Shugurimi poetik e ilirik i vetënjohjes

Apr 22 • Kulturë, Letërsi

(Lexime poetike. Poezia “EMËRSHENJTI I ILIRISË” e Ragip Sylajt), XX

 

Nga Prend BUZHALA

 

Ragip Sylaj (1959-2018) është ndër krijues vlerash elitare: poet, prozator, dramaturg, kritik i vyeshëm letrar, por, mbi të gjitha, një njeri vlerash sublime njerëzore. Fitues i shumë çmimeve letrare, ai ishte edhe vetë ndër vlerësuesit dinamikë të letërsisë sonë. Po e veçojmë poezinë “EMËRSHENJTI I ILIRISË” nga vëllimi “Mëngjes qumështor me akull” e që është libri i katërt i poezive të tij. Këtë poezi ai ia kushton Shën Jeronimit ilir.

1.
Kjo poezi hapet me vargun “Në arkeologjinë e rrënjës të gjeta”. Vargu, si i tillë, dhe e tërë kjo poezi, e ka paradigmën autoriale lirike tek shumë krijime të tij. Kësisoj, te fjalori poetik i rrënjës hyjnë lisi, atdheu, degët, trupi i atdheut etj e që shënjojnë pamje të identitet tonë trashëgimor, historik e nacional. Krijuesi sikur mëton të sendërtojë një projekt poetik mbi etninë: “Lloji yt nuk zhduket/ Me prejardhje nga shpendi i Hyut/ Që ngre çerdhen në Lisin e Dodonës”, thotë te një poezi. Nëse semantemën poetike “Lis” ai e artikulon e shtrin në botën e shqetësimeve poetike që nga libri i poezive “Lisi i shenjtë” (1993); nëse kjo paradigmë figurative shtegton edhe tej e më tej tek libri, po ashtu te libri i poezive “Anatomia e rrënjës” (1989); atëherë në poezinë “Lisi i Shqipes” (te vëllimi “Mëngjes…”), e ndërton këtë paradigmë poetike mbi kulturën, mbi qytetërimet, mbi besimet e mbi përvojat historike e shpirtërore të identitetit kombëtar. Në vullanjtë e këtij projektimi artistik, folësi lirik i bart në qenien e vet aktive ndeshjet e qytetërimeve e ndeshjet e hapësirave me dramën e përgjakshme të ndodhive. I bart trajtat e përmbajtjet e ndryshme të kësaj trashëgimie, me konvertimet e përçudshme, me përmasat e gjera të konfrontimeve. Dhe të gjitha këto do ta shquajnë identitetin e veçantë shqiptar.

Në arkeologjinë e rrënjës të gjeta
Shpirtpërndritur në Stridon Illyricum
Me pije mjalti e sabaje na vajti jeta
Erdhi një kohë e gjithçka u bë shkrumb

Vargjet sugjerojnë referenca nga koha ilirike: vendlindja (Stridoni ilir), pija e mjaltit e sabaja që janë prodhime ilire.
Ç’është sabaja?
Kështu ilirët, siç na dëshmon Shën Jeronimi, ata e kanë quajtur birrën e sotme. Sipas mitologjisë antike ilire, kjo pije ishte një nga dhuratat e flijimit për perënditë antike ilire të të korrave dhe prodhimeve bujqësore. Ndërkaq, Ammianus Marcellin-i dhe Cassius (autorë antikë) dëshmojnë se ajo ishte një pije për të varfrit, për shkak se romakët pinin verë, ndërsa Valens perandori ilir i Perandorisë romake, e quante me “humor” a përtallje Sabaiarius, për shkak se ai e pëlqente pijen e birrës. Kurse vargu i fundit “Erdhi një kohë e gjithçka u bë shkrumb”, po ashtu është një referencë nga shkrimet e Shën Jeornimit që dëshmon për shkatërrimet barbare në Iliri. Ai ishte dëshmitar i depërtimit të popujve barbarë në Panoni e në Dalmaci, të cilët u kishin shkaktuar ilirëve dhe romakëve vuajtje të mëdha dhe u sollën atyre shkatërrime të pafund (shekujt II e III). Në njërën nga “Epistolat” e tij, ai bën një përshkrim tronditës të atyre ngjarjeve:
“Më rrënqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë… goti, sarmati, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretëtërojnë, plaçkisin dhe grabisin Sktythinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë, Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa gra fisnike, sa virgjëresha kushtuar zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto luftëra! U morën robër peshkopë, u vranë presbyterë dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë altarëve të Krishtit u vendosën kuajt si në grazhd. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo tmerr dhe hija e madhe e vdekjes.” (“Ilirët dhe Iliria : te autorët antike”, Tiranë Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1965).
Mbi këto referenca ai thur intertekstin e tij poetik. Interteksti (Julia Kristeva) thur marrëdhëniet midis teksteve. Në këtë rast, ndryshe nga poetika postmoderniste (që shfrytëzon citatet, parodinë, paskuinën a pamfletin satirik, ironinë etj), Ragip Sylaj, si nyje ndërtekstuale, përdor aluzionin dhe adaptimin e referencave historike-shkrimore.
Në vargun e dytë ai përdor epitetin “Shpirtpërndritur”. Edhe ky epitet ka konotacion të gjerë kuptimor, që ndërlidhet me përkthimet biblike (Shën Jeronimi përkthimin e Biblës ia dhuroi Evropës) me shkrimet e Shën Jeronimit, si autor i rangut botëror. Përndritjet kanë të bëjnë, pra, me ndriçimin e mendjes e të shpirtit në një kohë të kapërcyellit historik. Ishte koha kur krishterimin nuk e morëm prej romakëve (se Roma na përndoqi 300 vjet rresht)… Pra, Roma e mori prej nesh, nëpërmes perandorëve ilirë që e drejtuan Romën. Krishterimi ndër ilirët u përhap si besim i martirizuar… U përhap si IDE E LIRISË kundër skllavopronarisë pushtuese romake… E pra, perandorët ilirë dhe vete ilirët ia ndërruan kahet historisë evropiane: duke ua përkthyer Biblën (Shën Jeronimi ilir), duke ua dhënë lirinë krishterimit (Konstantini etj), duke ua dhënë himnin kishtar TE DEUM (Shën Niketë Dardani nga Remesiana ilire e Nishit, simbol i traditës sonë muzikore e autor tekstesh sakrale… kur nuk kishte ende sllavë në Gadishullin Ilir që sot quhet Ballkan), duke ndërtuar konceptin e lirive e te drejtave njerëzore dhe duke ua kodifikuar kushtetutën romake që është themel i kushtetutave të sotme europerëndimore moderne (Justiniani)… Shën Jeronimit ilir (340-420), pajtor i bibliotekave, përkthyesve, satiristëve e polemistëve, dhe, mbasi ishte përkthyes i Biblës, përzgjidhet edhe pajtor i shkrimtarëve dhe gazetarëve të krishterë. Mbi të gjitha, nderohet si Njeri i Biblës. Figura e Shën Jeronimit zgjohet nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian dhe të botës shqiptare…. Dhe epiteti i poetit Sylaj e sintetizon vetëm me një epitet tejet domethënës rikrijues, edhe si neologjizëm poetike: “shpirtpërndritur”. . vargu i fundit (Erdhi një kohë e gjithçka u bë shkrumb), përpos referencës tekstuale jeronimiane të shkatërrimit të Ilirisë nga barbarët: bart edhe shenjën autoriale për rrënimet që ndodhën më pas në hapësirat ilire, të zhbërjes së asaj të kaluare, e të vendosjes së sllavëve në këto treva. Porse, poeti na thotë se rrënjët janë aty, me dritën e dikurshme të shpirtit ilir.

2.
Është ajo dritë shpirti që përhapë dritën e vetëdijes, zgjimit, shmangies nga errësira, në këtë rast, te poeti anë, edhe si paradigmë e rrënjëve tona, siç e pamë më lart. “Shpirtpërndrituri” është frymë ndriçimi, qenie që prodhon hapje njohjesh, është pjesa më e mrekullueshme e qenies njerëzore, në këtë rast, e personalitetit historik të Shën Jeronimit. Veprimtaria e tij në fushën e përkthimeve, veprimtaria e tij letrare, diturore, ekleziastike, historiografike dhe, përgjithësisht, veprimtaria e tij shkrimore e jetësore, rrezatojnë, pra, edhe sot, përmasa të reja.

Ilirisht më ngroh në këtë cegmë
Boa buall buell bollë boll
Dhe Ti fluturove nga kjo degë
Apo u shkëpute si pinjoll
Eni e Epikadi dhe Scriptores Illyriani
Ma ndezën shpirtin tim ilir shqiptar
Ma ndezën mallin tim pagan arian

Tashmë autori, nga referencat tekstuale jeronimiane-poetike, na fut në një botë tjetër, në atë mitologjike e semiologjike të fjalës (Boa buall buell bollë boll – miti i gjarprit ilir, si kult autokton), te dëshmitë: në atë të etimologjisë së fjalës si etimon shpirti e dëshmie (Eni e Epikadi dhe Scriptores Illyriani). Madje përdorimi i togfjalëshit latinisht (Scriptores Illyriani) është një dëshmi tjetër se edhe ne e kemi antikën tonë, antikën ilire, qoftë edhe si latinitet ilir apo si iliricitet latin (latinishtja ishte gjuhë e qytetërimit botëror antik, si gjuhë shkrimit, e komunikimit dhe e kulturës).

3.
Në këtë mënyrë personaliteti i tij nuk ka se si të mos i japë vulë identitetit kulturor, nacional, qoftë edhe ai fetar si trashëgimi evropiane e arbërore. Përmes emrit të tij dje dhe përmes emrit të tij sot Evropa di më shumë për ilirët dhe për shqiptarët, ashtu sikundër di për ne përmes emrave emblematikë të Nënës Tereze apo të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Për këta dy mijë vjet, pra, nga gjiri iliro-shqiptar, në momentet e krizave, të kthesave historike e të përplasjeve nga më të ndryshmet, del një figurë që bëhet emblemë e identitetit nacional, emblemë e identitetit fetar-kulturor, emblemë e lirisë po edhe emblemë e bamirësisë apo e “dashurisë në vepër” .
Pra, poeti na dërgon gjithnjë te rrënjët, te kjo arkeologji shpirti e trashëgimie, aty, ku në motin e mohimeve apo cegmave, ai e ndien veten mirë: “Ilirisht më ngroh në këtë cegmë”. Poeti gjendet në nëntokën e thellë të Ditës së Kujtimeve, për t’i parë gjurmët e gjakut të Asaj Dite Epoke , në atë Rreth të përjetësisë. Pothuajse ai zjarr antik (që ngroh edhe sot), nuk shuhet, sepse ekzistojnë pasardhësit. Ai zbret thellësive ilirishte, që ende qëndrojnë nën dhé, tek rrënjët. Rrethi ende nuk është mbyllur, mbasi poeti shpall se jemi pjesë e asaj bote shpirndritjesh.

Nuk është për t`u habitur, prandaj, pse autori shtegton e shtegton në kërkim të këtij identiteti, në kërkim të thellësive të kësaj qenieje historike e mitologjike dhe pse i aktivizon vizionet, po ashtu, të shtresëzuara etnike nga e kaluara, siç janë jo vetëm lashtësia e vetmia historike e këtij kolektiviteti, por ashtu siç janë edhe prirjet për të qenë pjesë e identitetit evropian, të cilit identitet i ka dhuruar shumë e shumë edhe polemi iliro-shqiptar:

Në këngë më shugurove apostull
I madhi Sanct Hieronymus
Nga dega mos u hodhe si zgalemi
Emërshenjti i Ilirisë: Jeronim Euzebi
Në arkeologjinë e rrënjës më zbulove
Të ronitur të zgërlaqur në Kosovë
Ku pësimi ishte prore sprovë
E qëllimi i lartë është forcë

Poezia “Emërshenjti i Ilirisë” e nis dhe e vë në udhë arkeologjinë e kësaj rrënje etnike. Krijuesi është i ndërgjegjshëm, pra, se askush si ne nuk e ka pësuar më shumë në këtë fushëbetejë ndeshjesh e davaritjesh, saqë krijohen aso situatash dostojevskiane e borhesiane, kur realiteti, sikundër thuhet, ia kalon edhe fantastikes… Interesimi i sotëm për figurën e Euseb Sofron Jeronimit në suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë. Edhe sot ilirët, siç do të shprehej Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.” Poeti na e thotë se ata janë te arkeologjia e rrënjës sonë.
Pra, edhe rëndësia historiko-letrare dhe kulturologjike e veprës së Shën Jeronimit qëndron te ndikimi mijëravjeçar në jetën shpirtërore të popujve evropianë. Nga ana tjetër, më se njëherë, me mburrje, vetë Shën Jeronimi e ka theksuar përkatësinë e tij ilire. Këtë poeti e bën për shkak e pasojë: se “qëllimi i lartë” prodhon energji, forcë përtëritëse në Kosovën e ronitur e të zgërlaqur nga mohimet e shtrofimet e identitetit tonë. Do të thoshim: nga abortimet e këtij identiteti. “Shpirti, i cili nuk ka qëllim të lartë në jetë, është i humbur” (Michel de Montaigne). Porse poeti nuk e pranon gjendjen e tillë. Ai shugurohet në poezinë e tij, përmes këtij emri: (Në këngë më shugurove apostull/ I madhi Sanct Hieronymus), pra, bekohet përmes emrit të tij apostullor. Poezia dhe shenjtori ilir janë një. Identifikimi është i plotë… deri te “qëllimi i lartë” që i jep forcë. Kohët ilrike shkrihen në kohën tonë. I jep forcë jo vetëm si individ, por si kolektivitet nacional. Ky shugurim është historik e nacional.
Është shpëtimtar!
E kush tjetër u dashka të kujdeset për veten tonë, përpos vetvetes, për ta rikthyer këtë fuqi si qëllim i lartë? Për ta rikthyer si bukuri e brendshme, si rinovim të qenies, si rimbushje e vetvetes në boshllëqet ekzistenciale kundruall traumave historike, kundruall tronditjeve të jetës; si tej-vigjilencë, si mendje prodhuese… Ky është përballimi më i mirë në këto zgërlaqje kohësh a katrahurash, dëshiron të na thotë poeti. S’kemi përse të vajtojmë as të dorëzohemi, sepse përpara e kemi “këtë qëllim”! Ndryshe, e krijojmë pafuqinë e pasigurinë ekstreme, shkatërrimin, që pengon ecjen e pëndritjes a ecjen përpara. Ky shugurim poetik na sugjeron hyjnoren që na e tregon rrugën se si duhet të shikojmë në zemrat tona. “Të nisësh për të menduar me qëllim, do të thotë të futesh në radhët e atyre të fortëve që njohin vetëm dështimin si një nga rrugët për arritje”, shprehet James Allen, një autor anglez tekstesh letrare e filozofike.
Poeti shkoi në amshim me këtë shugurim poetik në zemër.

_________________________________

RAGIP SYLAJ

EMËRSHENJTI I ILIRISË

Në arkeologjinë e rrënjës të gjeta
Shpirtpërndritur në Stridon Illyricum
Me pije mjalti e sabaje na vajti jeta
Erdhi një kohë e gjithçka u bë shkrumb
Ilirisht më ngroh në këtë cegmë
Boa buall buell bollë boll
Dhe Ti fluturove nga kjo degë
Apo u shkëpute si pinjoll
Eni e Epikadi dhe Scriptores Illyriani
Ma ndezën shpirtin tim ilir shqiptar
Ma ndezën mallin tim pagan arian
Në këngë më shugurove apostull
I madhi Sanct Hieronymus
Nga dega mos u hodhe si zgalemi
Emërshenjti i Ilirisë: Jeronim Euzebi
Në arkeologjinë e rrënjës më zbulove
Të ronitur të zgërlaqur në Kosovë
Ku pësimi ishte prore sprovë
E qëllimi i lartë është forcë
(nga libri “Mëngjes qumështor me akull”, 2000)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »