Jezusi dhuron Shpirtin e jetës pa masë

Apr 23 • Meditimi i ditës

23 prill 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 5, 27-33; Ps 34, 2.9.17-20; Gjn 3, 31-36)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.

Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,

të çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, çdo gjëje që është:

Hyji është në çdo të rrahuri të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Gjn 3, 31-36

31 “Kush vjen prej së Larti,
ai është mbi të gjithë!
Kush është nga toka,
tokësor është dhe flet për gjërat e tokës.
Ai që vjen prej qiellit
[ai është mbi të gjithë]:
32 dëshmon çka pa e çka dëgjoi,
por dëshminë e tij askush s’e pranon.
33 Kush e pranon dëshminë e tij,
pohon se Hyji është i vërtetë.
34 Vërtet, i dërguari i Hyjit
flet fjalët e Hyjit
sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.
35 Ati e do Birin
dhe atij i la në dorë gjithçka.
36 Kush beson në Birin
ka jetën e pasosur,
përkundrazi, ai që nuk beson në Birin
nuk do ta shohë jetën:
hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:



• Misioni i Jezusit ishte për të dhënë ujin e gjallë të së vërtetës çdo njeriu në çdo kohë. E dinte se nuk është duke u dhënë një mësim restriktiv, por jetën e amshuar për të cilën janë të krijuar.
Ai shumë dëshiron që këtë të ma ofroj edhe tani, këtë moment.
• Zoti jep Shpirtin Shenjt pa masë, vetëm se zemra ime është e vogël.
Do të lus që kapaciteti im i pranimit të bollëkut të Shpirtit të Zotit të rritet dhe të vazhdojë së rrituri në vijimësi.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »