Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) në një ribotim të vyer kritik dhe filologjik  

Apr 23 • Kulturë, Letërsi

Pjetër Bogdani: Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve), botim kritik me një studim hyrës, transkriptim e shënime përgatitur nga Anila Omari, (botim i dytë i përmirësuar), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2015.

 

Nga Evalda PACI

 

Leximi i mirëfilltë i veprave të letërsisë së vjetër shqipe dhe më tej trajtimet që bëjnë të mundur thellimin e mjaft pistave të hulumtimit si brendësimi përmbajtësor i tyre, gjurmimi me themel i disa nënsistemeve kryesisht gjuhësore që evidentohen në tekstet përkatëse, shpjegimet e mundshme të sistemit ortografik dhe të kuptimeve të fjalëve që dhe sot e kësaj dite përbëjnë çelësa interpretimi për kohën dhe kontekstin gjegjës, bëhen të mundur së pari nga njohja e mirë e çdonjërit prej ekzemplarëve të botuar që e përfaqësojnë këtë letërsi, por mbi të gjitha nga disponimi në format të botimit kritik e filologjik të vetë veprës apo dhe të varianteve gjegjëse, nëse kjo e fundit ka pasur raste të ribotimit. Një panoramë të tillë, me interes për kohën, por dhe për studiuesit e periudhave të mëvona e përvijojnë si përfaqësues autorë të përveçëm që shënuan me sprovat e tyre një periudhë të veçantë për nga uniciteti i veprave që panë pikërisht në shekujt gjegjës dritën e botimit. Sprovat për t’i njohur më nga afër të tilla vepra dhe studimet që janë kryer mbi historikun e lëvrimit të shkrimit shqip përmes një letërsie të mbiquajtur kishtare, ekleziastike, apo dhe ungjillore janë kulmuar më së miri nga realizimi i botimeve kritike e filologjike që bëjnë të mundur dhe sot e kësaj dite të mund të përvijohen hulumtime më konkrete mbi përmbajtjen e tyre.

Historia e letërsisë së shkruar shqipe shënohet nga fillime që e bëjnë të vështrohet në kontekste krahasuese me të tjera tradita kryesisht shkrimore që lidhen me areale jo dhe aq të largëta në pikëpamje gjeografike, por që mbi të gjitha bëjnë të mundur të mund të gjurmohet një qasje prirjesh të përbashkëta a të ngjashme në çështje të inicimit të kulturës së shkrimit dhe më tej të transmetimit të një trashëgimie që ka rrënjë të forta dhe në forma të shprehësisë orale.

Të tilla reflektime gjejnë vend në ditët e sotme dhe në rasë të ribotimit të një vepre madhore për gjithë spektrin kronologjik e përmbajtësor të letërsisë së shkruar shqipe, duke qenë vetë autori i saj shënues i një kulmimi të natyrshëm në pikëpamje shkrimtarie, të lëvrimit të shkrimit të shenjtë në gjuhën shqipe, në pikëpamje të përurimit të formave të përdorimit që duket se marrin një vlerë të veçantë konotative në penën e një prelati si Pjetër Bogdani. Është folur gjatë dhe në çdo periudhë të zhvillimit të studimeve shqiptare mbi një autor si Bogdani dhe mbi veprën e tij të mirënjohur, ndërkohë që në dekadat e fundit janë pikërisht këto studime që janë pasuruar me të dhëna të domosdoshme mbi formimin dhe arsimimin e këtij prelati të shquar të historisë së letërsisë sonë, gjithashtu dhe mbi momente të rëndësishme të rrugëtimit të tij jetësor. (Marlekaj L., Pietro Bogdani e l’Albania del suo tempo, Liantonio editrice, Palo del Colle, Bari, 1989; Marquet O., Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente, Shtëpia Botuese A. Gj. Fishta, Shkodër, 1997).

Ndërmarrja e përpilimit të një botimi kritik e filologjik të një vepre si Cuneus prophetarum (Patavii, 1685) kërkon para së gjithash njohjen e një tradite paraprijëse në disa pikëpamje: studimet paraardhëse mbi autorin e veprën; përpjekjet për të evidentuar të gjithë ekzemplarët e mundshëm që dëshmojnë ribotimin e veprës në fjalë; natyrën e botimeve që përfaqësojnë dhe sprova modeste për kohën kur u relizuan për ta sjellë më afër Pjetër Bogdanin me lexuesin, nxënësin, studentin, por dhe studiuesin që prirej ta njihte më mirë për qëllime hulumtimi këtë të fundit; vështirësitë konkrete që presupozon përballja me një vepër të shkruar pothuaj në fund të Gjashtëqindës dhe në një kontekst të përveçëm në pikëpamje kulturore dhe zhvillimesh historike.

Në botimin kritik e filologjik të përgatitur nga studiuesja Anila Omari (ribotim i përmirësuar, Tiranë, 2015) do të gjejmë në një pjesë të veçantë të Hyrjes së tij pikërisht pasqyrimin e një tradite studimore që lidhet pothuaj me të gjitha çështjet e sipërcituara. Njohja e mirë e botimeve kritike e filologjike të një vepre si Meshari i Gjon Buzukut (1555) dhe e kritereve që bënë të mundur që kjo e fundit të plotësojë dhe pritshmëritë studimore të studiuesve të sotëm, hap rrugë dhe për interpretime të mundshme mbi çështje të përmbajtjes dhe të leximit kritik të kësaj vepre, argumente këto që përfshihen natyrshëm në hyrjen e botimit kritik të veprës së Pjetër Bogdanit. Përvijimi i hollësishëm i një rrugëtimi biografik që paraqitet i domosdoshëm në rasë të përpilimit të një botimi të tillë, që mëton të jetë shterrues dhe në pikëpamje të trajtimit të aspekteve të personalitetit të këtij autori gjen vend e hapësirë në krye të Hyrjes me të cilën autorja ka pajisur botimin në fjalë. Vënia në dukje e vështirësive objektive, por dhe e sprovave që nuk kanë munguar në lidhje me evidentimin e vendlindjes së Bogdanit, saktësimin e kësaj të fundit prej studiuesish që interesat studimore i kishin të lidhura si me vetë autorin, si me periudhën në të cilën jetoi ai, deduktimi mbi data të rëndësishme të rrugëtimit të tij jetësor përmes dokumentesh arkivore të dala në dritë të shtypit falë biografëve të këtij autori, janë disa pika në të cilat mbështetet dhe kreu me titull Pjetër Bogdani dhe vepra.

Pasurimi me të dhëna që rezultojnë falë botimesh specifike që janë realizuar vitet e fundit dhe që kanë të bëjnë dhe me indice të tjera me vlerë mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij autori, kanë bërë të mundur që të pasurohet më tej dhe kjo pjesë e rëndësishme e botimit, që introdukton më së miri dhe vetë përmbajtjen në fjalë të veprës.

Një trajtesë më se e domosdoshme është pikërisht ajo me titull Konteksti historik e kulturor ku veproi Bogdani, pasuar më tej nga një tjetër paragraf, i titulluar pikërisht Motivet e shkrimit të veprës. (Omari A., Konteksti historik e kulturor ku veproi Bogdani, në Hyrje, botim kritik i cituar, f. 12-13.)

 Trajtimi në një kontekst analitik i periudhës në të cilën autori realizoi veprën e tij, duke e përmbyllur për shtyp në një variant dygjuhësh, analizimi i ndikimit të reformave kishtare të kohës dhe në përpilimin e një vepre si ajo e Bogdanit, nënvizimi i qëllimeve edukative të këtij të fundit ndaj besimtarëve dhe popullit të vet, mbeten prioritare dhe në këtë pjesë të Hyrjes së botimit. Shekulli në të cilin Bogdani përpiloi një vepër kaq të rëndësishme e të pasur me trajtesa nocionesh e konceptesh të dijes e të kulturës përkon me atë të themelimit të një enti të rëndësishëm institucional, pikërisht Kongregacionit të Propagandës së Fesë, veprimtaria e të cilit konkretizohej dhe me mbikëqyrje kolegjiale të botimeve që inicioheshin e shtjellonin tematika thellësisht teologjike e teozofike. Çështje të tilla rimerren dhe në proces të trajtimit të motiveve të autorit për të realizuar veprën me titull Cuneus prophetarum (1685). Analizimi i paragrafeve të veçanta të veprës, veçanërisht i thënieve që përmbahen në Të Primitë përpara Letërarit shtjellojnë më së miri qëllimet e autorit dhe faktin që ai njihte më së miri kontekstin historik e shoqëror të vendit të vet, bashkë me nevojën e arsimimit të domosdoshëm e të zotërimit të gjuhës e të kulturës. Në të vërtetë, siç dhe është nënvizuar gjerësisht nga jo pak studiues të veprës dhe njohës të personalitetit të Bogdanit, gjithë kjo Prefationë e Cuneus prophetarum, në të cilën shtjellohet më së miri dhe përgatitja e spikatur kulturore e autorit, përbën një evokim të qartë të vlerave të njohjes njerëzore dhe dobisë që paraqet për këdo kultura dhe zotërimi i dijeve. Studiuesja Anila Omari do të shprehet në këtë pjesë të Hyrjes së këtij botimi kritik e filologjik (Motivet e shkrimit të veprës, po aty, botim kritik i cituar, f. 15-16), në lidhje me kompetencat që mbuloi autori në proces të përpilimit të veprës së tij: I ndërgjegjshëm për mangësitë e gjuhës shqipe dhe mungesën e librave në këtë gjuhë, Bogdani iu përvesh punës për hartimin e veprës së tij madhore, e para e këtij lloji e përmasash në traditën e shkrimit shqip, duke përballuar vështirësi të mëdha gjatë ballafaqimit të shqipes me gjuhët ndërkombëtare e kulturore të kohës. Ai u përpoq të shfrytëzojë e të harmonizojë burimet e ndryshme të gjuhës shqipe, mjetet shprehëse bashkëkohore e të lashta, zbulimin e mjeteve të reja nga mundësitë potenciale të gjuhës shqipe, duke arritur të përballej me sukses me gjuhën letrare më të përpunuar të Evropës së asaj kohe, italishten.

Përveç rrethanave komplekse në të cilat Bogdani mbërriti të përmbyllë në variantin më të parë veprën e tij, në atë kohë pas gjasash me një titull të ndryshëm nga ai i vitit 1685, trajtohen gjerësisht dhe aspekte të ndërtimit të saj, bashkë me tipare që dëshmojnë ndikime të mundshme apo dhe modifikime kryesisht përmbajtësore që diktohen nga fakti që më tej kjo e fundit iu rikërkua autorit në një format të ripunuar, që përposë teksteve në gjuhën shqipe të mund të përmbante dhe të tjera gjegjëse në gjuhën italiane të kohës. Ky variant dygjuhësh, që në kolonën e tekstit italisht do të jetë i pasuruar me citime e pjesë kryesisht biblike në gjuhën latine, është dhe ai i njohuri nga tradita studimore mbi autorin dhe veprën e tij, ndërkohë që vijon të mbetet për t’u zbuluar varianti më i hershëm, që mendohet se Bogdani e ka përpiluar vetëm në gjuhën e tij, me një parathënie më të gjerë se ajo me të cilën introduktohet Cuneus prophetarum (1685). Në këtë krye të Hyrjes së botimit, pikërisht në atë me titull Vepra dhe procesi i hartimit të saj. Përkthim apo origjinale?, studiuesja Omari rimerr me radhë çështjet themelore që kanë të bëjnë me historikun e botimit të veprës, por dhe me tiparet që dëshmojnë aspekte qenësore të nënsistemeve gjuhësore, përkime a mospërkime me ndërtime në gjuhën italiane dhe veçori të formave kryesisht analitike që gjurmohen në tekstet e saj. Vëzhgime që mbështeten në analiza të drejpërdrejta të teksteve të veprës mbeten dëshmi e ndikimit te autori të një kulture latino-romane dhe të gjuhëve që ai njihte ose përdorte dhe në atë kohë. Ndërkohë, autorja e botimit ka vënë në dukje dhe elemente të tjera, të domosdoshme për të kuptuar më thellë prirjet e Bogdanit ndaj literaturave që njihte dhe që kishte konsultuar në proces të përpilimit të veprës së tij. Duhet të jenë disa modele ekzemplarësh që në të vërtetë i kanë shërbyer atij në këtë punë të mundimshme prej disa vitesh, duke pasur parasysh dhe faktin që jo pak kohë i kushtoi atij dhe përkthimi në gjuhën italiane i variantit më të parë të veprës, të shkruar siç mendohet vetëm në gjuhën shqipe. Qasja e teksteve të veprës së Bogdanit me modele të tjera të ngjashme dhe të përpiluara në kohë të afërt me shekullin në të cilin jetoi autori ynë, i ka mundësuar dhe studiueses Omari të sqarojë se janë disa burime literaturash shkencore a vepra kryesisht teologjike të shfrytëzuara prej tij, disa prej të cilave dhe citohen konkretisht në këtë krye të Hyrjes së botimit kritik e filologjik të veprës, duke u rimarrë dhe në pikëpamje të ribotimeve që ato kanë pasur në atë periudhë. E rëndësishmë për t’u vënë në dukje në këndvështrimin e studiueses Omari mbetet një veçori që duhet analizuar hap pas hapi në proces të shqyrtimit të veprës së Bogdanit në lidhje me pasazhet që përmbajnë motive nga veprat e sipërcituara dhe që është pikërisht përkimi i gjuhës në variantin italisht të veprës me tekstin e përpiluar prej autorit në gjuhën shqipe. Po në këtë krye të Hyrjes citohen dhe ato raste në të cilat si rezultat i vëzhgimit të krahasuar mes pjesësh në të dyja gjuhët që përmban vepra, vihen re mospërkime kuptimore në përkthimin e zërave të caktuar, si dhe raste në të cilat rezulton i papërkthyer në gjuhën italiane ndonjë fragment i tekstit në shqip.

Në përmbyllje të këtij kreu do të theksohet fakti që Bogdani bën të mundur shtjellimin e një leksikoni mjaft të pasur në terma dhe emërtesa, nëse krahasohet me fjalorin e përdorur nga autorët paraardhës. Vepra e Bogdanit, e gjerë në përmbajtje, e pasur në përdorime dhe argumente ka luajtur një rol të padiskutueshëm në pasurimin e një tradite letrare e shkrimore të përqendruar në Veriun e Shqipërisë e që do të mëkëmbet më pas dhe nga përpilime të tjera me vlerë, por jo të përmasave të saj. Vetë studiuesja Omari do të shprehet në përmbyllje të këtij kreu: Merita dhe sfida e madhe e Bogdanit ishte ndërmarrja e një vepre me përmasa e tematikë të papara deri atëherë në gjuhën shqipe. Qoftë mendimi intelektual origjinal, qoftë puna përkthimore në fusha tematike të larmishme nga gjuhët e mëdha kulturore të kohës ndikuan në përpunimin dhe intelektualizimin e gjuhës shqipe, fare pak të lëvruar deri në atë kohë. Shqipja u ballafaqua me gjuhën më të përpunuar letrare të Evropës që ishte italishtja dhe doli me sukses nga kjo përballje.  Gjatë këtij procesi ajo u pasurua me fjalë, terma e ndërtime të reja, u ngrit në një shkallë më të lartë zhvillimi, normimi e përpunimi, përvijoi stile funksionale që e bënë një gjuhë letrare funksionale dhe një piketë themelore drejt gjuhës letrare kombëtare. Puna e jashtëzakonshme krijuese e Bogdanit për pasurimin e leksikut të shqipes ka lënë gjurmë në trashëgiminë gjuhësore shqipe nëpërmjet traditës leksikografike që u mbështet gjerësisht edhe në veprën e tij duke mbërritur deri në ditët tona.

Kreu me titull Botimet e veprës (Hyrje, botim kritik i cituar, f.23-27), përbën një tjetër aspekt me vlerë në pikëpamje të njohjes së historikut të botimit e ribotimeve të mundshme të veprës, zanafilla e të cilit duhet kërkuar që në vitet e para pas botimit më të parë të Cuneus prophetarum (1685), mbështetur siç dihet tashmë prej kardinalit Gregor Barbarigo, mecenat e dashamirës i Bogdanit, përkrahës dhe i daljes në dritë të shtypit të veprës së tij. Njohja e krahasimi i ekzemplarëve të veprës, interesimi i mëtejshëm i editorëve apo tipografëve që bënë të mundur që me ndryshime të caktuara vepra të rishihte dhe më vonë dritën e botimit, janë elemente që bëjnë të mundur në të vërtetë të ndiqet si itinerar dhe çështja e realizimit, por dhe e vënies në dukje të modifikimeve në tituj e përmbajtje që në atë kohë jo rrallë ndërmerreshin dhe prej botuesve të veprave. Përveç se gëzoi një interes të spikatur në rrethe a qerthuj kulturorë të kohës, ubikimi i kësaj vepre në bibliotekat më të mira të kohës dhe identifikimi i kësombllave të saj evidentohet në kërkimet dhe përmbledhjet studimore të filologëve dhe studiuesve të teksteve të vjetra shqipe, por dhe historianëve të letërsisë së shkruar shqipe. Në përmbyllje të këtij kreu do të rimerret dhe evidentohet nga autorja Omari dhe një ecuri sprovash të njëpasnjëshme për ta botuar veprën, me qëllimin a objektivin që të mundësohej më lehtë leximi i saj. Janë në të vërtetë kontribute kryesisht të gjysmës së parë të shekullit të kaluar që pasurojnë panoramën studimore me të cilën dhe përfaqësohet letërsia e vjetër shqipe, ndërkohë që dekadat e fundit dhe pikërisht vitet e fundit sheh dritën e botimit dhe ky botim i natyrës kritike e filologjike, aparati kritik i të cilit përbën gjithashtu një ndihmesë të madhe për ta brendësuar më qartë në disa aspekte të përmbajtjes dhe të ndërtimit.

Veçanërisht me interes paraqitet pjesa e dytë e Hyrjes së botimit të sipërcituar, me titull Grafia e veprës dhe kritere të transkriptimit të saj, në të cilin do të gjejmë trajtesa mbi përshkrimin e shenjave grafike, konkretisht dhe interpretime mbi mundësinë e njohjes prej Bogdanit të veprave paraardhëse me autorë që i paraprijnë në kohë, por dhe që kanë veçori paksa të ndryshme në pikëpamje të shkrimit dhe të reflektimit në shenja grafematike të caktuara. Në kreun kushtuar përshkrimit të shenjave grafike (po aty, pjesa e dytë e Hyrjes, f.27-33) rimerret çështja e njohjes dhe e përdorimit të grafisë latino-italiane në tekstet e vjetra shqipe, në një vështrim të natyrës diakronike që merr parasysh dhe veçantitë e tipareve shkrimore në autorë të veçantë. Puna me tekstet e Bogdanit i ka dhënë mundësi studiueses Omari të vërë në dukje më me hollësi diferencime në grafema të caktuara që me ndonjë tipar më të ndryshëm nga ç’figurojnë në autorët paraardhës të traditës shkrimore në shqip rimerren në këto tekste.

Me vend paraqitet pikërisht vërejtja mbi një progres të mundshëm nga ana e Budit sa u përket tipareve të shkrimit shqip, progres që u shpu më tej pikërisht nga Pjetër Bogdani, autor i Cuneus prophetarum (1685). Një fakt i rëndësishëm që vihet re në këtë pjesë të Hyrjes së këtij botimi kritik është pikërisht ai i veçorive grafike që përurohen prej Bogdanit e që do të rimerren dhe në botime të mëvona të shekullit XIX, duke përforcuar kësisoj një traditë shkrimore tashmë në rrugë të natyrshme konsolidimi. Qasja ndaj tiparesh grafike të ngjashme a të përafërta në veprat themelore të letërsisë së vjetër shqipe shërben dhe si një mundësi interpretimi në pikëpamje të njohjes së këtyre veprave prej vetë autorëve të kësaj letërsie. Në këtë pikëpamje, dhe në këtë Hyrje të përpiluar nga A. Omari ndiqen me të drejtë linja gjurmimi që mund të dëshmojnë dhe në këtë këndvështrim. Më se të domosdoshme paraqiten shpjegimet që jepen në këtë paragraf në lidhje me shenjat e pikësimit që përdoren në vepër, ndërkohë që dhe ndërkëmbimi i tyre nga ana e autorit jo gjithmonë përbën zgjidhjen e duhur në vështrimin filologjik dhe në atë të brendësimit të tekstit.

Mbi përdorime të caktuara të këtyre shenjave shprehet dhe vetë autori në Udhëzimet (Avvertimenti) me të cilat kryen shpjegime mbi aspekte kryesisht grafike në leximin e veprës, duke dhënë mundësi të kryhen interpretime mbi vlerat fonike që ai u atribuonte shkronjave të caktuara (kryesisht atyre jolatine) që përdorte në vepër. Njohja e thelluar e teksteve të kësaj vepre dhe puna e gjatë studimore për përgatitjen për botim të saj i ka mundësuar studiueses Omari dhe të gjurmojë ecurinë e përzgjedhjeve të autorit në pikëpamje të përdorimit të këtyre shenjave të posaçme diakritike, të cilat në pjesën e dytë të veprës rezultojnë të jenë vënë në përdorim në një shkallë më të arsyeshme nga ana e tij.

Për të kuptuar më qartë dhe sprovën e mirëfilltë që përbën për filologun dhe interpretuesin në një sërë nivelesh puna studimore me veprën e Bogdanit, mjafton të lexohet me vëmendje dhe kreu me titull Kritere të transkriptimit, pikërisht me paragrafin Probleme të segmentimit të fjalëve, në të cilin do të shtjellohen qartë aspekte objektive të punës së studiueses Omari me tekstet e veprës dhe çështje të interpretimit kryesisht grafik e grafematik të tyre. Në parashtrimin e çështjeve më pekuliare që lidhen dhe me përkatësinë dialektore a formimin gjuhësor të autorit, studiuesja Omari merr parasysh dhe vendin e ndërmjetëm që në pikëpamje historike dhe kronologjike zë një autor si Pjetër Bogdani, pasues i Gjon Buzukut, Pjetër Budit e Frang Bardhit, paraprijës ndërkohë i Gjon Nikollë Kazazit, një tjetër prelat i gjuhës e kulturës sonë kombëtare.

Një nëndarje e tillë, që lidhet me shpjegimin e një sërë çështjesh që sqarojnë interpretimin e shkrimit të zanoreve, bashkëtingëlloreve, shkrimin njësh a ndaras të fjalëve të caktuara, transkriptimin në raste të shkrimit bashkë të emrave të shquar në shumës ose asnjanës në rasa të drejta e të ndjekura nga emra në gjinore a mbiemra të nyjshëm, identifikimin e fonemave specifike në tekste të caktuara të veprës, interpretime fonike e grafike kur tekstet dëshmojnë ndikime nga gjuhë specifike që njihte autori ynë, dallimet e duhura në përbërje sintagmash a togjesh që përdoren në veprën e Bogdanit, përbën dhe një aspekt të rëndësishëm të një pune të imët filologjike, pa të cilën nuk do të mund të kuptohej mirëfilli as i gjithë procesi i transkriptimit të teksteve në këtë vepër. Studiuesja u është referuar gjerësisht studimeve specifike mbi çështje të ngjashme në gjuhën e autorëve paraardhës të letërsisë së vjetër shqipe, por dhe shembujve konkretë nga veprat e tyre.

Hyrja e gjerë dhe e arsyetuar me të cilën introduktohet dhe vetë përmbajtja e këtij botimi përbën një studim të mirëfilltë që në raste të ndërmarrjes së hulumtimeve më specifike mbi veprën dhe autorin është çelësi kryesor jo vetëm për një përafrim të parë me të, por dhe për të pasur të qarta aspekte teknike të realizimit të një pune që detyrimisht do të cekë jo pak nënsisteme për të qenë e plotë dhe shterruese. Duke përfaqësuar dhe metodologjikisht një shkollë të veçantë filologjie në pikëpamje kriteresh shkencore dhe parimesh që respektohen në të, një botim i tillë kritik mbështetet më së miri dhe nga një studim i vyer dhe i plotë që studiuesja Anila Omari përmbylli pak kohë më parë dhe që i kushtohej pikërisht leksikut të plotë të veprës Cuneus prophetarum (1685) të Pjetër Bogdanit. (Omari A., Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2016).

Një vlerë më vete në përbërje të këtij botimi kritik përfaqësojnë pa dyshim shënimet e shumta filologjike që ndihmojnë të brendësohen më mirë tekste dhe elemente leksikore, jo rrallë dhe me konotacion specifik për regjistrat gjuhësorë që Bogdani lëvroi natyrshëm në veprën e tij dhe në vijimësi logjike me çështjet që shtrohen me radhë në Hyrjen e sipërcituar që introdukton dhe botimin në fjalë. Falë këtyre shënimeve që dhe në ribotimin që kemi në dorë janë të vendosura në këmbë të teksteve të transkribuara të veprës, mund të analizohen a vihen re më mirë inkoherenca të mundshme në shtypshkrimin e fjalëve, por dhe kuptime që rimerren nga autorë që veprën e Bogdanit e kanë shfrytëzuar në përpilimin e dicionarëve apo leksikoneve të tyre (Kristoforidhi, Meyer, Xanoni, Çabej, Sciambra etj.).

Rimarrja e këtij botimi të vyer në formatin e përmirësuar përherë të natyrës kritike e filologjike rikthen vëmendjen ndaj një autori të cilit historia duhet t’i ndërmendë dhe konsiderojë përherë vlerat e një personaliteti të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe ruajtjes së integritetit kombëtar, nënvizon sërish dhe rëndësinë e njohjes së drejtpërdrejtë të veprës me të cilën ai shënoi arritje të papërsëritshme shkrimtarie për letërsinë e shkruar shqipe dhe për kulturën kishtare përkatëse. Një traditë e përtërirë shkrimore, letrare e gjuhësore rigjen frymëmarrjen falë kësaj vepre madhore e shumëdimensionale./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »