Sheshi plot, Sheshi bosh

Apr 19 • Opinion

Nga Federico Lombardi

 

Në këtë periudhë miliona e miliona njerëz, në Itali e në botë, ndoqën e ndjekin çaste lutjeje, kryesuar nga Papa, përmes televizionit e mjeteve të tjera elektronike. Nivelet e dëgjimit janë të jashtëzakonshme. Nuk është  për t’u çuditur! Situata të shtyn ta mbushësh me komunikimin mediatik  gjithë përmasën e pjesëmarrjes fizike e të marrëdhënieve, nga të cilat u detyruam të heqim dorë. Veç kësaj, e më shumë se kurrë, të shtyn të kërkosh atë fjalë e atë figurë, në të cilën gjen shpresat që të ngushëllojnë në kohë mjerimi; të dhurojnë dritë, në kohë errësire; të japin siguri, në kohë pasigurie!

Kur Papa Françesku nisi ta kremtojë Meshën e mëngjesit në Shën Martë,  me një grup besimtarësh – një ndër të rejat më karakteristike të kësaj papnie – erdhi shpejt kërkesa (nga ana e TV2000), për ta transmetuar drejtpërdrejt, që kështu çasti prekës i lutjes me Papën të mund të ndiqej  nga një publik më i gjerë. E kujtoj mirë, sepse asokohe folëm me vetë Papën, me të cilin reflektuam ta transmetonim a të mos e transmetonim. Vendosëm të mos e transmetonim, sepse duhet të ruante  një karakter më intim, privat, të thjeshtë e spontan, pa u ndjekur nga sytë e gjithë botës. Natyrisht, mund të transmetoheshin pamje nga homelia e edhe nga kremtimi, pa e transmetuar gjithë meshën.

Po tani situata ndryshoi! Në Shën Martë nuk mblidhet më asambleja e besimtarëve, sado e vogël,  e mesha e Papës – të cilën e kremton pothuajse i vetëm – transmetohet drejtpërdrejt, e ndjekur nga një numër tejet i madh njerëzish, që marrin prej Atit të Shenjtë ngushëllim e shpresë, bashkohen me të në lutje e ftohen prej tij për bashkim shpirtëror me Zotin, mbasi nuk mund të afrohen për ta marrë në zemër Korpin e Krishtit. Misteri i kremtuar është i njëjti, por mënyra si merret, ndryshon. Papa Françesku, gjatë homelisë, dëshiron t’i shikojë besimtarët në sy, të dialogojë me ta. Por sot shikimi e zëri arrijnë përmes teknologjisë. E megjithatë, ia dalin përsëri t’i prekin zemrat! Asambleja nuk është më e pranishme fizikisht, por shpirtërisht është aty, rreth njeriut që kremton, rreth Zotit, që vdes e ringjallet!

E njëllojtë, e edhe më e ngarkuar me emocione të paprovuara ndonjë herë,  është edhe përvoja e Papës kur flet a lutet në të njëjtën Bazilikë të Shën Pjetrit, tani bosh! E nuk mund të mos kujtosh vitet e kaluara, kur flitej për shifra të jashtëzakonshme. Për 50, 100, 200 mijë besimtarë, mbledhur në Bazilikë, në Shesh, në Udhën e Pajtimit e deri në brigjet e Tiberit. Në shekullin e kaluar u mësuam t’i shtojmë gradualisht kësaj pranie fizike, edhe mijëra njerëz të tjerë që, falë radios e televizionit, pastaj mjeteve të tjera të komunikimit, vinin duke u shtuar ditë më ditë, në të katër anët e botës. Mjafton të kujtojmë bekimin “Urbi et Orbi”, “Romës e Botës”. E të kthehemi me kujtesë tek Gjon Pali II, në çastin kur uronte Pashkët e Krishtlindjen në dhjetra gjuhë të botës, edhe në gjuhën shqipe. Atë “Për shumë vjet Pashkët!”, që e ndiqnin mijëra shqiptarë, në Shqipëri e nga të katër anët e botës, të përmallur për kremtimet larg familjeve…

Tani e shikojmë Sheshin plotësisht bosh, po asambleja e shumënumërt nuk mungon. Është aty shpirtërisht, e ndoshta edhe më e madhe e më e bashkuar se në kohët e tjera. Papa mund të jetë vetëm në Sheshin e Shën Pjetrit, mund të jetë vetëm edhe në Kapelën e Shën Martës, po Kisha, asambleja  universale e besimtarëve është fuqimisht reale, e bashkuar më shumë se kurrë nga lidhjet e thella, të rrënjosura në fe e në zemrën njerëzore!

Sheshi është bosh! Por në të perceptohet prania e pafundme e marrëdhënieve shpirtërore të dashurisë, të mëshirës, pritjes, shpresës… shenjë e fuqishme e pranisë së Shpirtit Shenjt, që e mban të bashkuar Korpin mistik të Krishtit. Realitet shpirtëror, i cili manifestohet kur asambleja është e pranishme, e mbledhur fizikisht, por jo e lidhur e kufizohet vetëm me praninë fizike, ndërsa këto ditë, paradoksalisht, mund të provohet në mënyrë shumë më të fortë e më të dukshme. “Era fryn ku  i pëlqen e ti ia dëgjon fëshfëritjen, po nuk nuk e di nga vjen, as ku shkon….  E kështu është kushdo lindi nga Shpirti Shenjt”- i pati thënë Jezusi nëpër natë Nikodemit! (radiovaticani)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »