Kush nuk (ri)lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit!
20 prill 2020 – E hënë (Pashkë 2), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 4, 23-31; Ps 2, 1-3.4-9; Gjn 3, 1-8)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment dhe orvatem të vetëdijesohem që Hyji është i pranishëm:
në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,
në rrethanat e përditshme në të cilat gjendem.
Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?
Liria
Trungu i rëndë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
që me gjeninë e vet e shqyrton gjithë atë që mund të bëhet nga ky trung. (Shën Injaci)
Lus për hir që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Gjn 3, 1-8
1 Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha:
“Rabbi, e dimë se ti je Mësuesi që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.”
3 Jezusi iu përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po të them:
kush nuk lind përsëri prej së larti,
nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.”
4 “Si është e mundur ‑ i tha Nikodemi ‑ të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?”
5 Jezusi u përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po të them:
kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit
nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.
6 Çka lind prej mishit, mish është,
e çka lind prej Shpirtit, shpirt është.
7 Mos u çudit që të thashë:
‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’
8 Era fryn në drejtimin që do;
ia dëgjon ushtimën
e nuk di nga vjen e kah shkon.
Kështu ndodh edhe me secilin
që lind prej Shpirtit.”
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Nata mund të jetë një kohë e mirë për lutje. Bota e punësuar atëherë është më e qetë dhe ka më pak të ngjarë të më mërzit diçka. Nata sjell me vete një mister që më ndihmon të jem në harmoni me misterin e Perëndisë. Murgjit gjithë jetën e tyre luten edhe natën. A mund ta bëj këtë unë të paktën për disa minuta para se të shkoj të fle?
- Kur lejoj të më udhëheq shpirti i mirë, jeta merr një dimension të ri. Nuk jam në shabllon duke jetuar një jetë të shurdhër dhe monotone. Filloj të identifikoj Zotin më shumë. Njerëzit i shoh si një imazh dhe ngjashmëri e Hyjit, të pavdekshëm të jashtëzakonshëm. E shoh veten si bartës të dashurisë së madhe të Perëndisë, e cila është për t’u ndarë. Bëhem një shpirt më i lirë dhe person më i gëzuar.
Bashkëbisedimi
Jezus, gjatë kalimit tënd në këtë tokë
fëmijët e vegjël i ke dashur shumë.
Më mëso që të kem mirëbesim në ty si fëmijët;
që të jetoj në dijeni se kurrë nuk do të më lëshosh.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë..
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen