Shkrimet e Shenjta e paratreguan të Ringjallurin

Apr 16 • Meditimi i ditës

16 prill 2020 – E ENJTJA E PASHKËVE, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 3, 11-26; Ps 8, 2a.5-9; Lk 24, 35-48)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
E marr me mend praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë afër meje në dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikojë në të ekzistuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

E di se Hyji më do pa kusht.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën, ngjarjet dhe përjetimet e kaluara.
A ekziston diçka për çfarë do të duhej të isha i falënderuar? Atëherë do të falënderohem.
Diçka për ç`gjë e ndjej veten fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, uzdajë, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vë re çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 24, 35-48

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha:
“Paqja me ju!”
37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha:
“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”
40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:
“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”
42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.
44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“
45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha:
“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

  •  Jezusi si një ngushëllues me fjalët e paqes vjen te nxënësit të cilët janë plot me dyshim. Bota e tyre ishte kthyer me kokë poshtë. Ishin të tmerruar kur u takuan me praninë e gjallë të atij të cilin e mbanin të ketë qenë i vdekur. Jezusi përdor mjete të ndryshme për të forcuar besimin e tyre të brishtë. U tregon atyre varrat e tij, ata mund ta prekin, ha me ta. Cilat janë mënyrat që i përdorur me mua?
  • Zotëri, ti dëshiron që unë ta lë sigurinë e ”dhomës sime sipër” dhe të të takoj në njerëzit që më afrohen në rrugë përditë. Por, së pari më lejo të jem me ty në lutje, duke pritur fuqinë e Shpirtit Shenjt. Bëj që me guxim të shkoj përpara i furnizuar me këtë dhuratë dhe të jem dëshmitar i yt me fjalë dhe vepra.

    Kthehu te Fjala, vështroje atë dhe lejoi asaj që të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të fjalës tënde. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »