Të rilindësh nga lart – vepër e Shpirtit Shenjt

Apr 21 • Meditimi i ditës

21 prill 2020 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 4, 32-37; Ps 93, 1ab.1c-2.5; Gjn 3, 7b-15)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të vetëdijesohem që Hyji është i pranishëm:
në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit që i takoj,
në rrethanat e përditshme në të cilat gjendem.
Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Trungu i rëndë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e vet e shqyrton gjithë atë që mund të bëhet nga ky trung. (Shën Injaci)
Lus për hir që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.
Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 


Gjn 3, 7-15

7 Mos u çudit që të thashë:
‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’
8 Era fryn në drejtimin që do;
ia dëgjon ushtimën
e nuk di nga vjen e kah shkon.
Kështu ndodh edhe me secilin
që lind prej Shpirtit.”
9 Nikodemi e pyeti:
“Si mund të bëhet kjo gjë?”
10 Jezusi iu përgjigj:
“Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq?
11 Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them:
ne flasim çka dimë
e dëshmojmë çka pamë,
e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.
12 Nëse nuk më besoni
kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë
si do të më besoni
në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit?
13 Askush nuk u ngjit në qiell,
përveç Birit të njeriut
që zbriti nga qielli.
14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi
gjarprin në shkretëtirë,
po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,
15 që kushdo të besojë në të
ta ketë jetën e pasosur.

————————–
Ç`dëshiron të ma bëjë me dije Jezusi në pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:


– Edhe pse ishte një farise Nikodemi, një udhëheqës çifut, ai ndodhet në errësirë. Ai e di ligjin, megjithatë, kjo dituri dhe siguri e pengojnë për të qenë i hapur për rrugët e Zotit dhe e rrudh veprimin e Shpirtit, Frymës së Shenjtë.
– O Zot, më ndihmo që të ndryshoj, që ta lë pas sigurinë time të mëparshme që e ngushton veprimin e Shpirtit të Shenjtë në mua. Me dhuro që të kem vesh, ndjenja – për të rilindur në një mënyrë të re dhe në një mënyrë të re ekzistence. Bëj që të përparoj nga dita në ditë i udhëhequr nga erëra të butë të Frymës, Shpirtit tënd.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ndërsa i vizitoje vendet në këtë tokë
fëmijët e vegjël i ke dashur shumë.
Më mëso që të kem besim në ty si fëmijët;
që të jetoj në dijeni se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »