Zoti e do botën…!

Apr 22 • Meditimi i ditës

22 prill 2020, E mërkurë (Pashkë 2), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 5, 17-26; Ps 34, 2-9; Gjn 3, 16-21

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe i papashëm.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi pse jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Kjo lutje na ndihmon që të vihemi në dispozicion të Hyjit. Shën Injaci e përshkruan këtë “Lutje përgatitore” si lypje të më jepet hiri që të gjitha qëllimet, aktet dhe veprimet e mia të jenë të drejtuara pastër dhe plotësisht në shërbim dhe lavdërim të Madhërisë së tij Hyjnore (Ushtrimet shpirtërore, nr. 46).

Mund të provosh me këto fjalë:

O Zot, dëshiroj që kësaj radhe të përgatitem mirë.
Dëshiroj të jem plotësisht i gatshëm, i ndjeshëm dhe i vërë në dispozicion për ty.
Të lutem, më ndihmo që t`i sqaroj dhe t`i pastroj qëllimet e mia.
Në mua ekzistojnë aq shumë dëshira kontradiktore.
I lejoj vetes që të ngarkohem me sendet që nuk janë të vlefshme dhe që prishen.
E di që nëse ta dorëzoj zemrën time, çkado që të bëj, do ta ndjek zemrën time të re.
Dhe gjithçka kam bërë sot, gjithçka që do të bëj sot,
të gjitha takimet, përsiatjet – madje edhe frustrimet dhe ndjenjat e mia,
veçanërisht në këtë kohë të lutjes, në tërë jetën time, mund t`i dorëzoj në duart e tua.
O Zot, jam i yti/e jotja. Bëj me mua çfarë të duash. Amen.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet në funde si dhe atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Gjn 3, 16-21

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën
sa që dha një të vetmin Birin e vet
kështu që, secili që beson në të,
të mos birret,
por të ketë jetën e pasosur.
17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin
që ta dënojë botën,
por që bota të shpëtojë nëpër të.
18 Kush beson në të,
nuk dënohet,
ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,
pse nuk besoi
në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.
19 E gjykimi është ky:
Drita erdhi në botë,
por njerëzit më tepër deshën
errësirën se dritën,
sepse veprat i kishin të këqija.
20 Vërtet, kushdo që bën të keqen,
e urren dritën dhe nuk del në dritë
që të mos i zbulohen veprat e tij,
21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,
ai del në dritë
që të dalë ballafaqe
se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:



• Zoti e do botën, e do çdonjërin prej nesh, më do mua. Kjo është e tërë porosia e shprehur me fjalë dhe e mishëruar (drejtpërdrejt dhe tërthorazi) në jetën e tij. Një teolog këtë porosi e ka komentuar kështu: “Thjesht s`ekziston gjë tjetër.”
A jam i bindur personalisht në këtë?
• Duke përsiatur mbi veten në praninë e Jezusit, “një me një”, si Nikodemi të cilit Jezusi ia drejton këto fjalë, a e ndjej veten se jam i/e thirrur, i/e dënuar apo – madje edhe në të gjitha errësirat dhe pa përsosmëritë e mia – plotësisht i/e dashur dhe i/e pranuar, dhe i/e thirrur në dritë?

 

Bashkebisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo është ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »