit të jetëve, shpirtërisht ju marrë ngrykë  veç e veç secilin prej jush, ku do që jeni por që nga shtëpitë  tuaja jeni bashkuar me ne në uratë. 

Edhe pse s’keni mundësi të jeni të pranishëm fizikisht në celebrimin e kësaj shërbese, kjo nuk do të thotë që nuk jeni pjesëmarrës të kësaj feste dhe të kësaj ngjarje, pasi ju shpirtërisht në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën fe ja kushtoni Zotit, Krishtit të Ringjallur: veten dhe familjen tuaj, ia lartësoni lutjen e lavdit dhe i këndoni këngën e gëzimit Aleluja.

Nuk do t’ju mungoj as kisha, pasi ju këto ditë i keni shndërruar shtëpitë dhe banesat tuaja në kishëza të vogla,  ku e adhuroni, i luteni, i kërkoni ndihmë dhe e madhëroni Zotin. Sonte, Radio Televizioni i Kosovës dhe mediet tjera të pranishme, Ju bien në shtëpitë tuaja Katedralen. Kështu që ne edhe pse jemi larg e larg, ndihemi të bashkuar në fe dhe në një shpirt të vetëm.”

Jo vetëm me të krishterët, por edhe gjithë njerëzit vullnet mirë, kjo natë na bashkon në lutje e përqendrim në vlerat e përbashkëta, sepse “edhe pse nuk e besoni në Krishtin Zot e Njeri të vdekur e të Ringjallur, – tha ipeshkvi – megjithatë na përcillni nga shtëpitë tuaja dhe bashkohi me ne në këtë festë. Pasi edhe ju jeni të bijtë e Hyjit Krijues, vëllezërit e motrat tona. Pjesëmarrja juaj, nëpërmjet mjeteve virtuale në festën tonë, dëshmon se na pranoni si vëllezërit e motrat tuaja varësisht besimit apo bindjes juaj. Ju jam mirënjohës dhe ju bekoj, sepse edhe ju e doni jetën, edhe ju e kërkoni të vërtetën, edhe ju e doni paqen, edhe zemra juaj ka etje për dashuri edhe familja juaj ka nevojë për gëzim e për bekimin e Zotit.” – ishin fjalët mirënjohëse të Imzot Gjergjit për të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Kreshmët e jetuara me një dimension të ri

Situata e pandemisë covid-19, tash një muaj, ka bërë që të kemi edhe kreshme të ndryshme për dallim nga vitet e zakonta, por megjithatë i kemi jetuar pa na munguar ndjenja e kësaj kohe të shenjtë:

 “… kreshma jonë edhe pse krejt ndryshe, ka marrë një dimension të ri të agjërimit pasi: kemi ndjerë agjërimin e heshtjes, duke u përpjekë ta durojmë njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës e për ditë në shtëpi, që nuk është as e zakontë e as e thjeshtë. E kemi bërë këtë për hire të paqes në zemër e rahatisë në shtëpi tona.

Pra edhe ku është agjërim: Kemi ndier “urinë” për njëri tjetrin, pasi s’kemi pas mundësi t’i përqafojmë miqtë e t’iu japim dorë “si burrat” askujt. Pastaj nuk kemi pas mundësi të lëvizim të ma të afërmit, po edhe të shkojmë në Kishë (ose xhami ata që nuk besojnë si ne).

[…] Mbi gjitha, ky është agjërimi më i madh që njerëzit kanë bërë gjatë kësaj kreshme: Kemi ndier “etjen e mungesës së gëzimit”, pasi kemi eksperimentuar frikën nga sëmundja, makthin prej saj, ose trishtimin e pasojave tek të afërmit tanë. Kjo “etje shpirtërore “ është shtuar: kur frika na ka penguar të shkoi vëllai te vëllai e miku te miku për t’i kjajtë hallet me njëri-tjetrin, kur nuk na është lejuar të shkojmë në Kishë për t’iu lutë Zotit e për të çua njetet tona, kur kemi dëshiruar me gjithë zemër të rrëfehemi e të kungohemi, por s’kemi pasur mundësi.

Kjo formë durimi, urie dhe etje i ka dhanë një dimension krejt tjetër agjërimit tonë, i cili besoj se shpirtërisht na ka forcuar më shumë, frymëzuar më mirë dhe na ka shenjtëruar më tepër se çdo kreshmë e viteve të mëparshëm.”

I konsideroi këtë kreshme në kohën e pandemisë covid-19.

Koha e reflektimit të madh dhe ndryshimi që kemi nevojë

E çfarë, pra, duhet të themi sot në këto kohë të vështira të ngujimit në shtëpitë tona – bëri pyetjen ipeshkvi dhe pastaj i dha tri pika të rëndësishme si përgjigje:

a) Të mos zhgënjehemi
b) Të mos kemi frikë
c) Të mos koritemi

Kjo kohë duhet të jetë koha e reflektimit të madh për të gjithë ne – theksoi ipeshkvi – pasi gjendemi para një sprove përmasa të mëdha, që duhet ta kalojmë të bashkuar, pa tendenca egoiste, por në unitet e solidaritet që jep shpresë për të ardhmen. Pastaj ipeshkvi bëri një reflektim të zgjëruar të këtyre pikave edhe për gjendjen tonë aktuale në Kosovë, të cilën mund ta lexoni të plotë në këtë vegëz: http://www.drita.info/2020/04/13/imzot-dode-gjergji-tani-eshte-koha-e-reflektimit-te-madh/

Duke i paraqitur në lutje të gjithë të vdekurit e kësaj pandemie, ata që sakrifikojnë dhe angazhohen për të mirën e njerëzve në këtë kohë të vështira, dhe gjithë neve të na rritet durimi dhe shpresa, u karakterizua lutja dhe kremtimi i kësaj meshe solemne të Pashkëve, që u konsiderua kohë e jashtëzakonshme për të gjithë të krishterët e botës./drita.info

Comments are closed.

« »