Të japësh jetën

Apr 23 • Opinion

Nga Federico Lombardi

 

Shembulli i mjekëve, infermierëve, meshtarëve, gjithë atyre, që i shërbejnë të sëmurëve, të gatshëm për të dhuruar edhe jetën, është mësimi më i çmuar, që duhet të na lërë kjo kohë.

 

Në dhimbjen dhe tragjeditë e këtyre muajve, vërejmë një fakt të rëndësishëm, që na tërheq vëmendjen dhe, ndonëse i shton dhimbje dhimbjes, është burim admirimi e – në fund – edhe ngushëllimi. Është aradhja e njerëzve, që marrin mbi vete pasojat e pandemisë, e deri vdekjen, duke iu kushtuar shërbimit të të tjerëve me bujari, me të gjitha forcat, me korp e me shpirt! Është e drejtë t’u paguash një haraç të përbashkët mirënjohjeje, që sigurisht nuk është thjesht shprehje retorike. Është shumë më tepër: shprehje tejet e sinqertë, nga ana e të gjithëve. Mjekë, infermierë, meshtarë, vullnetarë … Janë pikërisht në zonat më të goditura, ku numri i atyre që sëmuren, por edhe e sidomos, i atyre që vdesin, është shumë i lartë!

Në kohën e vuajtjes së madhe, ka njerëz që kuptojnë se janë të thirrur për rrugën e profesionit, për rrugën e shërbimit fetar, ose për të dhënë jetën  për të tjerët! Nëse nuk pyet për rrezikun, nuk është se e bën këtë për mungesë përgjegjësie, as për mendjelehtësi. E bën, sepse të shtyn ndjenja e detyrës e të frymëzon dashuria, që është shumë më e fortë se frika.

Më 11 shtator 2001, në atentatin e tmerrshëm të Kullave Binjake, patën gjetur vdekjen më se 3000 vetë. 343 prej tyre ishin zjarrfikës, të angazhuar në veprimtaritë e ndihmës. Heroizmi i tyre ishte një nga forcat më të frytshme për të inkurajuar qytetarët e New Yorkut në rindërtimin moral e fizik, pas shkatërrimit.  

E nëse zjarrfikësit ishin njerëzit më të ekspozuar e më të njohur, atyre duahet t’u shtohen edhe shumë mjekë, infermierë, vullnetarë të të gjitha tipeve, që ngarendën menjëherë për të dhënë ndihmën e tyre, me një bujari  të plotë! Shembull i madh! Po mund të vijojmë edhe më gjatë. Sa herë, në rastet e tërmeteve, të përmbytjeve ose të katastrofave të tjera, pamë shembuj prekës e mahnitës solidariteti spontan, të çinteresuar, pa humbur asnjë çast për të menduar për jetën. Shpesh mbetemi me gojë hapur nga habia para këtyre rasteve.  

Kështu, atje ku ka më shumë vuajtje … shikojmë edhe më shumë dashuri. Një dashuri që, po të jetë e mundur, është gati të shkrihet pa bërë asnjë llogari, deri në atë pikë, sa të japë edhe jetën. Shohim  njerëz, që na dukeshin “normalë” duke treguar një madhështi njerëzore e shpirtërore,  që nuk e kishim parë e as nuk e kishim menduar. Ndoshta edhe ata vetë nuk kishin arritur ta kuptonin sesa ishin në gjendje të jepnin, të dhuronin, të flijonin, derisa  dhimbja e tjetrit nuk u kishte treguar për çka mund të thirreshin… Ka diçka tepër të madhe e tepër misterioze në këtë lidhje ndërmjet dhimbjes e dashurisë.  Të duket gati-gati se dhimbja është trualli, në të cilin dashuria mund të rritet përtej të gjitha parashikimeve tona e pritjeve tona, duke arritur në maja, ku nuk flet më fjala, as arsyeja. Në vend të tyre, flet një zjarr i madh, një flakadan, që ndizet në zemër. E kemi parë shpesh përkushtimin e bashkëshortëve dhe të njerëzve që duhen, përballë sëmundjeve më të dhimbshme, edhe ngjitëse. Atëherë dashuria bëhet aq e fuqishme, sa ta shndërrojë vuajtjen më mizore, në histori dashurie, që nuk pyet as për vdekjen! Vuajtja e vdekja  fitojnë, kështu, një kuptim të lartë, të papritur!

“Nuk ka dashuri më të madhe, se të japësh jetën” – thotë Jezusi. E na fton  t’i kuptojmë mundimet e Tij, parë në këtë dritë e të ecim edhe ne nëpër rrugën e kësaj dashurie: “Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën” – është diçka që të gjithë mund ta kuptojnë gati-gati si dëshirë të zjarrtë, nëse nuk na ka ndryshuar fare dashuria vetëm për vetveten!

Pandemia, kohë e vuajtjes së madhe – e kohë e dashurisë së madhe! Virusi është ngjitës. Por edhe dashuria mund të jetë ngjitëse. Shumë nga bijtë e zjarrfikësve të New Yorkut, të vdekur më 11 shtator, duke u rritur  shprehën dëshirën të bëheshin edhe ata zjarrfikës, për t’u ngjarë etërve të tyre në një shërbim, që të thërret të jesh i gatshëm për t’ua dhuruar edhe jetën të tjerëve. Shembulli i mjekëve, i infermierëve dhe infermiereve, i meshtarëve dhe i gjithë atyre, që u vunë në shërbim të të sëmurëve, gati për të dhuruar edhe jetën, është një nga mësimet më të rëndësishme, që duhet të na lërë kjo kohë. Është shpirti i çmuar i të gjitha mësimeve të tjera, që do të përpiqemi t’i nxëmë. Pa këtë, të tjerat vlejnë pak e aspak! (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »