Aventurat e tezës – Tregimet e Anton Pashkut

Apr 22 • Kulturë, Letërsi

Nga Ndue UKAJ

 

Librat e mirë ose kryeveprat letrare, siç kanë këshilluar lexues erudit të sërës së Borgesit, duhet të lexohen në disa stinë të jetës së lexuesit letrar dhe të dashuruesit të letërsisë.
Dhe kjo kohë e karantinës është një mundësi ideale që t’iu kthehemi veprave klasike.
E tillë është vepra e Anton Pashkut, sepse ajo grish lexuesin që t’i rikthehet dhe sa herë i rikthehet, nuk ngopet, meqë gjen diçka të rë, të bukur, tronditëse, mahnitëse.

Anton Pashku është shkrimtar klasik dhe i klasit të lartë.

Autor i romanit “Oh” dhe i shumë librave me tregime, Pashku mbetet njëri nga zërat më origjinal dhe më autentik të letërsisë shqipe, sidomos asaj të krijuar në Kosovë.

Proza e tij, ndonëse e shkruar në kushte të egra ideologjike, para lexuesit shfaqet e pasur dhe krejt imune ndaj deduksioneve të shkreta të kohës, që e varfëronin letërsinë.

Po, Pashku ka shkruar art të kulluar letrar dhe vepra e tij është një krua ku lexuesit mund të shuajnë etjen.

Stilist dhe rrëfimtar i madh, ai në prozë di të krijojë situata magjike narrative, që lexuesin e endin në një botë të pafund imagjinare, të bukurisë së gjuhës dhe të shkrimit, të situatës dhe të veprimit.

Pashku është vlerësuar prozator moderne, veprën e së cilit e karakterizon një ligjërim madhështor, me një gjuhë mikluese dhe të ëmbël estetike, ku bashkëjetojnë ndjeshmëritë letrare dhe kultura letrare.

Pashku tregon dashuri të pafund për tekstin, për fjalën, tingullin, fjalinë, imazhin, situatën. Ai çdo situatë narrative e përshkruan me finesa estetike mahnitëse, me detaje dhe brenda rrëfimit, hyjnë e dalin personazhe që enden në vorbullën e jetës dhe përjetojnë vrushkujt e saj, ose, dehën nën magjinë e parfumit të natyrës dhe të dashurisë.

Këto ditë të izolimit dhe të karantinës, mund t’ i tejkalojmë më bukur dhe më shëndetshëm, me lexime letrare, sidomos me vepra të fisme që kanë fuqi të mbushin zbrazëti të madhe njerëzore.
Në këtë drejtim, gjuha madhështore e letërsisë ndihmon shumë.
Po, në këtë kohë të vështira, arti, mund të shërbejë si ilaç për shpirtin dhe mendjen. Ndërsa arti i kulluar është antivirusi më i mirë kundër virusit të gjuhës së helmatisur, që vërtitet rreth nesh e ndër ne.
Me vepra të mira, siç është ajo e Pashkut, mund t’ i aktivizojmë antitrupat e ndaj shëmtisë dhe kundër baktereve të shumta që vërtiten ndër ne.
Po, këto bakteri i lufton arit i mirë dhe fisnik, prandaj, në këtë kohë të vështirë, më mirë është t’i ngrohim zemrat me gjuhën e pasur të letërsisë, sesa të mbytemi në cektësi mendimesh të ashtuquajtura politike.

Libri me tregime “Aventurat e tezes” i përgatitur dhe përzgjedhur nga studiuesi e poeti Kujtim Shala, dhe i botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, është një mundësi e mirë.
Për të gjithë dashuruesit e letërsisë së mirë dhe lexuesit letrar, kjo vepër tregon se Pashku është shkrimtar i klasit që ” nuk i ka të ngjashmit përreth.” (Kujtim Shala)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »