A jam edhe unë ndjekës i Jezusit?

Apr 24 • Meditimi i ditës

24 prill 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 5, 34-42; Ps 27, 1.4.13-14; Gjn 6, 1-15)

 

Prania e Hyjit

Ajo çfarë orvatem të bëjë këtu është që ta lë kohën më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, në atë trupore – në kohë, dhe në atë shpirtërore.
Provoj ta paramendoj Jezusin sesi është ulur afër meje
dhe lus me të për gjithçka çfarë më ndodhë në jetë.
Mundohem ta kuptoj se në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethana të përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Shtypja, ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shtyjnë këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëj diçka.
Tash për tash, jam duke provuar të qëndroj i qetë dhe i hapur për atë çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria

Lus për hirin e shenjtë
që të harroj në brengat e mia,
që të jem i hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,
që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, çfarë po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Në qoftë se vetëm diçka nga këto ekziston në mua,
a mundem ta provoj t`i largoj këto brengosje që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn, 6, 1-15

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.
5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:
“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”
6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.
7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”
8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:
9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”
10 Jezusi u tha:
“Thuajuni njerëzve të ulen.”
Në atë vend kishte shumë bar.
U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.
14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

· “E ndiqte një shumicë e madhe”: a jam edhe unë në këtë shumicë? I/e fshehur diku në mes? A i kanosem “rrezikut” që të shquhem dhe të dal përpara, që të më shohin të tjerët? Apo, që të më sheh Jezusi?
· Ishte duke u afruar Pashka, përkujtimi sesi Izraelitët qenë ushqyer me manë në shkretëtirë. Jezusi këtu shënjon se kush është ai – Moisiu i ri që i shpie në liri ata që kanë besim.
Përzihem me masën duke shikuar çfarë është duke ndodhur rreth meje, duke pranuar bollëkun e tij dhe duke vështruar sesi i drejtohet çdo personi veç e veç.
· Shumica i ka pasur lutjet e veta për shkak të cilave e ndiqnin Jzeusin: shërimi fizik personal apo shërimi i një personi të dashur, çlirim politik për shkak të cilit mendonin se ka ardhur.
Cilët janë motivet e mia?
Çfarë më ofron Jezusi mua?

 

Bashkebisedimi

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë.
Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »