Të rinjtë dhe prindërit e tyre: Momente kritike në pubertet dhe adoleshencë

Apr 14 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Momente kritike në pubertet

Periudha e latencës, sigurisht, nuk është e parëndësishme për pjekurinë psikike, por meqë është më pak dramatike, këtu mund ta lëmë. Do të ndalemi shkurtimisht te nevojat psikike të dashurisë prindërore në pubertet. Që t’i kuptojmë këto nevoja, duhet ta marrim në shqyrtim gjendjen psikike të adoleshentit. Detyra më e rëndësishme në këtë periudhë është ndërtimi i identitetit. Një djalë dhe vajzë duhet të japin përgjigje të kënaqshme në pyetjen “Kush jam unë?” (Një vajzë e kësaj moshe i ka përdorur tri dorëshkrime të ndryshme. Kur e kanë pyetur pse bën kështu, është përgjigjur: “Ku ta di si të shkruaj kur s’di kush jam?”)

Vetëdija e identitetit shprehet në konceptin mbi veten. Kurse ai koncept (figurë) mbi veten përmban jo vetëm elemente pozitive por edhe negative. Për ta zhvilluar atë, është e nevojshme një suazë e fortë e cila do të sigurojë qëndrueshmërinë dhe konsistencën e identitetit. Prandaj, problemi i identitetit është i pandashëm me problemin e ndërtimit të hierarkisë, shkallës së vlerave. Me fjalë tjera, që të mund ta ruajmë qëndrueshmërinë e lartcekur dhe që të mund të orientohemi në botën e cila pëson ndryshime të vazhdueshme, duhet të qëndrojmë besnik ndaj vlerave themelore të caktuara. Në mënyrë të pashpjegueshme shumë prindër sillen sikur se këtë nuk e kuptojnë.

Shumica e prindërve e shohin detyrën e edukimit të vet që fëmijës t’i sigurojë gjithë të mirat: shkollën më të mirë, rrobat më të mira e të tjera të ngjashme. Duket sikur harrojnë se kjo s’është e mjaftueshme për një jetë të lumtur: është i nevojshëm edhe altruizmi. Në qoftë, pra, se dikush e ka gjetur rahatinë në punën e vet, nëse edhe e ka gjetur partnerin e përshtatshëm të jetës, ende s’kemi medoemos personalitet të (për)kryer. Është e nevojshme ta kuptojë edhe një gjë, se është i varur prej të tjerëve, se është i drejtuar kah të tjerët, dhe se jetën e tij e jeton në shoqëri, që jo vetëm jep por edhe kërkon. Jeta në bashkësi kërkon që të tjerët t’i pranojmë dhe t’i durojmë dobësitë e tyre. Në këtë kuptim, filozofia e prindërve do të duhej pësojë korrektime të fuqishme. Pikënisja për këtë mund të jetë kuptimi se dashuria nuk është vetëm ndjenjë e këndshme, siç e mendojnë shumica. Nëse e lexojmë himnin e dashurisë të Shën Palit (1 Kor 13, 4-8), do të çuditemi se në komponentët e dashurisë bëjnë pjesë edhe duresa, edhe mirësjellja edhe falja. E ne e dimë nga përvoja se këto nuk janë gjithmonë ndjenja të këndshme; përkundrazi, ta falësh tjetrin në mënyrë që të heqim dorë nga çdo paramendim për hakmarrje është një punë mendore e mundimshme dhe e vështirë.

 

Momente kritike në adoleshencë

Në kulturën tonë, shoqëria kërkon shumë prej adoleshentit në rrafshin shoqëror: kërkon prej tyre që të bëhen të rritur, mirëpo në të njëjtën kohë nuk ofron kurrfarë figure të paracaktuar, saktë të definuar, një model të sjelljes që do t’ju ndihmonte në këtë ecje, në këtë proces. Një model të tillë e hasim në të gjitha kulturat primitive. Ceremonia e iniciacionit, hyrja në botën e të rriturve, thekson vijën e qartë ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Ndërkaq sjellja e adoleshentit kontrollohet me ndalime dhe ndëshkime, përkitazi me të drejta dhe shpërblime. Ato norma, ndalime, tabu dhe të drejta kanë të njëjtat domethënie, përkatësisht detyra e adoleshentit nuk është të vendos nëse do t’i respektojë apo nuk do t’i respektojë, sepse çdo mosdëgjesë ka për pasojë ndëshkimin, kurse çdo përshtatje ka miratim të përgjithshëm. Adoleshenti në atë mënyrë ndjehet i sigurt, jo vetëm në marrëdhënie me shoqërinë, por edhe me vetveten, d.m.th. në bindjen e tij se tashmë është rritur.[1]

kulturën tonë europiane gjërat qëndrojnë ndryshe. Pjekuria personale është e papajtueshme me çfarëdo modeli të paracaktuar. Mosekzistimi i ceremonisë sikur ajo e iniciacionit vetëm se e rrit edhe më hutinë dhe mërzinë e adoleshentit. Për këtë arsye sjellja e tij bëhet e pasigurt, po edhe e pallogaritshme. Atij i thonë se duhet të bëhet i rritur, mirëpo harrojnë t’ia shpjegojnë si bëhet. Për shkak të kësaj pasigurie në lidhje me qëllim e tij personal, zgjedhjen e hutisë së brendshme e kërkon në botën e jashtme. Pasi që as në familje, as në bashkësinë më të gjerë shoqërore nuk e gjen përgjigjen e kënaqshme, bëhet edhe më i pasigurt. Këtë pasiguri dhe konfuzion jo rrallë e bëjnë edhe më të madhe vetë prindërit. Pandërprerë ia tërheqin vëmendjen adoleshentit se nuk është më fëmijë, se si është koha të sillet me përgjegjësi. Nëse do të sillet sipas këtij këshilli, dmth. të bëhet i pavarur në sjelljet e tija, në mënyrë të pashmangshme vjen vërejtja se ata megjithatë janë prindërit e tij që dinë më mirë çka ka nevojë. Nëse nuk ka shok apo shoqe, prindërit brengosen; por sapo të shfaqet me partnerin e parë, përballet me frikën dhe vërejtjet e prindërve.

Problemi themelor i kësaj moshe është, pra, lufta për vetëvendim dhe pavarësi. Adoleshenti lufton për pavarësinë e tij dhe për këtë arsye fuqishëm e sulmon autoritetin prej patroni të të rriturve. Nuk dëshiron t’i pranojë këshillat e tyre: si të vishet, si ta kalojë kohën, kë ta zgjedhë për shok të vetin etj. Ndërkaq, në ana tjetër, është i paaftë ta koordinojë veprimtarinë e vet të pavarur, sepse i mungon qëllimi i caktuar. Prandaj, sërish iu drejtohet të rriturve. Nëse tani u drejtohet apo kthehet te prindërit, janë të mundshëm dy skenarë.

Nëse e fiton mbështetjen e kërkuar, sërish ndjehet i sigurt, mirëpo njëkohësisht edhe fëmijë që iku nga lufta për pavarësi. Kjo thellë e fyen vetëdijen e tij.  Për t’u mbrojtur prej kësaj përuljeje, atij i duhet të protestojë kundër këtij regresioni infantil. Mirëpo, një protestë e këtillë kundër vetes do të thotë se pajtohet dhe e pranon pafuqinë e vet, pra pikërisht atë çka tentoi ta mohonte. Për atë arsye, nga jashtë e kërkon armikun në të cilin duhet ta ushtrojë agresionin e tij. Ai armik i jashtëm më së shpeshti janë përsëri prindërit.

Në qoftë se, në të kundërtën, prindërit nuk i kënaqin kërkesat regresive të adoleshentit, mërzia e tij rritet dhe sërish do t’i akuzojë se kërkojnë prej tij tepër shumë, se nuk e kuptojnë etj. Çfarë pason prej kësaj? Prej kësaj del njëri prej rreziqeve më të mëdha në rrugën e pjekurisë definitive të adoleshentit; ai shfaqet në mënyrën që adoleshenti bëhet i paaftë ose i pamundësohet ta shpreh që në çfarëdo mënyre luftën e tij për pavarësi. Duhet marr si shenjë alarmi kur një adoleshent nuk tregon ndaj prindërve të vet asnjë shenjë proteste, betejë për pavarësi.[2]

Mendoj se tashmë po e hetojmë komponentin themelore të dashurisë së prindërve që kërkohet në këtë periudhë. E kjo është kuptohen. Nuk është secila protestë e adoleshentit shenjë e pandershmërisë ndaj prindërve. Dhe nuk do të thotë se prindërit duhet të lëshojnë pe në gjithçka. Të rinjve ju pëlqen të eksperimentojnë, dëshirojnë të shohin ku janë kufijtë, deri ku mund të shkohet. Prandaj është e nevojshme që prindërit t’i kenë disa parime të forta (të cilat edhe vetë i besojnë dhe i mbajnë – kjo është e vetëkuptueshme), jo për arsye që t’ia imponojnë adoleshentit, por që në mënyrë të tërthortë të mund t’i mësojë, përkatësisht t’i kuptojë çfarë vlere kanë këto parime në jetën e njeriut të rritur.

Në vend të përfundimit

Kemi marr në shqyrtim vetëm disa momente kritike në kohën e zhvillimit psikik dhe jemi angazhuar t’i nxjerrim në pah disa sinjale, të cilat ua tërheqin vëmendjen prindërve për nevojë më të madhe të përvojës së dashurisë së fëmijëve, përkatësisht të adoleshentëve. Kjo që e kemi thënë këtu rreth momenteve kritike, që personin e bëjnë veçanërisht të ndjeshëm për dashuri, përkatësisht shënojnë çaste vendimtare në zhvillimin e mëvonshëm të aftë për dashuri, sigurisht nuk është as për së afërmi e tëra që mund dhe duhet të thuhet mbi këtë temë. Mirëpo nuk është edhe më e rëndësishme që ta njohim çdo detaj, por t’i theksojmë disa qëndrime bazë, disa vendime themelore për të cilat shpesh harrojmë të mendojmë. Me vetëdije jam munduar ta vë në dukje dhe  ndoshta të theksoj më fortë për arsye didaktike dy të vërteta të tilla bazike:

  1. Prindërit, le të mos e mbajnë të vetëkuptueshme se i duanë fëmijët mençurisht dhe vërtetësisht, por le të jenë kritik ndaj ndjenjave të veta. Mendoj se këtë mund ta shtrijmë në secilin njeri, në çdo marrëdhënie ndërnjerëzore.
  2. Psika i ka ligjshmëritë e veta imanente dhe mekanizmat kontrollues. Nëse ato respektohen, zhvillimi do të shkojë në drejtim të mirë, kurse dështimet e shumta edukative do të korrigjohen automatikisht. Kjo është baza e optimizmit të psikologjisë, kurse në vështirësitë edukative kurajë për prindër./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

—————

[1] Khs. D. Goleman, “Andarsene da casa: c’è un momento giusto per farlo?”, në: Psicologia Contemporanea 8 (1981) 19 etj.

[2] Khs. I. M. Josselyn, L’adolescente e il suo mondo. Firenze, 1969. 64.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »